Gjenerali i dyshimtë

Lubisha Dikoviq, foto: novosti.rs


Ministri serb i mbrojtjes, Dragan Shutanovac, e ka cilësuar si “tërësisht të rrejshëm” dhe “monstruoz”, dokumentin e Fondit për të Drejtën Humanitare, në të cilin shefi i shtatmadhorisë së ushtrisë serbe, Lubisha Dikoviq, akuzohet se nuk ka penguar krimet e rënda të luftës kundër civilëve në Kosovë, gjatë luftës 1998-1999.

Natasha Kandiq, udhëheqësja e Fondit për të Drejtën Humanitare, thotë se është e çuditur me reagimin e zotit Shutanovac, aq më tepër kur dihet se edhe edhe në kohën e Millosheviqit, dokumentet e Fondit nuk janë cilësuar si “të rrejshme”.

Natasha Kandiq

Provat në të cilat bazohet aktgjykimi i Tribunalit të Hagës në rastin e ish presidentit serb Millan Millutinoviq dhe të tjerëve, viktimat e mbijetuara nga Drenica, të cilat kanë dëshmuar në Tribunal ose i kanë dhënë deklaratë Fondit, flasin për krime lufte, të rënda dhe masive, kundër civilëve shqiptarë në Drenicë.

Ky rajon ka qenë zonë e përgjegjësisë së Lubisha Dikoviqit, atëbotë komandant i brigadës së motorizuar 37 të armatës jugosllave.

Ndonëse e ka pasur për detyrim të parandalojë krimet, e madje edhe ka pranuar se ato janë kryer nga ushtarët e tij, Dikoviq nuk e ka bërë këtë gjë, ndërkohë që ka edhe dëshmi që flasin për plaçkitje të pronave të shqiptarëve, në të cilat ka marrë pjesë edhe vetë, thotë Kandiq për Radion Evropa e Lirë.


Izbica

Ajo është e mendimit se një oficer ushtrie siç është Lubisha Dikoviq nuk është i denjë për të qenë shef i shtatmadhorisë së ushtrisë serbe.

”Aty ku ka qenë brigada e motorizuar nr.37, kanë ndodhur krime të llahtarshme. Para së gjithash, është Izbica. Dhe vetë deklarata e Dikoviqit si dëshmitar i mbrojtjes në Tribunalin e Hagës ka bërë të qartë se ai në asnjë moment nuk e ka kundërshtuar faktin se njësitë e tij kanë qenë në Izbicë. Ai vetë ka thënë se njësitë kanë pasur kontakt me civilët”, thotë Kandiq.

Ajo rikujton se për tmerrin që ka ndodhur në Izbicë, flet vetë fakti se janë vrarë mbi 100 persona, në bazë të evidencave të Tribunalit të Hagës dhe më së paku 119 persona, në bazë të evidencave të Fondit për të Drejtën Humanitare.

“Në mesin e mbetjeve mortore janë gjetur vetëm dy trupa, për të cilat mund të thuhet se kanë qenë me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Edhe pse kjo nuk është ndonjë dëshmi se ata vërtetë kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së, meqë në fushat e fshatit Izbicë deri atëherë nuk ka pasur kurfarë luftimesh. Ka pasur vetëm ndarje të mashkujve nga një kolonë e madhe njerëzisht të përndjekur; ndarje dhe pastaj vrasje”, thotë Kandiq, kryetare e Fondit për të Drejtën Humanitare.


Qirezi

Ajo thotë se edhe në afërsi të Gllogovcit, përkatësisht Drenasit, “në të ashtuquajturat gropa, janë kryer pushkatimet më brutale të fshatarëve, të cilët fillimisht janë sjellë në grupe”.

"Është pastaj Qirezi, ajo xhamia e cila përmendet si vend ku disa baballarë kanë parë për herë të fundit djemtë e tyre të mitu;, zhdukja e 25 djemve të moshës jomadhore, trupat e të cilëve edhe sot nuk janë gjetur dhe gjithsesi, edhe dhunimet e femrave shqiptare. Ne në këtë raport nuk i kemi emëruar këto gra, për të cilat kemi të dhëna se janë dhunuar. I kemi emëruar vetëm ato të cilat pas dhunimeve dhe keqtrajtimit të rëndë seksual, janë vrarë”, thotë zonja Kandiq.


Mohimi

Por, ministri Shutanovac nuk i beson këto pohime.

Dragan Shutanovac


“Vërtetë e pashembullt, e në disa segmente, raporti në një mënyrë mjaft monstruoze akuzon gjeneralin Dikoviq për krime, të cilat me të bëmat apo të pabëmat e tij, ka lejuar nga pozicioni në të cilin ishte".

"Më duhet të them se para se të emërohet në këtë funksion, për gjeneralin është vërtetuar puna e tij në të kaluarën dhe në dy ditët e fundit kemi analizuar edhe dokumentin në fjalë, për të cilin mund të them se është tërësisht i rrejshëm”,
ka thënë Shutanovac.

Mohimet e ministrit, zonja Kandiq i sheh me habi të madhe.

“Për asnjë komunikatë ose dokument të Fondit, askush kurrë nuk ka thënë, madje as në kohën e Millosheviqit, se është i rrejshëm, kështu që kjo është hera e parë në njëzet vitet e fundit, aq sa merrem me të drejtat e njeriut, që dëgjoj dikë të thotë për raportet e Fondit se janë të rrejshme".

