Hejg rrezikon fajësinë për krime lufte

Uilliam Hejg

Avokatë të të drejtave të njeriut në Britani kanë paraqitur para Gjykatës së Lartë në Londër aplikacionin që i kërkon sekretarit të Jashtëm britanik, Uilliam Hejg, të justifikojë ndihmën që u ka ofruar vendi i tij Shteteve të Bashkuara, gjatë sulmeve të telekomanduara në Pakistan.

Klienti që sfidon diplomatin britanik, është Nor Khan, një burrë nga Vaziristani i Pakistanit.

Katerin O’Shi, zëdhënëse e organizatës britanike për mbështetje ligjore, Reprieve, thotë se Khan u është drejtuar avokatëve pasi babai i tij, një kryetar i shquar fisnor, është vrarë në një jirga paqësore, që synonte zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje rreth minierave.

Babai i tij është vrarë nga një sulm i telekomanduar më 17 mars të vitit 2011, gati një vit më parë, teksa merrte pjesë në një jirga, pra në takimin e krerëve të fisit. Në atë sulm mbetën të vrarë rreth 40 persona dhe Nor po kërkon drejtësi për babanë e tij”, thotë O’Shi.

Të dhënat tregojnë se më 17 mars, sulmet janë kryer nga Shtetet e Bashkuara, me ndihmën e agjencisë britanike të inteligjencës, GCHQ, e cila mbikëqyret nga Hejg si sekretar për çështje të jashtme.

Avokatura me seli në Londër, Leigh Day and Company, e cila ka paraqitur kërkesën para gjykatës, thotë se Hejg dhe punonjësit civilë të inteligjencës, që veprojnë nën komandën e tij, nuk kanë të drejta ligjore të bartin informacione te Shtetet e Bashkuara për përdorimin e avionëve të telekomanduar, të cilët kanë vrarë qindra njerëz në Pakistan, gjatë gjashtë vjetëve të fundit.

Rosa Kërlling, avokate nga kjo kompani, citon disa faktorë që mund t’i heqin Hejgut dhe agjencisë së inteligjencës imunitetin nga ndjekja penale.

Njëri është fakti se në Pakistan nuk ka të deklaruar konflikt të armatosur ndërkombëtar. Tjetri, shton ajo, është se anëtarët e komuniteteve të inteligjencës britanike dhe amerikane janë civilë dhe nuk mund të përshkruhen si luftëtarë të ligjshëm.

Personat e vetëm që janë imunë nga ligji i zakonshëm penal, janë ata, të cilët, sipas ligjit ndërkombëtar, konsiderohen luftëtarë të ligjshëm, që marrin pjesë në një konflikt të armatosur ndërkombëtar. Punonjësit e CIA-s, që shtypin butonin që shkakton sulmin, janë civilë. Ata nuk janë luftëtarë dhe nuk kanë të drejtë imuniteti sipas ligjit. Pikërisht e njëjta vlen edhe për punonjësit e GCHQ-së”, thotë Kërlling.

Ajo çfarë i shton më shumë shqetësimet është se fushata e sulmeve të telekomanduara, sipas saj, shihet si “jo e domosdoshme dhe joproporcionale”. Kërrling thotë se Hejg dhe anëtarët e agjencisë GCHQ mund të ndiqen për krime kundër njerëzimit ose krime lufte në bazë të Aktit Ndërkombëtar të Gjykatës Kriminale, të vitit 2001, i cili e vë legjislacionin e Mbretërisë së Bashkuar për krime lufte në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Zotit Hejg i mbeten tri javë për t’iu përgjigjur kërkesës së gjykatës, e cila është e lirë të miratojë hetimin substancial të çështjes.

Avokatët shpresojnë të nxisin Hejgun që të zbulojë politikën që fshihet pas bashkëpunimit të vazhdueshëm me Uashingtonin. Avokatët e sekretarit të jashtëm kanë refuzuar të konfirmojnë ose të mohojnë ekzistimin e një politike të caktuar.(v.t.)