Situata socio-ekonomike, e rëndë

Ilustrim

Kosova, edhe pas katër vjetësh shtet i pavarur vazhdon të mbetet vendi më i varfër në Evropë. Brenda kësaj periudhe, gjendja socio-ekonomike e kosovarëve nuk ka ndryshuar shumë.

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës thonë se brenda katër vjetësh kanë arritur ta kompletojnë infrastrukturën ligjore në fushën sociale.

Gjatë kësaj periudhe janë miratuar ligjet bazike, siç është Ligji i punës, Ligji mbi organizimin sindikal, Ligji mbi Këshillin ekonomik social dhe Ligji mbi grevat, por që nuk është bërë shumë për zbutjen e shkallës së papunësisë.

Të dhënat e fundit zyrtare për varfërinë në Kosovë janë të vitit 2009. Në këtë vit, thuhet se pak më shumë se një e treta e popullsisë, apo 35 për qind jetonin nën vijën e varfërisë absolute me 1.55 euro në ditë, ndërsa 12 për qind jetonin nën vijën e varfërisë së skajshme me 1.02 euro.

Ndërkaq, Kosova, sipas hulumtimeve të bëra, ka rezultatin më të dobët të punësimit në Evropë. Norma e papunësisë ka arritur në 48 për qind dhe norma e të punësuarve është jashtëzakonisht e ulët, rreth 26 për qind.

Zyrtarë të Qeverisë pohojnë se më gjithë vështirësitë, në fushën sociale pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka shënuar edhe rezultate.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Behxhet Gaxhiqi, thotë se gjendja ekonomiko-sociale gjatë periudhës katërvjeçare ka shënuar përmirësime. Sipas tij, gjatë kësaj kohe është bërë punësimi i shumë të papunëve dhe kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen, pasi që siç, thotë Gaxhiqi, ka shumë projekte të punësimit, të cilat janë duke vazhduar.

“Për katër vjet mund t’ju them me përgjegjësi të plotë, se është bërë përmirësim shumë i madh. Mbetet për të bërë shumë. Ne nuk do të ndalemi. Projektet tona kërkojnë vazhdimësi. Ne kemi pasur vizita jashtë vendit, të cilat kanë të bëjnë me ulje të papunësisë”, thekson Gaxhiqi.

Përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Kosovës, ndërkaq, thonë se shkalla e papunësisë në Kosovë mund të jetë më e lartë se 48 për qind.

Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifaj, thotë se gjatë këtyre katër vjetëve Kosova është ballafaquar me shkallë të lartë të papunësisë. Ai thekson se autoritetet kosovare kanë mundur të bëjnë shumë më shumë për përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe sociale të qytetarëve.
Punëtoria kosovare është ballafaquar me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale.

“Për punëtorët e Kosovës gjatë këtyre katër vjetëve Qeveria e Kosovës ka bërë shumë pak për të hapur vende të reja të punës. Punëtoria kosovare është ballafaquar me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale. Privatizimi ka bërë që shumë punëtorë të mbesin pa punë dhe njëkohësisht në tregun e punës, gjatë kësaj kohe, kanë hyrë të rinj, që kanë kryer shkollimin, por që nuk kanë arritur të punësohen”, thotë Arifaj.

Sipas Arifajt, gjatë katër vjetëve të pavarësisë është shënuar avancim në fushën e politikave sociale, por sfidë kryesore mbetet papunësia e madhe dhe varfëria.

Në anën tjetër, edhe njohës të çështjeve ekonomike thonë se gjatë këtyre katër vjetëve është punuar në drejtim të përmirësimit të gjendjes ekonomike dhe sociale, por problemi është se Kosova pas luftës ka trashëguar një ekonomi të dëmtar dhe është e pamundur që për një periudhë të shkurtë kohore të rregullohen gjërat.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Bedri Selmanaj, jep më shumë hollësi:

“Gjatë këtyre katër vjetëve të pavarësisë, janë bërë mjaft rritje ekonomike, të cilat i kanë mundësuar Kosovës që të krijojë bazën e fillimit të zhvillimit. Edhe më tutje mbetet sfidë çështja e punësimit - sektori real nuk ka mundësi të pranojë këtë numër, pasi që ka shumë pak investime, ka probleme tjera që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, si dhe evazionin fiskal”, sqaron Selmanaj.

Përmirësimi i gjendjes ekonomike dhe sociale të qytetarëve mbetet një nga sfidat më të mëdha për autoritetet kosovare. Ndërkohë, që përgjysmimi i varfërisë është ndër Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit, që Kosova është zotuar t’i arrijë deri në vitin 2015.