Propozimi i kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi që Kosova në nismat rajonale të përfaqësohet me fusnotën ku shënohet edhe Rezolutë 12 44, sipas deputetit të LDK-së dhe ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës, Skender Hyseni ka befasuar të gjithë, madje edhe vet presidentin e Serbisë, Boris Tadiq.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hyseni thotë se kthimi në Rezolutën 12 44 paraqet kthim në çështjen e pazgjidhur të statusit të Kosovës, çka sipas tij, mund të ketë pasoja për Kosovën dhe gjithë rajonin.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hyseni, i dëgjuam partitë opozitare, përfshi edhe LDK-në që ta kundërshtojnë
pajtimin në parim të kryeministrit Thaçi në lidhje me fusnotën. Cilat janë arsyet kryesore për një qëndrim të tillë?
SKENDER HYSENI
Arsyet janë të shumta. Pikat të cilat absolutisht me të drejtë kundërshtohen janë të shumta, për mos thënë të gjitha pa përjashtim. Rezoluta 12 44 ka sanksionuar një gjendje shumë specifike në një kontekst tej mase specifik. Dhe, ajo rezolutë në kohën e aprovimit njihte integritetin territorial të Republikës Federale ët Jugosllavisë, mirëpo në të njëjtën kohë ia merrte të drejtën Jugosllavisë që të qeveriste me Kosovën.
Po kjo Rezolutë në një nga pasuset e fundit e njihte nevojën e një procesi politik për të zgjidhur statusin politik të Kosovës. Në pajtim me këtë klauzolë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së pati emëruar atëherë Marti Ahtisarin në krye të një delegacioni të OKB-së i cili do t’i ndërmjetësonte negociatat midis Kosovës dhe Serbisë për statusin përfundimtar të Kosovës. Ne e dimë të gjithë që pas dorëzimit të Propozimit Gjithëpërfshirës (Pakos së Ahtisarit) Kosova në mënyrë shumë të koordinuar me partnerët kyç ndërkombëtar pati shpallur pavarësinë e saj.
Me këtë akt, Kosova ka dalë jashtë protektoratit ndërkombëtar dhe është shpallë, është vendosur që të jetë shtet i pavarur e sovran gjithnjë në pajtim me Propozimin Gjithëpërfshirës, si shtet i pavarur e sovran nën mbikëqyrjen ndërkombëtare për një periudhë të caktuar. Dhe, gjëja e fundit që do të duhej pritur pas vendimit të Grupit Drejtues Ndërkombëtar i cili mbikëqyrte pavarësinë e Kosovës për ta përmbyllur këtë mbikëqyrje diku nga fundi i këtij viti, dhe gjëja e fundit po them që duhej pritur ishte që vet institucionet e Republikës së Kosovës me vullnetin e tyre të rikthehen dhe përqafojnë Rezolutën 12 44 si model identifikimi në takimet ndërkombëtare çfarëdo qofshin ato.
Është absolutisht e papranueshme, absolutisht e dëmshme dhe nuk ka fije dyshimi që në afatgjatë kjo mënyrë e përfaqësimit të Kosovës dërgon mesazhe tepër kundër produktive dhe të dëmshme për Republikën e Kosovës. Unë ju siguroj që një gjenerozitet, një zemërgjerësi të tillë nuk do ta ketë pritur as Tadiqi e edhe më pak miqtë e Kosovës në Parlamentin Evropian dhe institucionet e Bashkimit Evropian.
RADIO EVROPA E LIRË
Nëse i referohemi një deklarate të zotit Thaçi, ai thotë se ata që e kundërshtojnë këtë zgjidhje me fusnotë, janë anti-amerikanë dhe anti-evropianë. Pajtoheni ju me këtë?
SKENDER HYSENI
Çështja nuk shtrohet në stilin e kategorizimeve anti-amerikanë, anti-evropianë e tjera, sepse me të njëjtin rezon do të mund të shtrohej pastaj çështja sa jeni ju kosovarë apo anti-kosovarë. Populli i Kosovës e ka dëshmuar me të gjitha fuqitë dhe dijen e tij se është popull që absolutisht bën pjesë në kulturën perëndimore edhe gjeografikisht edhe politikisht edhe në çdo pikëpamje tjetër është popull shumë pro-evropian dhe është popull edhe më pro-amerikan.
