Bora izolon zona të veriut

Ilustrim

Situata në Shqipëri, kryesisht në veri të vendit, është pazakontë për shkak të motit të lig. Në disa komuna trashësia e dëborës i kalon të dy metrat, ndërkaq shumë banorë janë të izoluar dhe në nevojë urgjente për ushqime e ujë.

Të dielën, i pari i Qeverisë së Shqipërisë, Sali Berisha, ishte në Kukës, në qarkun që po vuan izolimin për shkak të reshjeve të dëborës.

Kryeministri Berisha tha se së shpejti Qeveria do të shpallë gjendjen e emergjencës. Ai garantoi për angazhim të përgjithshëm për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonave të izoluara, me gjithçka që ata kanë nevojë.

Gjithashtu, kryeministri Berisha foli edhe për domosdoshmërinë e përqendrimit të një numri më të madh të forcave të ushtrisë në këto zona, bashkëshoqëruar dhe me plane masash nga njësitë e qeverisjes vendore, për të ndihmuar më me efikasitet banorët e izoluar.

Sali Berisha


“Unë mendoj se në këtë situatë, Qeveria dhe unë do të propozoj të shpallet gjendja e emergjencës për zonën veri-lindore dhe zonën jug-lindore. Unë dua t’ju siguroj juve (autoritete lokale), se do të bëjmë gjithçka, në mënyrë që t’u mbështesim, në përpjekjet për t’i lehtësuar komunitetet që ju drejtoni. Në çdo moment zoti ministër (i Mbrojtjes), skuadra e helikopterëve, duhet të jetë në gatishmëri të plotë. Ushtria pas shpalljes së gjendjes së emergjencës, duhet të marrë një rol kryesor, në përballimin e saj. Në rast se është e nevojshme dhe mund të jetë e nevojshme, reparte dhe njësi të saj të zhvendosen këtu (në Kukës)”, tha Sali Berisha.

Në një reagim në rrjetin social Twitter, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha se ndihmat e Qeverisë për banorët e izoluar janë thjesht mediatike. Sipas tij, në veri, prej dy javësh nuk shkon asnjë ndihmë.

Kryetari i socialistëve tha se Qeveria Berisha nuk ka asnjë mundësi të përballojë situatën emergjente të krijuar, pasi, sipas tij, arka e shtetit është bosh. Ai theksoi se kryeministri nuk mund të gënjejë më, për ngricën që ka bllokuar ekonominë shqiptare.

Në informacionin e përditësuar të Ministrisë së Transporteve për situatën në rrugët kombëtare e lokale në vend, pasqyrohet një situatë e vështirë kryesisht në qarqe si Kukësi apo Dibra.

Në disa akse qarkullohet vetëm me zinxhirë dhe disa të tjera janë të pakalueshme për shkak të mbulimit të rrugës nga dëbora.

E vështirë paraqitet situata në aksin kombëtar Milot –Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Morinë. Sipas Ministrisë së Transporteve, në aksin Milot-Rrëshen, në hyrje të tunelit dhe në dalje të tij deri në Fushë Dukagjin, qarkullimi i mjeteve kryhet vetëm me zinxhirë.