Barrierat tregtare dëmtojnë Kosovën

Produkte kosovare...

Barrierat tregtare, që po u vendosin shtetet fqinje prodhimeve kosovare, sipas njohësve të çështjeve ekonomike, po e dëmtojnë ekonominë e Kosovës. Ata kërkojnë nga institucionet e Kosovës që të marrin masa reciproke ndaj këtyre shteteve.

Masat reciproke janë paraparë edhe në kuadër të marrëveshjes CEFTA dhe në kuadër të shkëmbimeve të lira tregtare, thonë njohës të çështjeve ekonomike.

Profesori i ekonomisë, Musa Limani, thotë se derisa Kosova nuk tregohet më e vëmendshme karshi këtyre barrierave që po i bëjnë vendet fqinje, atëherë gjëra të tilla do të përsëriten vazhdimisht në të ardhmen.

“Ne duhet të përdorim parimin e reciprocitet. Atë që e veprojnë shtetet tjera në aspektin e këmbimit të mallrave me Kosovën, duhet të bëjë edhe Kosova. Duhet të jetë ky parim i reciprocitetit në jetën praktike. Unë jam ithtar i asaj që në Kosovë të bëjmë një politikë proteksioniste të tregtisë së jashtme”, vlerëson Limani.

Së fundi, Maqedonia kishte vënë barriera për prodhimet kosovare. Ky shtet kishte kërkuar nga bizneset që merren me prodhimin e pijeve që, përveç dokumenteve të rregullta, të kenë edhe një certifikatë mbi kualitetin nëse dëshirojnë që prodhimet e tyre të hyjnë në këtë shtet.

Ndërkaq, Shqipëria tash e një kohë të gjatë është duke aplikuar çmimin referent për patatet e prodhuara në Kosovë. Aplikimi i këtij çmimi prodhuesit kosovarë i bën jokonkurrentë me prodhuesit e Shqipërisë.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, thotë për Radion Evropa e Lirë, se do të ishte shumë mirë të mos kishte barriera, pasi që janë në kundërshtim me marrëveshjet e arritura në mes të shteteve të rajonit, por që një gjë e tillë po ndodh. Ajo thekson se Kosova deri më tani ka reaguar në mënyra të ndryshme karshi këtyre barrierave që i kanë bërë shtetet e rajonit Kosovës.

“Në raport me Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën kemi aplikuar masa të njëjta, në raport të mëhershëm me Maqedoninë i kemi zgjidhur drejtpërdrejt me Ministrinë e Ekonomisë në Maqedoni, kur ishte pengesa e miellit. Po ashtu, së fundi kur u prezantua një dokument shtesë nga Doganat e Maqedonisë, e kemi zgjidhur problemin brenda institucioneve të Kosovës. Ndërsa, sa i përket Shqipërisë, nëse nuk ka një lëvizje shumë shpejt do të marrim masa adekuate për të mbrojtur prodhimet vendore”, thotë Kusari-Lila.

Në anën tjetër, sa i përket çmimeve referente që ka vendosur Shqipëria për patatet e prodhuara në Kosovë, profesorit i ekonomisë, Musa Limani, sugjeron dy qeveritë, atë të Kosovës dhe Shqipërisë, që të bisedojnë dhe t’i largojnë të gjitha barrierat administrative dhe politikës fiskale.

“Ky çmim referues qenka 6 centë, kurse çmimi me shumicë i patates, sipas deklaratave të përpunuesve të patates qenka 5 centë, atëherë është e palogjikshme edhe në aspektin ekonomik. Kurse, në aspektin kombëtar unë mendoj që Shqipëria duhet të dalë nga egoja e individëve e interesave grupore apo partiake, por të ngrihet në aspektin institucional që veprimet që i bën Qeveria e Shqipërisë duhet të jenë veprime që kanë interes kombëtar ”, thekson Limani.

Ndërkohë, Kosova, nga barrierat që po vendosin shtetet fqinje, ka shënuar humbje të mëdha. Humbjet më të mëdha Kosova i kishte pasur nga bllokimi që u kishte bërë Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, prodhimeve kosovare. Lidhur me humbjet që Kosova po pëson gjatë këtyre barrierave tregtare, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila shprehet thotë:

“Humbjet kanë qenë varësisht nga periudhat kohore. Serbia dhe Bosnja kanë pasur ndikim më të madh. Për pjesën tjetër afatshkurtër kemi të bëjmë me vonesa më shumë dhe humbjet po prekin biznese të caktuara dhe jo ekonominë kosovare në përgjithësi. Çka është më e rëndësishme janë duke e dëmtuar kredibilitetin, gjegjësisht besimin e afaristëve në procesin e tregtisë së lirë të mallrave. Kjo po krijon pasiguri në treg”.