Prishtinë - Beograd: Një vit bisedime

Ilustrim

Autoritetet vendore e ndërkombëtare e quajnë “të suksesshme” ecurinë e deritashme të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në mes të Prishtinës e Beogradit, ndërsa këmbëngulin në natyrën teknike të procesit në fjalë.

Më tetë mars të vitit të kaluar, delegacionet e të dyja palëve u ulën, për herë të parë, në tryezën e ndërmjetësuesit evropian, Robert Kuper, për të biseduar për çështjet e pazgjidhura teknike ndërmjet tyre.

Pas nëntë raundeve të takimeve dhe gjithsejtë shtatë marrëveshjeve të arritura, theksohet rëndësia për zbatimin e tërësishëm të tyre, ndërsa hedhet poshtë mundësia që problemi i veriut të futet si temë diskutimi në raundet e ardhshme të dialogut.

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Prishtinë, Samuel Zhbogar, kundërshtoi idenë që çështja e veriut të futet në kuadër të dialogut, i cili sipas tij ka karakter teknik, por theksoi nevojën që për këtë çështje të gjendet një zgjidhje ndërmjet njerëzve që jetojnë në Kosovë.

Mendoj se çështja për katër komunat në veri është çështje që duhet të diskutohet në Kosovë ndërmjet njerëzve që jetojnë në Kosovë. Natyrisht se Serbia ka një rol të rëndësishëm si shtet njerëzit e të cilit gjithashtu jetojnë në këtë zonë, pra, ka lidhje të veçanta sikurse që ka me edukimin dhe çështje të tjera në përputhje me marrëveshjet. Por, dialogu do të duhej të zhvillohej këtu në Kosovë”, u shpreh Zhbogar.

Përgjatë një viti, pala kosovare dhe ajo serbe janë pajtuar mbi bashkëpunimin rajonal, menaxhimin e integruar të kufirit, lirinë e lëvizjes, njohjen e diplomave universitare, auto-targat, kadastrën, vulat doganore, ndërsa kanë mbetur për t’u zgjidhur çështja e energjisë dhe telekomunikacionit.

Situata në veri të Kosovës kishte çuar në ndërprerjen e përkohshme të dialogut për shkak të insistimit të Serbisë që të shtrohet për diskutim çështja e veriut të vendit.

Kundërshtimit të deritashëm për ta trajtuar çështjen e veriut si temë të dialogut iu bashkëngjit dhe opozita kosovare me vlerësimin se Kosova nuk ka çfarë të diskutojë për çështjet e saja të brendshme me palën serbe.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, shpjegoi:

Unë i referohem Serbisë si shtet përballë Kosovës si shtet. Serbia si shtet nuk ka të drejtë të përzihet në pjesën veriore të Kosovës dhe nuk ka të drejtë të përzihet në organizimin e brendshëm territorial, funksional dhe administrativ të Kosovës”, vlerësoi ai.

Gashi tha e quajti të paarsyeshëm dhe të panevojshëm zhvillimin e dialogut duke thënë se, përgjatë një viti, është dobësuar pozita që ka Kosova në arenën ndërkombëtare.

Të pakënaqur me procesin e dialogut shprehen edhe vet serbët e pjesës veriore të vendit.

Marko Jakshiq, njëri nga politikanët serbë të asaj pjese, tha se dialogu u ka shërbyer vetëm interesave të palës kosovare, ndërsa vlerësoi se jeta e serbëve në Kosovë është përkeqësuar.

Në veri të Kosovës ne jetojmë edhe më keq. Para fillimit të dialogut kemi mundur të udhëtojmë lirshëm me dokumentet tona-ato të Republikës së Serbisë, por edhe me veturat tona deri ne Prishtinë, Merdarë, Bujanovc. Për fat të keq, tani pas këtij dialogu ne me këto dokumente dhe tabela të regjistrimit nuk mund të shkojmë larg veriut dhe siç duket, së shpejti nuk do të mund të shkojmë as në Serbi”, u shpreh ai.

Analistja nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, Verena Knaus, tha se, që nga fillimi ishte e ditur se dialogu ka karakter tërësisht politik dhe se do të përdorej nga palët për të ecur përpara në integrimin evropian.

Rezultati i raundit të fundit, ndërkaq, ia hapi rrugën Beogradit që të fitojë statusin e vendit kandidat, ndërsa Prishtina pret hartimin e një studimi të fizibilitetit për të nënshkruar më pas marrëveshjen për stabilizim-asociim me BE-në.

Por, Knaus theksoi rëndësinë edhe për zbatimin në terren të marrëveshjeve të arritura-me theks te çështjet që ndërlidhen me veriun e vendit.

Lidhur me këtë, mendoj se duhet të ketë më shumë zbatim. Nuk mendoj se ka ndryshuar shumë në kufirin ndërmjet Kosovës e Serbisë; ka ende shumë çështje që ndërlidhen me lirinë e lëvizjes dhe ka shumë çështje që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërmjet të dyja shteteve dhe mundësinë që qytetarët e tyre të komunikojnë në mënyrë normale. Andaj, duhet të ketë një monitorim të kujdesshëm të rezultateve”, u shpreh Knaus.

Një mekanizëm monitorues, i cili do të merrej me vlerësimin e zbatueshmërisë së marrëveshjeve në terren, nuk ekziston, por në BE kanë thënë se kjo çështje do të varet nga “vullneti” i palëve dhe se do të jetë “në të mirën e qytetarëve e të dyja vendeve”.