S’ka status special

Veri...

Serbët e komunave veriore të Kosovës nuk do të marrin statusin e veçantë dhe se ata do të jenë pjesë e sistemit unik Kushtetues të Kosovës, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Këto komente, Thaçi i bëri pas një takimi që zhvilloi me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar, i cili edhe zyrtarisht ka nisur punën e tij në këtë detyrë bashkë me postin e shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë.

Duke i komentuar mesazhet politike të disa liderëve serbë nga veriu se do të ishin të gatshëm të pranonin pavarësinë e Kosovës me kusht që veriu të gëzojë një status të veçantë politik, Thaçi tha se deklarata të tillë mund të cilësohen si pozitive për faktin se pranohet pavarësia e Kosovës.

Por, ai rikujtoi se statusi i veçantë nuk do t’i njihet asnjë pjese dhe asnjë komuniteti në Kosovë.

Unë e mirëpres gatishmërinë për njohjen e Kosovës nga të gjithë, por Kosova është një unike, shtet i pavarur e sovran.
Unë e mirëpres gatishmërinë për njohjen e Kosovës nga të gjithë, por Kosova është një, unike dhe shtet i pavarur e sovran. Nuk do të ketë trajtim të veçantë special apo autonomi për asnjë etni, për asnjë hapësirë të territorit. Kosova është një me integritetin e saj territorial të paprekshëm, të njohur ndërkombëtarisht”, është shprehur Thaçi.

Sidoqoftë, Thaçi e ka mirëpritur faktin që disa politikanë serb nga veriu e pranojnë, qoftë edhe me kushte pavarësinë e Kosovës.

Ai tha se në veri, institucionet do të vendosin rendin dhe ligjin si dhe do të organizojnë zgjedhjet e lira komunale dhe vazhdimin e investimeve socio-ekonomike.

Në anën tjetër, diplomati slloven Samuel Zhbogar, në emër të Bashkimit Evropian premtoi një rol edhe më të fuqishëm dhe më efikas të Brukselit në Kosovë.

Misioni im është që të kemi një Evropë të fuqishme këtu në Kosovë në mënyrë që të ndihmojmë Kosovën që të bëhet më shumë evropiane dhe ta ndihmojmë Kosovën që të vijë në Evropë”.

Misioni im është që të kemi një Evropë të fuqishme këtu në Kosovë në mënyrë që të ndihmojmë Kosovën që të bëhet më shumë evropiane...
Kemi filluar shumë mirë me procesin e liberalizimit të vizave dhe këtë vit do të shohim më shumë vizita të komisionarëve evropianë në Kosovë; shpresojmë që raporti për Kosovën këtë vit të jetë më pozitiv”, ka deklaruar ai.

Njëherësh, Zhbogar ka premtuar ndihmën e tij dhe të Bashkimit Evropian për të lehtësuar vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe premtoi ndihmën në angazhimet e përbashkëta për normalizimin e gjendjes në veri të Kosovës.

Zhbogar është pritur në takime të ndara edhe nga presidentja Atifete Jahjaga dhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Në një komunikatë nga Presidenca e Republikës thuhet se Jahjaga në takimin e saj me zyrtarin evropian theksoi domosdoshmërinë e përmbushjes së detyrave që dalin nga Plani Ahtisari dhe që bashkërisht të punohet në përmbylljen e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare për Kosovën.

Ajo është zotuar se institucionet e Kosovës do t’i përmbushin obligimet e tyre kushtetuese dhe të marrin përgjegjësitë që do të ndihmonin mbylljen e suksesshme të Zyrës Civile Ndërkombëtare deri në fund të këtij viti.

Njëherësh, Jahjaga ka thënë se Kosova është e përkushtuar që së bashku me partnerët ndërkombëtarë të zbatojë Kushtetutën e saj në gjithë territorin e Republikës, përfshirë edhe tri komunat në veri të vendit.