Economist: Migrimi ilegal

Fotografi ilustruese


“ Economist”


Duhen vetëm disa minuta për të kaluar Lumin Evros, tani pika kryesore e hyrjes së emigrantëve të paligjshëm nga Azia në Evropë, por një gjë e tillë mund të jetë edhe e frikshme.

Në anën turke, trafikuesit e njerëzve mund të jenë të armatosur. Në dimër, lumi rrjedh shpejt dhe është shumë i ftohtë. Grupet që paguajnë 300 euro për kokë “paketohen” në gomone brenda natës. Disa prej tyre edhe panikosen sepse nuk dinë not.

Do të ishte një lehtësim të gjendeshin fytyra miqësore në anën greke. Shumë nga emigrantët arrestohen për kohë të shkurtër apo edhe u dorëzohen autoriteteve policore.

Në shumicën e rasteve, atyre u jepen dokumente që u lejojnë qëndrim prej 30 ditësh. Ata që kalojnë pranë Aleksandropolisit, shkojnë në stacionin hekurudhor, ku mund të vizitojnë kafiterinë Paris dhe të takojnë një maroken të ri, i cili merret me transportimin e tyre tutje.

Çmimi për t’u kontrabanduar nga Athina në Francë në kamionë të fshehtë është 4,000 euro. Të shfrytëzosh aeroplanin “është shumë e vështirë”. Një opsion gjithnjë e më popullor është përmes Ballkanit Perëndimor.

Çmimi nga Aleksandropolisi në Austri, përgjatë rrugës së menaxhuar nga grekët, shqiptarët, serbët dhe marokenët, është 2,800 euro.

Shumë nga emigrantët e paligjshëm kalojnë përmes lumit Evros. Në vitin 2009, policia ka regjistruar 8,800 emigrantë këtu, më 2010, 47,000 dhe më 2011, 55,000. Në janar të këtij viti, shifrat flasin për 2,800 emigrantë. Numri më i madh i tyre janë pakistanezë.

Pasohen nga emigrantë të Afganistanit, Bangladeshit dhe Algjerisë. Sipas disa llogaritjeve, Greqia ka gjysmë milioni emigrantë të paligjshëm. Kriza e euros ua bën të vështirë të gjejnë punë.

Emigrantët ilegalë janë si uji; kur një kanal bllokohet, ata gjejnë tjetrin, thotë hulumtuesja Despina Syrri. Në të kaluarën, shumë nga ta që nuk kanë dashur të qëndrojnë në Greqi për kohë të gjatë, kanë mundur të gjejnë punë të paktën përkohësisht.

Disa kanë siguruar pasaporta false me viza për vendet e zonës Shengen. Por, këto opsione po bëhen gjithnjë e më të vështira. Kjo është edhe arsyeja përse mijëra emigrantë kalojnë përmes Maqedonisë dhe Serbisë drejt Hungarisë. Një numër i vogël i tyre vazhdon përmes Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Kroacisë.

Është e vështirë të përcaktohet rruga e tyre. Policët polakë, gjermanë dhe të tjerë nga Agjencia Kufitare e Bashkimit Evropian, Frontex, të armatosur me teknologjinë e fundit, dalin përtej kufirit për të ndihmuar kolegët e tyre grekë me kolonat e emigrantëve. Policia greke njofton turqit. Por, në anën turke është e ngarkuar ushtria, jo policia, dhe shpesh arrin me vonesë.

Kufiri është rreth 206 kilometra i gjatë. Pothuajse i tëri është lum, përveç një pjese tokë, në shtrirje prej 12.5 kilometrash. Në vitin 2010, të paktën 26,000 emigrantë kanë kaluar përmes tij, por vitin e kaluar ky numër ka rënë në 900.

Në fillim të muajit të kaluar, grekët kanë nisur ndërtimin e gardhit, për të penguar kalimin e njerëzve. Arsye e numrit më të vogël të emigrantëve, sipas shefit të policisë lokale, Jorgos Salanangas, janë paralajmërimet e efektshme të Frontex-it.

Në Stamboll, aktivisti për të drejtat e civilëve, Murat Çelikan, thotë se Turqia, e stërmbushur me emigrantë nga Afganistani, Irani, Pakistani dhe tani Siria, do që të shpëtojë nga ta. Marrë parasysh marrëdhëniet e tyre me BE-në, turqit e shohin këtë si një këst në bisedimet me Brukselin.

Në vendin e quajtur Banja Kovilaca, në kufirin e Serbisë me Bosnjën, Anoshi, një afgan i ri, ka përfunduar në qendrën e Serbisë për azil-kërkues.

Në vitin 2008, 51 njerëz kanë aplikuar për azil në Serbi. Vitin e kaluar, numri i tyre ishte 3,134. Shifrat e vërteta të personave që hyjnë në Serbi, duhet të jenë edhe më të mëdha.

Anoshi ka kaluar Evrosin vitin e kaluar dhe ka blerë pasaportën e falsifikuar rumune në Athinë, vetëm për 400 euro.

Ai kishte hipur në traget në Itali, por ishte kthyer nga pala italiane kur policët angazhuan përkthyesin rumun për ta marrë në pyetje.

I kthyer prapa në Greqi, ai dhe një grup afganësh i paguan nga 500 euro një personi për t’i ndihmuar ata në rrugë drejt Maqedonisë.

Atje kanë qëndruar dy ditë në një shtëpi të sigurt dhe më pas janë shpërndarë nëpër kodrat e Serbisë.

Radosh Gjuroviq, i cili udhëheq Qendrën për Mbrojtjen e Azil-kërkuesve në Serbi, thotë se disa nga ta duan të qëndrojnë në shtetin serb.

Kjo, sepse ai u jep atyre shansin për të pushuar, për të marrë trajtimin mjekësor dhe të lëvizin ligjërisht derisa të largohen apo të vendosin se ku do të shkojnë.

Çfarë është më e rëndësishmja, ata marrin një kartë identiteti që u mundëson të sigurojnë para përmes agjencive të transferimit.

Në Kosovë, jashtë rrugës kryesore, burimet e policisë thonë se kalojnë rreth 1,000 emigrantë çdo vit.

Disa thonë se, kur ata kapen në Maqedoni ose Serbi, policët i dërgojnë në kufi dhe u thonë të lëvizin përmes Zvicrës, Hungarisë apo “vendit mysliman”.

Shumica e emigrantëve synojnë të shkojnë në Hungari, pasi nga aty mund të kalojnë lehtë në Austri, falë zonës Shengen që nuk ka kontrolle kufitare. “Pra, përderisa të kesh para, ti mund të shkosh kudo”, thotë Gjuroviq.(v.t.)