Stomatologji: Përpjekje për reduktimin e listës së pritjeve

Ilustrim


Qendra Klinike Stomatologjike Universitare e Kosovës, gjatë ditës, kryen shërbime për më shumë se njëqind pacientë.

Edhe përkundër frekuencës së madhe në këtë qendër, sipas profesionistëve shëndetësorë, shërbimet kryhen në nivel shumë të lartë.

Gloria Staka ushtruese e detyrës së kryeshefit të departamentit shëndetësor në QKSUK, deklaron se janë mirë të furnizuar me material shpenzues dhe higjienik.

Sipas saj, përkundër asaj se kohë më parë, pacientëve i është dashur të presin deri në dy vjet për të marrë shërbime më specifike, tash kjo qendër ka reduktuar listën e pritjes në masë të madhe.

Varet se çfarë shërbime kërkojnë pacientët. Në klinikën protetike stomatologjike, aty ku edhe unë punoj, lista është reduktuar. Pacientët më parë kanë pritur 2 vjet, sot një pacient për të njëjtin shërbim pret 2 muaj. Në shumë klinika nuk ka fare listë të pritjes për shumë punime. E pritja prej dy muajsh për një shërbim më specifik nuk vjen si pasojë e mungesës së materialit, por fluksit të madh të pacientëve”, shprehet Staka për Radion Evropa e Lirë.

Sipas saj, rastet emergjente pranohen menjëherë dhe nuk hyjnë në kategorinë e listës së pritjeve, derisa shton se klinika e ortopedisë së nofullave, është klinika ku pacientëve u duhet të presin më gjatë, për shkak të numrit shumë të madh dhe të papërballueshëm të pacientëve.

Lista më e gjatë e pritjeve është në klinikën e ortopedisë së nofullave, por edhe aty jemi duke bërë çmos, që edhe atë listë ta reduktojmë. Rastet urgjente trajtohen menjëherë. Këto pritje ndodhin për arsye se ka numër të papërballueshëm pacientësh”, thotë Staka.

Në anën tjetër, pacientët ankohen për pritje. Njëra nga to është edhe Ermira, 15 vjeçare.

Prej orës 9.15 e kam pasur terminin. Jam duke pritur që gjysmë ore. Po thonë që tash të thërrasim. Janë me pacientë tjerë, e më duhet të pres”.

Edhe Xhevrije Hasani, nëna e një pacienteje, thotë se edhe përkundër asaj se nuk paguan asgjë për shërbime, nuk i duron pritjet. Ajo thotë se po pret qe 30 minuta, derisa vajza e saj tashmë ishte duke marrë shërbimin që kërkonte.

Unë kam ardhur me vajzën. Hera e tretë që kam ardhur. Ato dy herët tjera kam marrë shërbime, por sot e sjella vajzën. Njëherë më thanë eja të premten, por iu thashë që e kam vajzën në shkollë. Tash e morën në sallë. Përndryshe, që gjysmë ore po pres”.

Në anën tjetër, infermierja Hateme Hamza, e cila punon në këtë qendër që 32 vjet, pohon se numri i pacientëve që regjistrohen gjatë ditës arrin në 100.

Ajo thotë se pritjet e kohëpaskohshme të pacientëve ndodhin shumë rrallë, por gjithmonë me arsye.

Pacientët nuk presin gjatë, por nëse ndonjëherë presin, duhet ditur se kjo qendër është shkollë për studentë, dhe studentët e vitit të katërt, pestë dhe gjashtë, ndonjëherë punojnë më ngadalë. Ne i klasifikojmë pacientët në bazë të diagnozës. Kemi një numër të madh pacientësh, për shkak se lirohen nga participimi financiar, andaj shumë njerëz marrin shërbime këtu”, thotë Hamza për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, zonja Gloria Staka thekson se me ekspertët që posedon Qendra Klinike Stomatologjike, janë duke dhënë maksimumin që çdo pacienti t’i dalin në ndihmë, derisa shton se e kanë përkrahjen e Ministrisë së Shëndetësisë për furnizim me material shpenzues.