Zgjedhjet në Iran: Lamtumirë Ahmadinexhad?

Your browser doesn’t support HTML5

Mbahen zgjedhjet parlamentare në Iran



Zgjedhjet parlamentare në Iran, që janë të parat pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale në vitin 2009, mund ta konsolidojnë më tutje pushtetin e liderit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Hamnei.

Për këtë arsye, këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për presidentin Mahmud Ahmadinexhad, dhe grupin e tij, që është nën presion në rritje nga forcat lojale ndaj Hamneit.

Kundërshtarët e presidentit Mahmud Ahmadinexhad, nuk arritën t’i realizojnë dëshirat e tyre kur dolën në rrugë për t’i kontestuar rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të Iranit në vitin 2009.

“Ahmadi, lamtumirë”, brohoriste turma e demonstruesve në rrugët e Teheranit, në atë kohë, por Mahmud Ahmadinexhadi i hodhi poshtë kërkesat e protestuesve për largimin e tij dhe mbeti president.

Por, tash, tre vjet më vonë, zgjedhjet për 290 vende në Parlamentin e Iranit, mund ta dobësojnë pozitën e tij.

Mahmud Ahmadinexhad duke votuar...

​Votimet nuk mund ta largojnë Ahmadinexhadin nga pozita, por nuk ka dilema se udhëheqja konservatore do të jetë mbizotëruese dhe rrjedhimisht do të dobësohet pozita e presidentit aktual, pasi kohëve të fundit ka pasur fërkime ndërmjet tij dhe mbështetësve të liderit suprem, Ajatollah Ali Hamnei.

Ahmadinexhadi u turpërua publikisht kur në muajin prill të vitit të kaluar, Hamnei e mbrojti ministrin e Inteligjencës së Iranit, Hejdar Moslehi, pas përpjekjes së Ahmadinexhadit që ta shkarkojë.

Tash, vëzhguesit besojnë se lojalistët e liderit suprem janë të përkushtuar për ta heshtur grupin e Ahmadinexhadit në sallat e Parlamentit.

Ish-lideri studentor në Iran, Ali Afshari, me seli në Uashington, nuk beson se mbështetësit e Ahmadinexhadit do të kalojnë mirë në zgjedhjet parlamentare.

“Pavarësisht parashikimeve dhe pritjeve të mëparshme, aleatët e Ahmadinexhadit kanë vepruar shumë më butë, që mund të sinjalizoj se grupi i tij, në një mënyrë ka pësuar disfatë para se të votohet”, tha Ali Afshari.

Meqë në Iran nuk ka parti politike, përcaktimi se kah shkojnë lojalitetet parlamentare, është punë e vështirë.

Por, janë një numër i sinjaleve që e mbështesin idenë se kampi i Ahmadinexhadit nuk është në pozitë avancuese.

Lista e mbështetësve të presidentit, e publikuar para disa ditësh, nuk përfshin shumë emra të njohur.

Madje, analisti dhe gazetari, Reza Alixhani, me seli në Paris, thotë se edhe nëse disa prej tyre ia dalin të fitojnë ulëse në Parlamentin e ri, nuk është e sigurt se presidenti Ahmadinexhad mund të mbështetet në ta.

Ky analist e lë të hapur mundësinë se disa prej tyre mund të kthehen kundër presidentit, siç kanë vepruar disa lojalistë të tij, në të kaluarën.

“Ata ballafaqohen me dy probleme: njëri është se ata nuk kanë numër të mjaftueshëm të njerëzve, pavarësisht burimeve të tyre financiare dhe politike; tjetri është se ata dëshirojnë ta përdorin forcën e sigurisë dhe të aparatit ushtarak. Këta njerëz, edhe nëse ia dalin të hyjnë në Parlament, nuk është e sigurt se ata do t’i mbesin lojalë Ahmadinexhadit, me përjashtim të një numri të vogël. Kompasi i tyre do të kthehet kah burimi i fuqisë në Iran: kah Hamnei dhe zyra e tij”, thotë analisti Alixhani.

Analisti tjetër, Aliriza Nader, nga Rand Corporation, thekson se edhe nëse lojalistët e Ahmadinexhadit hyjnë në Parlament, ndikimi i tij do të jetë i kufizuar.

“Njëri nga gabimet e Ahmadinexhadit ishte vlerësimi se ai kishte bazë të natyrshme të forcës në Iran. Ai është populist, por Ahmadinexhadi është bërë president, realisht për shkak të mbështetjes së Hamneit dhe mbështetjes së Gardës Revolucionare të Iranit. Por, pa mbështetjen e tyre ai nuk mund të llogarisë shumë në mbështetjen popullore. Mendoj se ndikimi i tij është i kufizuar edhe nëse aleatët e tij hyjnë në Parlament”, thekson analisti Aliriza Nader.

Prandaj, këto zgjedhje janë tejet të rëndësishme për presidentin Ahmadinexhad, veçanërisht duke pasur parasysh se në të kaluarën, lideri suprem, Ali Hamnei, ka sinjalizuar se Irani mund të lëvizë kah lirimi nga roli i presidentit. (f. b.)