Opozita: Trajtojeni veriun

Pamje nga Mitrovica(Foto arkiv).

Përfaqësues të opozitës në Prishtinë kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës më shumë angazhim për trajtimin e çështjes së veriut si problem të sundimit të ligjit dhe jo si problem politik.

Duke kundërshtuar të gjitha propozimet që vijnë qoftë nga Beogradi, apo edhe nga ndonjë përfaqësues ndërkombëtar për status special për këtë pjesë, përfaqësues të partive opozitare kanë thënë se plani i presidentit Ahtisari përmban në vete maksimumin që Kosova mund të japë për trajtimin e komuniteteve pakicë, përfshi edhe pjesën veriore të dominuar nga popullata serbe.

Gjatë një konference për media, Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësimet e saj në lidhje me gjendjen në sundimin e rendit dhe ligjit, me një theks të veçantë edhe në gjendjen në veri.

Anëtari i Kryesisë së kësaj partie dhe deputeti Arben Gashi ka thënë se mbetet shqetësues ekzistimi i strukturave paralele të pushtetit të Serbisë në veri dhe mungesa e shtrirjes së autoritetit të institucioneve të Kosovës në atë pjesë.

LDK

“Qëndrimi i LDK-së është se ky është një problem i sundimit të rendit dhe ligjit dhe i mungesës së shtrirjes së autoritetit të institucioneve të Kosovës në gjithë territorin e vendit. Qëndrimi i LDK-së, po ashtu është se pjesa e veriut të Kosovës nuk është problem politik, por është problem juridik-ligjor. Gjithashtu, ne vlerësojmë se çështja e negociatave dhe bisedimeve politike është përmbyllur me pakon e presidentit Ahtisari dhe se Kosova ka dhënë ofertën e vet dhe ka krijuar kushtet politike, teknike dhe ekonomike për funksiononim normal të kësaj pjese të vendit”, ka thënë Gashi.

Ndërkohë, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar që si pjesë e përfundimit të fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës të përfshihet edhe organizimi i zgjedhje në komunat veriore të banuara me shumicë serbe në mënyrë që edhe atje të instalohet pushteti legal i Kosovës. Besnik Tahiri, anëtar i Kryesisë së AAK-së ka potencuar se zgjidhja e vetme për veriun është në zbatimin e Pakos së Ahtisarit.

Besnik Tahiri


“AAK konsideron se Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë që si pjesë e pakos së përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur të mbahen zgjedhjet e lira e demokratike në komunat veriore të Republikës së Kosovës. Për AAK-në, oferta e tanishme përmes dokumentit të Ahtisarit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës është korniza e vetme që AAK e mbështet sa i përket çështjes së veriut”, ka thënë Tahiri.

Debati për zgjidhjen e problemit të veriut është i vazhdueshëm këto vitet e fundit, marrë parasysh gjendjen faktike atje, ku përfaqësuesit dhe strukturat politike të komunitetit serb refuzojnë të pranojnë Kushtetutën, ligjet dhe autoritetin e institucioneve të Kosovës.

Së fundit, presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, kishte propozuar një plan 4 pikësh, në të cilin ai parashihte edhe një lloj statusi special për veriun.

Madje, për këtë plan, ai kishte shprehur gatishmërinë e tij për t’u takuar edhe me kryeministrin e kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Ky i fundit u ka thënë mediave lokale se me Tadiqin do të diskutonte vetëm për njohjen e Kosovës nga e shtetit serb.