Përfitimet nga FMN-ja dhe BB-ja

Ilustrim

Në maj të vitit 2009, Kosova ishte bërë anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar, ndërsa në qershor të po këtij viti, pra më 2009, Republika e Kosovës u pranua edhe në Bankën Botërore. Afër tre vjet pas, ekspertë të çështjeve ekonomikë në Kosovë hedhin një varg kritikash në drejtim të Qeverisë së Kosovës.

Eksperti i çështjeve ekonomike, njëherë ish-ministër i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, thotë për Radion Evropa e Lirë se anëtarësimi në këto dy institucione nuk ka sjell përftime të pritura dhe kjo, siç thotë Shatri, pjesërisht me fajin e institucioneve të vendit. Sipas Shatrit, Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar me seriozitet.

“Absolutisht mendoj që institucionet nuk kanë vepruar, nuk kanë punuar në drejtim të asaj që ta eksplorojnë këtë anëtarësim. E vetmja gjë që është shfrytëzuar dhe që nuk ka qenë shumë pozitive për Kosovën kanë qenë disa rekomandime dhe qëndrime të këtyre institucioneve, por që Qeveria e Kosovës nuk i ka respektuar në tërësi dhe si pasojë, ka humbur shansin për t’i shfrytëzuar përparësitë saj nga anëtarësimi në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore”, thotë Shatri për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Shatrit, këto dy institucione financiare ndërkombëtare i kanë edhe interesat e veta. Ai thekson se derisa Kosova nuk ka strategji zhvillimore, këta dy mekanizma financiarë, mund t’i imponojnë gjërat.

Shatri si fakt e përmend projektin “Kosova e re”, proces të cilin, sipas tij, Banka Botërore në vazhdimësi e ka monitoruar dhe ka dhënë rekomandime, por njëkohësisht e ka shtyrë fillimin e ndërtimin të këtij termocentrali. Tani, pas katër vjetësh, siç thotë Shatri, dalin me një vlerësim që është i pranueshëm për BB-në ndërtimi i termocentralit “Kosova e re”.

Gjithë ky prolongim, sqaron Shatri, Kosovës i ka kushtuar 500 milionë euro humbje në vit.

Sidoqoftë, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se anëtarësimi në FMN dhe Bankën Botërore i ndihmoi shumë Kosovës. Menderes Ibra, këshilltar në Ministrinë e Financave jep më shumë hollësi:

“Duke qenë anëtarë në këto dy institucione, është rritur kredibiliteti i vendit, qoftë në raport me këto organizata, po ashtu edhe me organizata të tjera. Kurse rëndësia e dytë e të qenët anëtare ka të bëjë edhe me përftime direkte që Kosova i ka pasur qoftë nga BB-ja, qoftë nga FMN-ja përmes qasjes në kredi dhe programe të ndryshme të këtyre organizatave”.

Ai thekson se në momentin e anëtarësimit në Bankën Botërore ka filluar edhe programi i kredive të buta, kredi shumë të volitshme afatgjate, të cilat, siç thekson Ibra, janë realizuar.

Ndërkaq, sa i përket pritjeve që Kosova mund t’i ketë në të ardhmen, Menderes Ibra thekon se Kosova pritet që të realizojë një kredi prej 92 milionë eurosh.

“Në këtë vit, pas rishikimit përfundimtar të marrëveshjes së monitoruar nga stafi i FMN-së, do të hapen dyert drejt marrëveshjes stand-by, përmes së cilës do ta realizojmë një kredi prej 92 milionë eurosh”, shpjegon Ibra.

Marrëveshja 18 mujore “Stand Bye Arrangement” mes FMN-së dhe Qeverisë së Kosovës, ishte miratuar nga bordi i FMN-së në korrik të vitit 2010, por ishte prishur një vit më vonë për shkak të devijimit të Qeverisë nga programi, respektivisht rritjes së pagave në sektorin publik, pa pëlqimin e këtij misioni.

Por, lidhur me atë se si duhet vepruar tani institucionet e Kosovës, ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri thotë se institucionet e Kosovës duhet të kenë koncept të qartë zhvillimor dhe të dinë se çka dëshirojnë.

“Në këtë vakum të strategjisë institucionet financiare ndërkombëtare, siç janë FMN-ja dhe BB-ja, e shfrytëzojnë për interesa të veta dhe nuk i mundësojnë që kjo të përfitojë nga anëtarësimi, por thjesht të marrë sanksione, të marrë vërejtje dhe është vazhdimisht nën presion”, thekson Shatri.

Ndryshe, anëtarësimi i Kosovës në këta dy mekanizma financiarë ndërkombëtarë, përveç tjerash ishte parë si mundësi e mirë për ta rritur besimin e investitorëve dhe të komunitetit ndërkombëtar, që Kosova është një vend i mirë për të investuar.