Kompromiset e fusnotës

Qeveria e Kosovës

Vendosja e fusnotës me Rezolutën 12 44 poshtë emrit të Kosovës në kuadër të përfaqësimit të saj në nismat rajonale, paraqet një mundësi për marrëveshje mbi bazën e balancave politike e juridike, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se askush në Qeveri nuk i ka duartrokitur kësaj marrëveshjeje, por, sipas tij, Kosova ka respektuar edhe mendimet e miqve të saj nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Ai thotë se me shpalljen e pavarësisë, Rezoluta 12 44 e Këshillit të Sigurimit ishte inekzistente për institucionet e Kosovës, por në aspektin ndërkombëtar ajo mbetet ende valide.

Hajredin Kuçi

“Kjo është zgjidhje e balancuar dhe kjo nënkupton se është zgjidhje e kompromisit. Unë jam i bindur që proceset e ardhshme do ta dëshmojnë se do të jetë zgjidhje e balancuar dhe e mbështetur nga partnerët ndërkombëtar, me të cilët varet edhe qëndrueshmëria e shtetit të Kosovës, siç janë varur edhe pavarësia dhe liria e Kosovës. Kemi menduar se nëse kemi pasur dhe kemi shumë të mira nga partnerët ndërkombëtarë duhet që në momente të caktuara edhe t’i dëgjojmë ata. Por, gjithsesi duhet të them që nuk e kemi duartrokitur një zgjidhje të tillë”, thotë Kuçi.

Zëvendëskryeministri Kuçi thekson se i kupton edhe kundërshtimet që po rriten në Prishtinë në lidhje me marrëveshjen eventuale që mund të arrihet në kuadër të bisedimeve Prishtinë - Beograd për fusnotën, por ai thotë se pret që çdo reagim eventual të jetë në harmoni me ligjin dhe demokracinë.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje nuk heq dorë nga kundërshtimi i përdorimit të fusnotës. Dardan Molliqaj nga ky subjekt politik, thotë se kundërshtimet do të shkojnë përmes thirrjes së një seance në Kuvendin e Kosovës dhe organizimit të një demonstratë gjithë-popullore në Prishtinë. Ai thotë së Lëvizja Vetëvendosje e konsideron përdorimin e fusnotës të dëmshme dhe kthim prapa, andaj edhe pret që në Kuvend të marrë mbështetje edhe nga deputetë të pakënaqur nga radhët e partive në pushtet.

“Jemi duke diskutuar për një seancë të jashtëzakonshme, mundësisht nesër (të enjten më 23 shkurt), e cila do të dilte me një rezolutë, që do ta bënte të papranueshme çështjen e fusnotës. Mendojmë që një seancë e jashtëzakonshme, por edhe një demonstratë gjithë-popullore në Prishtinë do ta ndihmonin shumë çështjen për ta parandaluar një gjë, të cilën tashmë po duket se Qeveria e Kosovës ka vendosur ta bëjë”, shprehet Molliqaj.

Molliqaj potencon se edhe këtë herë përdorimi i fusnotës ku shënohet edhe Rezoluta 12 44, nënkupton pajtimin për heqjen e shtetësisë së Kosovës. Ai, po ashtu, thotë se kryeministri Hashim Thaçi është duke përgatitur terrenin edhe për ofrimin e një statusi special për pjesën veriore. Kështu që, sipas Molliqajt, jo vetëm opozita ,por edhe subjektet tjera kanë arsye që të kundërshtojnë politika të tilla të kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës.

Sidoqoftë, dy partitë tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk janë deklaruar përfundimisht nëse do ta mbështesin apo jo nismën e Vetëvendosjes për seancë të jashtëzakonshme.

Zyrtarë nga këto dy subjekte politike thonë se ngritja e mocioneve dhe rezolutave në disa raste opozitës i është kthyer si bumerang për shkak se partitë e koalicionit kanë shumicën në Kuvend dhe shpesh nisma të tilla i kanë adoptuar më pas, sipas nevojave dhe kërkesave të Qeverisë.