Në solidarizim me gratë e Lindjes së Mesme

Gratë në Irak...

" Amnesty International"

Njerëzit në botë duhet të tregojnë solidaritetin e tyre me gratë e guximshme, të cilat luajtën rol qenësor në kryengritjen në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore.

Para ditës Ndërkombëtare të Gruas më 8 mars, organizata iu ka bërë thirrje mbështetësve, që të shënojnë këtë ditë duke dërguar mesazhe në mbështetje të grave të këtij rajoni.

Mijëra aksione individuale pritet të ndërmerren, me fokus në katër shtete- Iran, Arabi Saudite, Siri dhe Jemen- ku gratë ishin në qendër të thirrjeve për reforma, por të drejtat e tyre vazhdojnë të kërcënohen edhe më tej.

Në Afrikën Veriroe, që përjetoi ngjarje historike në 2011, ndryshimet politike, duhet të përkthehen edhe në fitore reale për të drejtat e njeriut.

Përgjatë Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore, gratë kanë qenë forcë inspiruese për ndryshime, që u ngritën kundër regjimeve shtypëse për të mbrojtur të drejtat bazike të njeriut dhe për të promovuar reformat dhe barazinë”, tha Uidni Braun, drejtoreshë e së Drejtës Ndërkombëtare dhe e Politikave në Amnesty International.

Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Gruas, ne shfaqim solidaritet me këto gra të guximshme, i mbështesim në luftën e tyre për të drejtat e njeriut dhe për liri, dhe ju bëjmë me dije, se bota qëndron prapa tyre në këto momente historike”.


E burgosur në Iran në mbrojtje të të drejtave të grave


Gratë e Iranit kanë luajtur një rol kryesor në protestat masive pas zgjedhjeve të qershorit të vitit 2009, kur ngritën zërin për reforma në fushën e drejtave të njeriut, përfshirë edhe më shumë liri për gratë.

Por, gratë e këtij vendi vazhdojnë të paguajnë çmim të lartë për punën e tyre paqësore.

Nasrin Sotoudeh, e burgosur për parimet e saj, dhe avokate e të drejtave të njeriut, po vuan dënimin gjashtë vjeçar, i cili në gjykatën e Apelit është ulur nga 11 sa ishte dënuar fillimisht nën akuzat për “propagandë” dhe se i përket një organizate “ilegale”. Ajo i mohon të gjitha akuzat.

Një avokate e të drejtave të njeriut, që përfaqëson laureaten e Çmimit Nobel për Paqe, Shirin Ebadi, Sotoudeh, në mes tjerash, është ndaluar të praktikojë profesionin për 10 vjet.

Autoritetet në Teheran në burgun famëkeq të Evinit, vazhdimisht e kanë vendosur atë në qeli dhe ia kanë ndaluar vizitat e fëmijëve.

Amnesty International sërish iu kërkon autoriteteve iraniane që ta lirojnë Nasrin Sotoudehin menjëherë dhe pa asnjë kusht.


Nxitëset e ndryshimeve në Arabinë Saudite


Për shkak të sistemit të kontrolluar nga meshkujt gratë në Arabinë Saudite janë diskriminuar dhe iu është mohuar të kenë kontroll mbi jetën e tyre në çështjet sociale, personale e ekonomike.

Mbase, një nga kufizimet më të pazakonta, është ndalesa e vozitjes nga ana e grave të Arabisë Saudite, edhe po që se kanë patentë të vlefshme ndërkombëtare dhe ngasin makinën lirshëm kudo në botë.

Vitin e kaluar, aktivistet rilansuan një fushatë të quajtur “Women2Drive”, apo “Gratë të Ngasin” për të protestuar kundër ndalesës. Në fushatë u përdorën mediat sociale për t’iu kërkuar grave që kishin patenta ndërkombëtare, që pas 17 qershorit e tuje të ngisnin.

Dhjetëra gra morën pjesë në aksion, ndërsa disa u arrestuan dhe u detyruan që të nënshkruajnë zotimet se nuk do të ngisnin kurrë më. Të paktën, një grua u përpoq, dhe u dënua me 10 të rrahura pse kishte sfiduar ndalesën.

Edhe pse Mbreti Abdullah i Arabisë Saudite ka njoftuar se gratë do të kenë të drejtë për të votuar në zgjedhjet komunale të 2015-ës, ndasitë ende nuk janë hequr.