Unë nuk besoj që pro-amerikanizmi apo pro-evropianizmi ka nevojë për avokat në Kosovë sepse nuk ka nevojë për këtë. Nuk ka arsye. Shqetësimi i LDK-së është absolutisht i mbështetur, sepse 12 44-shi apo çfarëdo lloj fusnote, Kosovës ia vështirëson jetën në masë të madhe në dekadat e ardhshme. Po flasim për dekadat e ardhshme. Problemet nuk zgjidhen duke bërë koncesione të dëmshme, të njëanshme, për njërën palë. Dhe, ky koncesion është absolutisht i papranueshëm, absolutisht është shumë i dëmshëm për Republikën e Kosovës dhe pasojat Kosova do t’i vuajë në dekadat e ardhshme, dhe për këtë shembulli më i mirë është Republika e Maqedonisë.
RADIO EVROPA E LIRË
Ku qëndrojnë atëherë këto pasoja kryesore të kësaj marrëveshjeje eventuale që mund të pritet?
SKENDER HYSENI
Pasojat janë të shumta dhe sërish po e them që ky është vetëm një fillim i degradimit gradual të shtetësisë së Kosovës. Nëse ky variant i propozuar i Qeverisë së Kosovës pranohet në Bruksel, ne tash paradoksalisht na mbetet të shpresojmë se nuk do të pranohet, por nëse pranohet ky do të jetë fillim i degradimit të shtetësisë së Kosovës. Unë nuk e di se si do ta përjetojnë të gjitha ato vende që e kanë njohur Kosovën me emrin e saj kushtetues dhe e kanë njohur Kushtetutën e Republikës së Kosovës duke e njohur Kosovën.
Kosova do ta ketë vështirë dhe unë e them sinqerisht se do të ndihem shumë keq kur të takohem me shumë miq të Kosovës në Parlamentin Evropian, në botë, në Amerikë, të cilët janë angazhuar fuqishëm që referenca e 12 44-shit të mos lejohet. Kanë bërë luftë me deputetët sllovakë, spanjollë, grekë rreth kësaj, dhe tash jemi ne vet që u themi atyre ju e keni pasur gabim. Me këtë ne e kemi legjitimuar politikën e pesë vendeve të BE-së që nuk e njohin Kosovën dhe e kemi refuzuar politikën e 22 vendeve të Bashkimit Evropian që e njohin Kosovën.
RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë zoti Hyseni, nga Brukseli kanë ardhur disa përgëzime për këtë gatishmëri të Qeverisë së Kosovës dhe pritet që atje të vazhdojnë bisedimet Prishtinë – Beograd. Është krijuar një lloj konfuzioni, por sidoqoftë si e shihni ju tash rrjedhën e bisedimeve marrë parasysh kundërshtimet në rritje në Kosovë në raport me këtë dialog?
SKENDER HYSENI
Në rend të parë bisedimet duhet të vazhdojnë dhe nuk ka asgjë të keqe në dialogun që zhvillohet me Beogradin. E keqja qëndron në inkompetencën, në pazotësinë e delegacionit të Kosovës në këtë dialog. Nuk qëndron e keqja në vet dialogun si të tillë. Mirëpo në dialog ju duhet të futeni si të barabartë. Dialogu do të duhej të synonte ta zvogëlonte atë hendek shumë të madh midis dyja vendeve, të normalizojë të paktën komunikimin midis vendeve dhe jo ta thellojë problemin duke iu kthyer Rezolutës 12 44 që në thelb është akt i rihapjes së çështjes së statusit të Kosovës.
Kjo nuk guxon të ndodhë, sepse rihapja e statusit të Kosovës mund të ketë pasoja të paparashikueshme për Kosovën gjithsesi, por unë kam frikë shumë të madhe edhe për krejt rajonin. Nuk e ka për obligim askush në Bruksel që të përqendrohet me seriozitetin që e kanë për obligim institucionet e Kosovës për interesat e saj.
Nëse ju me vullnetin tuaj bëni lëshime pse duhet të bëhet avokat i Kosovës dikush në Bruksel. Ka shumë avokat të Kosovës në Bruksel që e kanë mbrojtur Kosovën nga të këqijat që këtij vendi ia ka shkaktuar Republika e Serbisë në të kaluarën, por unë ju siguroj që asnjëherë Kosova nuk do të gjejë avokat në Bruksel që do ta mbrojë atë nga vetvetja.