Kirurgjia e fëmijëve, me mungesë anesteziologësh

Ilustrim

Në Klinikën Kirurgjike të fëmijëve, në Qendrën Klinike Universitare, me gjithë mungesën e madhe të anesteziologëve dhe mungesën e materialit shpenzues dhe barnave, gjatë tre muajve të parë të këtij viti janë kryer mbi 400 operacione.

Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë së fëmijëve, profesor Nexhmi Hyseni, deklaron se klinika në fjalë, merret me shumë problematika, derisa pohon se janë disa fusha, ku nuk mund të ndërhyhet.

“Aktualisht, kemi staf të konsoliduar. I kemi 11 kirurgë të fëmijëve, dhe dy salla të operacionit, por që nuk janë në funksion gjithmonë për shkak se kemi mungesë të anesteziologëve të fëmijëve, e që shpeshherë, na pengon të bëjmë intervenime kirurgjike. Kur të dy sallat e operacionit janë në funksion, gjatë ditës realizohen deri në 10 operacione”, bën të ditur Hyseni.

Kujdesi i mjekëve ndaj fëmijëve duket të jetë në nivelin e duhur. Pavarësisht mungesës së kohëpaskohshme të barnave të listës esenciale, si dhe materialit shpenzues, familjarët e fëmijëve të operuar duken të jenë shumë të kënaqur me trajtimin që u bëhet në këtë klinikë. Nëna e Albion Osmanit, i cili ishte operuar një ditë më parë, tregon më shumë:

“E kam operuar djalin mbrëmë. Ka kaluar shumë mirë, mua nuk më kanë thënë më ble asgjë, kishte barna. Kanë intervenuar me kohë, dhe operacioni ka pasur sukses”.

Edhe nëna e Riad Ismailit, thotë se për fat të mirë, nuk i është dashur të blejë barna, sepse të gjitha medikamentet e nevojshme i ka poseduar klinika.

“Shumë mirë janë kujdesur mjekët, nuk na kanë thënë të blejmë asgjë”, pohon e ëma e Riad Ismajlit.

Edhe Mevlude Krasniqi, një tjetër nënë e fëmijës së operuar, jep hollësi rreth qëndrimit të saj në Klinikën e Kirurgjisë së fëmijëve:

“Jo, nuk po na thonë të blejmë barna, mirë po kujdesen për fëmijët edhe fëmijët janë mirë. Edhe pse i ka pëlcitur zorra qorre, shumë mirë janë kujdesur për të dhe gjithçka ka qenë e suksesshme”.

E doktor Arbër Kutllovci, i cili po specializon për kirurgji të fëmijëve, thotë se sa i përket punës si specializant, kushtet janë të mira, për shkak se mundësia e punës është e madhe. Ai thotë se aty kryhen shumë operacione, që nga më të lehtat e deri tek ato më të komplikuara, aq sa lejon domeni profesional.

“Për 5 muaj unë kam pasur mbi 200 asistime në sallë të operacionit, dhe mbi 50 operacione që i kam përfunduar vetë, sigurisht me ndihmën e ekipit. Problemi që kemi ne është anestezioni, sepse ka mungesë dhe një numër i madh i operacioneve nuk mund të realizohet pë rmungesë të anesteziologëve. Nuk mund të flitet për kualitet të punës, sepse kualiteti ekziston dhe kirurgjia e fëmijëve realizon çdo operacion që mund të bëhet”, thotë Kutllovci.

Por, sipas Kutllovcit, intervenimet që nuk kryhen në këtë klinikë nuk janë të pakta.

“Fushat ku mungojnë operimet, si fusha e kardiokirurgjisë pediatrike, fusha e neurokirurgjisë, asaj torakale pediatrike, ku shpresojmë se në të ardhmen të zgjerohet kirurgjia e fëmijëve dhe të kemi një spital vetëm për fëmijën dhe nënën”, sqaron Kutllovci.

Në anën tjetër, drejtori i Klinikës, Nexhmi Hyseni, thotë se Klinika e Kirurgjisë Pediatrike, është qendra e vetme terciare në Kosovë, dhe merret me trajtimin e sëmundjeve, me shumë problematika të kirurgjisë së fëmijëve që nga të porsalindurit e deri te 16-vjeçare. Këtu hyjnë sëmundjet akute kirurgjike dhe anomalitë e ndryshme. E, sa i përket barnave dhe materialit shpenzues, Hyseni thotë se nuk qëndrojnë keq.

“Në klinikë kryhen intervenime të ndryshme kirurgjike, prej rasteve nga më të lehta e deri tek ato më të komplikuara. Në tre muajt e fundit kemi pasur mbi 400 intervenime kirurgjike. Shtatëdhjetë për qind e barnave janë të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë, derisa disa barna i sigurojnë vetë pacientët”, sqaron Hyseni.

E, Arbër Kutllovci thotë se puna që kryhet në Kirurgjinë e fëmijëve, është në nivelin e duhur, por, sipas tij, duhet përkrahje e madhe edhe nga jashtë, në mënyrë që kushtet të jenë më të mira.

“Në përgjithësi, gjendja në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës lë shumë për t’u bërë dhe nuk është në nivelin e duhur. Puna që realizohet në Kirurgjinë e fëmijëve, unë sa kam vërejtur, ka qenë në nivelin e duhur. Por, duhet pasur përkrahje edhe nga jashtë, sepse këtu merren trajtime të gjitha fëmijët që kanë sëmundje akute kirurgjike e që janë nga dita e parë e lindjes deri në moshën 16-vjeçare. Andaj nëse nuk ka përkrahje nga Qeveria, nuk do të mund të realizohet programi, sepse nuk varet vetëm nga mjekët por duhet shumë përkrahje nga jashtë”, thekson Kutllovci.

Ndërkaq, Nexhmi Hyseni tregon se intervenimet kirurgjike që janë komplekse dhe që nuk paraqesin urgjencë, kryhen në këtë klinikë falë bashkëpunimit me ekipe nga Evropa, të cilët vijnë në Prishtinë, dhe në bashkëpunim, realizohen edhe ato operacione.