Amnesty International e sheh ndalesën si simbolikë e shumë zonave, ku gratë në mbretëri vazhdojnë t’i kenë tepër të kufizuara të drejtat e njeriut.

Organizata u kërkon njerëzve në botë që të shpërndajnë pamje dhe mesazhe për t’u solidarizuar me aktivistet e Arabisë Saudite, duke i mbështetur ato në “ngasjen drejt lirisë”.


Zonjës së Parë të Sirisë i kërkohet që të përdorë ndikimin e saj për të drejtat e njeriut


Që nga marsi i vitit 2011, qeveria e presidentit sirian Bashar al-Aasad ka kryer aksione brutale ndaj disidentëve duke lënë më shumë se 6 mijë njerëz të vdekur, përfshirë më shumë se 200 gra dhe vajza. Mijëra njerëz janë arrestuar duke iu ndaluar komunikimi për periudha të gjata në lokacione të panjohura, ku kanë ndodhur edhe tortura dhe keqtrajtim.

Disa mbrojtjes të të drejtave të njeriut- që kanë qenë në ballë të thirrjeve për reforma- janë detyruar të fshihen, dhe disa kanë ikur nga vendi.

Pas gjithë kësaj, gruaja e presidentit Asma al-Asad ka bërë shumë pak për të folur kundër brutalitetit të forcave qeveritare të Sirisë dhe është shfaqur në publik në mbështetje të burrit të saj.

Ky imazh bie në kundërshtim me ato të Zonjës së mëhershme të Sirisë, e shquar për veprimet humanitare, përfshirë këtu edhe të drejtat e grave.

Amnesty International u ka kërkuar njerëzve në botë që të marrin pjesë në një fushatë të shkrimit të letrave për t’i kërkuar Asma al-Asadit që ta përdorë ndikimin e saj për t’i dhënë fund dhunës së vazhdueshme dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut kundër aktivisteve për të drejtat e njeriut, që punojnë për të mbrojtur të ardhmen e të gjithë sirianëve.


Gratë jemene në ballë të ndryshimeve


Gratë kanë ndihmuar që të krijojnë një shoqëri civile aktive në Jemen, diçka që iu paraqit botës vitin e kaluar, kur gazetarja dhe aktivistja për të drejtat e njeriut Tauakol Karman ishte në mesin e tri grave që u shpërblyen me çmimin Nobel për Paqe.

Ato po ashtu kanë qenë në ballë të protestave që kërkonin ndryshime politike dhe të të drejtave të njeriut, që e detyruan presidentin e Jemenit Ali Abdullah Saleh të nënshkruante një marrëveshje për dorëzim të pushtetit në nëntor të 2011.
Por, edhe pse Jemeni po kalon në tranzicionin politik dhe social, diskriminim ndaj grave vazhdon të jetë i gjerë.

Gratë që kanë marrë pjesë në protestat në vitin e kaluar, janë ngacmuar, janë arrestuar dhe në disa raste janë rrahur për shkak të aktivitetit të tyre paqësor. Të tjerat janë kërcënuar nga të afërmit, të cilit kishin presion nga autoritetet, që t’i “mbajnë nën kontroll” anëtaret e tyre të familjes nga pjesëmarrja në aktivitetet për të drejtat e njeriut.

Në Jemen, diskriminimi kundër grave reflektohet në ligjin familjar, një praktikë tradicionale e autoritetit mashkullor, dhe mungesës së respektit për integritetin personal të grave, kur është në pyetje pengimi i dhunës familjare dhe dhënia e drejtësisë për viktimat.

Amnesty International ka nisur një fushatë në shkrimin e letrave duke u kërkuar autoriteteve transitore të Jemenit, që të konsultohen dhe të punojnë me aktivistet e të drejtave të njeriut për t’i dhënë fund ligjeve dhe praktikave diskriminuese kundër grave në vend.

Ne duhet të mbështesim gratë përgjatë Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, të cilat vazhdojnë të luftojnë për të drejtat e njeriut, dhe në mënyrë më specifike, të drejtat e tyre për të marrë pjesë në proceset politike në mënyrë të barabartë, në kohën kur po ndodhin ndryshimet në këtë rajon”, ka thënë Uidni Braun.(a.i.)