Me apo pa fusnotë në BERZH?

Hyrja e ndërtesës së BERZH-it.


Ende nuk dihet saktë se në çfarë forme do ta nënshkruajë Kosova anëtarësimin e saj në mekanizmat financiarë ndërkombëtarë, siç është Banka Evropianë për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) apo Organizata Botërore e Tregtisë.

Marrëveshja për bashkëpunim rajonal ndërmjet Kosovës e Serbisë - e arritur në raundin e fundit të dialogut ndërmjet palëve, ka ngritur dilema të mëdha rreth asaj se si do ta nënshkruajë Kosova këtë anëtarësim.

Mirëpo, ekspertët e çështjeve ekonomike dhe zyrtarët e institucioneve të Kosovës japin vlerësime të kundërta

Ekspertët shprehin bindjen se në dokumentet e nënshkruara ndërmjet Kosovës dhe mekanizmave ndërkombëtarë financiarë, Kosova do të figurojë pa termin “Republikë” dhe me një fusnotë që përmban rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe mendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë-ashtu siç u pajtuan së fundi palët në Bruksel.

Për shkak të vendeve anëtare nëpër këto organizata që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, zgjidhja do të jetë me fusnotë”, thekson drejtori i Institutit “Riinveset”, Lumir Abdixhiku.

Ndërkaq, këshilltari në Ministrinë e Financave, Mendres Ibra, thotë për Radion Evropa e Lirë se anëtarësimi i Kosovës në Bankën Evropianë për Rindërtim dhe Zhvillim do të bëhet si Republikë e Kosovës.

Sa i përket çështjes së formës se si do të jetë, synimi i qeverisë është që të jetë njëjtë si kemi aplikuar për të qenë anëtare e FMN-së dhe BB-së. Çështja e fusnotës dhe bisedimet që janë bërë kohëve të fundit, kanë folur për nismat rajonale dhe janë organizata rajonale që i përkasin ministrive tjera. BERZH-i nuk është një organizatë e tillë rajonale, por është një organizëm shumë më i gjerë”, thekson Ibra.

Sidoqoftë, marrëveshja e fundit e arritur në Bruksel mes palës kosovare dhe asaj serbe, sipas Abdixhikut nuk do të pengojë anëtarësimin e Kosovës në këto organizata ndërkombëtare financiare.

Ai thotë se, parimisht, anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare nuk varet nga dialogu, por nga kriteret e parapërcaktuara dhe relacioneve bilaterale me këto organizata.

Përveç anëtarësimit, Kosova do të ketë mjaft sfida drejt përmbushjes së kritereve të përfitimeve të fondeve. Në një rast më optimal, Kosova do të përfitonte më së shumti nga BERZH-i fondet e së cilës do të ishin të domosdoshme për investime kapitale që i ka Kosova”, thekson Abdixhiku.

Vet në BERZH thonë se, pas aplikimit të Kosovës në këtë mekanizëm, do të vlerësohen hapat e mëtejmë për t’i ndërmarrë vendimet përkatëse.

Përmes një deklarate me shkrim që i dërgoi Radios Evropa e Lirë, Svitlana Pyrkalo, nga zyra për informim në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim thotë se Kosova nuk ka aplikuar për anëtarësim në BERZH, dhe sipas saj, kur të jetë bërë ky aplikim, anëtarët e BERZH-it (63 shtete dhe dy organizata ndërkombëtare) do të vendosin për veprimet e mëtejme.

Autoritetet kosovare kishin deklaruar më parë, se anëtarësimi i Kosovës në BERZH do të bëhej në muajt e parë të vitit 2011, ndërsa të mërkurën ata shprehën bindjen se gjatë këtij muaji Kosova do të aplikojë BERZH si Republikë e Kosovës, dhe se do t’i respektojë procedurat e rregullta për anëtarësim.

Përmbushja e kritereve të nevojshme ishte parakusht edhe për anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botëror, anëtar i së cilave ,vendi u bë në vitin 2009.