Veriu (s’)zgjidhet me “plan magjik”

Veri...

Prishtina zyrtare këmbëngul në planin Ahtisari për zgjidhjen e problemit të veriut të Kosovës, në Bruksel thonë se janë në pritje të një agjende gjithëpërfshirëse të autoriteteve kosovare për këtë çështje, ndërsa në Beograd thonë se problemi i veriut nuk mund të zgjidhet me një, siç thuhet, plan të njëanshëm magjik.

Pas vlerësimit të fundit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, se përleshjet e fundit të dhunshme në veri të Kosovës rrezikojnë çalimin e dialogut të brishtë ndërmjet Kosovës e Serbisë, ndërsa kërcënojnë stabilitetin e brendshëm të Kosovës dhe kanditaturën e Serbisë për në BE, zyrtarët përgjegjës japin vlerësime të ndryshme për zhbllokimin e situatës në veri.

Zëdhënësja e shefes së diplomacisë evropiane, Maja Kocijançiq, i tha Radios Evropa e Lirë se rëndësi primare në dialogun Prishtinë-Beograd do të vazhdojë t’i kushtohet zgjidhjes së çështjeve praktike dhe se rreth veriut të Kosovës është kërkuar tashmë një agjendë gjithëpërfshirëse nga pala kosovare.

Ajo që vlen për ne janë gjërat e vendosura në tryezë, e për të cilat është thënë se nevojitet një zgjidhje praktike dhe ne jemi duke punuar në to.
Ajo që vlen për ne janë gjërat e vendosura në tryezë, e për të cilat është thënë se nevojitet një zgjidhje praktike dhe ne jemi duke punuar në to. Ne jemi të vetëdijshëm për çështjen e veriut të Kosovës; lidhur me këtë ju e dini se Komisioni Evropian u ka kërkuar autoriteteve kosovare përgatitjen e një agjende gjithëpërfshirëse të cilën e presim”, tha ajo.

Pas ngjarjeve të 25 korrikut të vitit të kaluar në veri të Mitrovicës, Beogradi pat insistuar që në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian të diskutohet për veriun e Kosovës-gjë që ishte kundërshtuar nga pala kosovare dhe BE-ja duke çuar në ndërprerjen e përkohshme të dialogut.

Shefi i delegacionit serb, Borko Stefanoviq, tha se politika serbe është aktualisht e fokusuar për ta mbajtur stabile gjendjen në veri, por theksoi se ky problem nuk mund të zgjidhet me një plan të njëanshëm të Prishtinës.

Natyrisht se çështja e veriut nuk është zgjidhur. Ne jemi të hapur ta diskutojmë atë në çdo kohë, sepse ai nuk do të zhduket. Është një iluzion i madh politik të mendohet se problemi mund të zgjidhet vet nga Prishtina apo nga ndonjë plan magjik i krijuar nga Prishtina të cilin do ta pranonin njerëzit në veri. Kjo nuk do të ndodhë andaj duhet të angazhohemi për ta pasur një marrëveshje për veriun mbi të cilën do të pajtoheshin të dyja palët”, vlerësoi ai.

Në ndërkohë, vazhdojnë kritikat që flasin për mungesën e gatishmërisë së Serbisë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura, deri më tani, në kuadër të dialogut me Kosovën.

Por, Stefanoviq tha se grupet serbe të ekspertëve janë duke punuar në drejtim të zbatimit të këtyre marrëveshjeve.

Gatishmëria dhe përpjekjet tona nuk do të duhej të viheshin në pyetje, sepse është e qartë se po bëjmë gjithçka.
Gatishmëria dhe përpjekjet tona nuk do të duhej të viheshin në pyetje, sepse është e qartë se po bëjmë gjithçka. Shumica e partnerëve tonë në BE dhe SHBA mund ta konfirmojnë këtë”, u shpreh ai.

Pala kosovare, megjithatë, ka kërkuar një presion të shtuar të BE-së mbi Serbinë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut.

Pas arritjes së marrëveshjeve mbi menaxhimin e integruar të kufirit, mbi lirinë e lëvizjes, kthimin e regjistrit civil dhe atë për njohjen e diplomave universitare, palët janë duke negociuar mbi bashkëpunimin rajonal.

E pyetur se a mund të shërbejë dialogu si mjet i tillë presioni, Kocijançiq theksoi:

Ne po flasim për dialogun. Dialogu zhvillohet ndërmjet të dyja palëve-Beogradit dhe Prishtinës dhe ato duhet të pajtohen. Kështu bëhen punët në Bashkimin Evropian”, tha ajo.

Për një pajtim nuk mund të flitet ende sa i takon përfaqësimit të Kosovës në nismat dhe forumet rajonale. Në Be shfaqën shpresën që, gjatë këtij muaji, të gjindet një formë të cilën do ta pranonin të dyja palët.

Derisa Serbia insiston në përfaqësimin e Kosovës nën rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara, autoritetet kosovare këmbëngulin në përfaqësimin e saj si shtet.