"Reagimi i tij apo demanti, është i çorientuar, sepse pas çdo pohimi, ne ofrojmë burimin e të dhënave, në formë të ekskluzive përmendim atë që është vërtetuar dhe thënë para organeve gjyqësore ose dëshmitë e dëshmitarëve, të cilëve u kemi ofru
ar besueshmëri, përkatësisht dëshmitarë të cilët kanë dalë para Tribunalit të Hagës”, thotë Kandiq.
Reagimi i tij apo demanti, është i çorientuar, sepse pas çdo pohimi, ne ofrojmë burimin e të dhënave...

Sipas saj, nuk ka pra asnjë konstatim, por vetëm deklarime, në të cilat, me një fjalor të sofistikuar thuhet se shefi i ri i shtatmadhorisë së ushtrisë serbe nuk e ka të kaluarën e pastër.

“A është dashur që ai që ka udhëhequr këto njësite të parandalojë krimet, posaçërisht nëse ato janë përsëritur? A është dashur që kundër kryesve të inicohen jo vetëm kallëzime disiplinore, por edhe penale? A është dashur që pas tetorit të vitit 2000, të dalë publikisht për të thënë se çfarë ka ndodhur në kohën e tij?”, pyet Kandiq.

Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të njeriut, i cili gjithashtu është marrë me grumbullimin e të dhënave mbi krimet e ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë, e sheh emërimin e Dikoviqit në krye të ushtrisë serbe si përpjekje e udhëheqësisë së Serbisë për t’i futur nën qilim krimet e luftës në Kosovë.

“Ai duhet të përgjigjet edhe penalisht për krimet e veta, e jo të avancohet, nëse duam të vendosim raporte normale midis shqiptarëve dhe serbëve, midis Kosovës dhe Serbisë. Duhet të përballemi me ata që kanë kryr krime, pa marrë parasyshë përkatësinë kombëtare".

"Duhet të jemi në anën e viktimave dhe t’i vëmë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për këto krime. Kjo nuk po ndodh në Serbi, duke qenë se ajo po përpiqet që me hapa të këtillë të reciklojë të kaluarën dhe të avancojë ata që janë përgjegjës për krime”,
thotë zoti Shala.


Kush është gjenerali Dikoviq?

Ministri Shutanovac në demantin për gjetjet e Fondit thotë se me “një këndëvështrim krejtësisht laik në dosjenë personale të gjeneralit Dikoviq mund të konstatohet se ai nuk ka qenë në ato pozita dhe lokacione për të cilat Fondi e akuzon”.

Por, në vitin 2007, Lubisha Dikoviq, në cilësinë e dëshmitarit të mbrojtjes në Tribunalin e Hagës, e demanton pohimin e ministrit Shutanovac. Në vazhdim po japim një pjesë të dëshmisë së paraqitur, të përkthyer nga Radio Evropa e Lirë.

Lubisha Dikoviq



Çfarë funksioni kishit në vitin 1999?

DIKOVIQ: Në vitin 1999 kam qenë komandant brigade?

Çfarë brigade?

DIKOVIQ: Komandant i brigadës së motorizuar numër 37.


Kur ka arritur pjesa e parë e brigadës tuaj të motorizuar në vitin 1999 në Kosovë?

DIKOVIQ: Pjesa e parë e brigadës sime ka arritur në Kosovë e Metohi në fillim të marsit të vitit 1999?

Nën komandën e kujt?

DIKOVIQ: Kam arritur atje me urdhërin e komandës më të lartë, nga korpusi i Uzhices së Armatës së Dytë të Ushtrisë Jugosllave.


Gjeneralët e Millosheviqit

Tribunali i Hagës është marrë vetëm me zinxhirin e lartë komandues të ushtrisë dhe policisë.

”Tribunali i Hagës në lëndët e prokurorisë kundër Millosheviqit, Shainoviqit, Millutinoviqit dhe të tjerëve, maddje edhe në lëndën kundër Vllastimir Gjorgjeviqit, ka ftuar një numër të madh gjeneralësh për të dëshmuar dhe që të gjithë kanë qenë dëshmitarë të mbrojtjes së të akuzuarve".

"Ka aq shumë prova të vërtetuara, që do të ishte e lehtë për secilin institucion, para së gjithash mendoj në Prokurorinë serbe për krime lufte, që t’i grumbullojë ato dhe të inicojë kallëzime penale. Por, bëhet fjalë për gjeneralë… e këtu nuk bëhet nisja e procedurave kundër gjeneralëve të cilëtr me vite të tëra kanë zënë pozita të larta, qoftë në institucione shtetërore apo partitë politike”,
thotë Kandiq.

Ajo thotë se të gjithë gjeneralët janë gjeneralë të Millosheviqit dhe në Serbi nuk ka gjeneralë që nuk kanë qenë në Kosovë. Në Serbi, thotë Kandiq, ka gatishmëri të nisen procedurat kundër kryesve të drejtëpërdrejtë të krimeve, por nuk ka për ata që janë fajtorët kryesorë, për ata që janë përgjegjësit kryesorë për krimet e rënda dhe masive që janë kryer, para së gjithash në Kosovë. (a.v.)

Shënim i redaksisë:

Nëse dëshironi të na shkruani për këtë çështje, me çfarëdo informacioni që dispononi, na kontaktoni nëpërmjet postës elektronike.


Komentet tuaja mund t’i dërgoni edhe në forumin tonë.