Nuk dihen profesionet më të kërkuara

Ilustrim

Institucionet kompetente në Kosovë ende nuk i kanë identifikuar profesionet që më së shumti i kërkon tregu i punës në vend, thonë përfaqësues të bizneseve dhe sindikalistëve. Mosidentifikimi i këtyre profesioneve, sipas tyre, ka bërë që Kosova të ketë një gjendje të tillë të papunësisë.

Përfaqësues të bizneseve dhe sindikalistë thonë se qytetarët e Kosovës, të cilët janë të papunë, nuk arrijnë të punësohen edhe për shkak se profesionet që ata kanë, nuk i kërkon tregu i punës.

Por, sipas sekretarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, profesionet, të cilat më së shumti i kërkon tregu i punës, e që Kosova ka mungesë të tyre, mendohet të jenë ai i salduesit, metal-punuesit dhe profesione tjera.

“Punëtorët në Kosovë, duke pasur parasysh strukturën demografike të popullsisë, konsiderohen si aset i rëndësishëm për shkak se në masën më të madhe janë të rinj. Dhe, në anën tjetër, duke qenë fuqi punëtore e re, normalisht është fuqi dinamike që mund t’i përcjellë trendët e ndërmarrjeve të fuqishme, qoftë të vendit, qoftë të atyre ndërkombëtare. Mirëpo, një pjesë e madhe e tyre, edhe pse kanë diploma të universitetit, nuk po arrijnë t’i plotësojnë nevojat e tregut të punës”, thotë Rukiqi.

Aktualisht, tregu i punës, thekson Rukiqi, nuk ka nevojë vetëm për njerëz me shkollim të lartë apo për tituj shkencorë, mirëpo ka nevojë edhe për njerëz që kanë aftësi operative apo teknike.

Nëse në Kosovë do të vijnë investitorë të huaj, të cilët do të investonin në aktivitete prodhuese, thotë Rukiqi, nuk do të mjaftojnë vetëm titujt shkencorë.

“Në këtë drejtim të profesionalizmit të kësaj fuqie punëtore, ka hapa që janë duke u bërë - po bëjmë edhe ne si OEK. Mirëpo, është shumë pak në krahasim me atë se çfarë kanë bërë vendet tjera, apo për nevojat që ka Kosova. Vendet e rajonit kanë bërë shumë në fushën e tekstilit, pastaj sektori për përpunimin e ushqimit, është sektori i metaleve ku ne kemi një traditë, por këta njerëz kanë nevojë që t’i marrin certifikatat që janë të pranuara ndërkombëtarisht”, shpjegon Rukiqi.

Një mungesë e profesionalistëve, sipas Rukiqit, është edhe në sektorin e teknologjisë informative. Në këtë sektor, sipas tij, ende ka numër të vogël në krahasim me nevojat.

Në anën tjetër, Alush Sejdiu, nga Konfederata e Sindikatave të Lira të Kosovës kritikon institucionet kompetente që nuk kanë marrë hapa të nevojshëm për identifikimin e profesioneve që mungojnë në Kosovë, apo që nuk ka të mjaftueshme.

“Sot nuk ka një strategji të përfshirjes së njerëzve që me një afat të shkurtër do t’i trajnonin. Nuk ka identifikim të profesioneve, që nevojiten për zhvillimin e ekonomisë në Kosovë. Identifikimi i profesioneve është më se i nevojshëm”, thekson Sejdiu.

Derisa kjo nuk është bërë, thotë Sejdiu, Kosova ka një shkallë të lartë të papunësisë, e që, sipas tij, ka tendenca të përkeqësimit.

Ndryshe, në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, mbi 25 mijë të papunë brenda një viti hyjnë në tregun e punës, ndërkaq mbi 250 mijë të papunë janë të regjistruar në zyrat e punësimit në mbarë Kosovën.

Këshilltari në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Behxhet Gaxhiqi, kohë më parë ka thënë për Radion Evropa e Lirë se për këta të papunë janë duke bërë përpjekje për trajnimin dhe aftësimin e tyre, në mënyrë që, siç është shprehur ai, në momentin kur tregu i punës i kërkon, këta të papunë të jenë të gatshëm të punojnë.