Mustafa: S’ka reciprocitet

Isa Mustafa


Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se Kosova nuk po e zbaton reciprocitetin me Serbinë, por ai nuk beson se janë shterë të gjitha mundësitë e veprimeve institucionale që zgjidhja të kërkohet në rrugë përmes protestave, siç po vepron Lëvizja Vetëvendosje.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mustafa, të dielën pamë një protestë të Lëvizjes Vetëvendosje e cila nuk gëzoi, kushtimisht thënë, mbështetjen e pjesës tjetër të opozitës. Cilat janë arsyet që nuk e keni mbështetur këtë protestë të Vetëvendosjes?

ISA MUSTAFA
Ne vlerësojmë si LDK se të gjitha kërkesat, problemet tona duhet të trajtohen dhe të hapen në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe institucionet e tjera të parapara me Kushtetutë.

Shohim se ka hapësirë e cila nuk është shfrytëzuar mjaftë nga të gjitha subjektet politike opozitare. Mundemi ta bëjmë këtë në mënyrë që ta detyrojmë qeverinë që ajo të kujdeset dhe të jap raport apo edhe t’i ekzekutojë vendimet e Kuvendit të Kosovës.

Ne këtë e kemi theksuar edhe më parë dhe mendojmë se është ende aktuale dhe se ne duhet të bëjmë përpjekje maksimale që shfrytëzojmë dhe shterim të gjitha rrugët institucionale sepse ato janë edhe më të shkurta, më efikase por janë rrugë të cilat i kemi paraparë edhe me Kushtetutë dhe me ligje.


RADIO EVROPA E LIRË
Ju e përmendët se ka edhe mundësi tjera. Cilat konkretisht do të ishin ato?

ISA MUSTAFA
Mendoj që duhet të kërkohet përgjegjësi nga qeveria, nga ministritë përkatëse që ato ta informojnë Kuvendin lidhur me realizimin dhe zbatimin e tregtisë dhe marrëdhënieve ekonomike me Serbinë dhe me vendet tjera.

Duhet të punojmë në Kuvend në mënyrë që të sjellim vendime të Kuvend për ratifikimin e marrëveshjeve të cilat po arrihen në Bruksel, sepse si të tilla ato duhet të jenë transparente jo vetëm për ata që marrin pjesë atje në bisedime, për qeverinë, por edhe për deputetet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës.

Ato nuk janë marrëveshje që i takojnë vetëm kësaj periudhe, por të cilat krijojnë obligime edhe për qeveritë e ardhshme dhe parlamentet e ardhshme të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa konsideroni atëherë që Qeveria e Kosovës po zbaton reciprocitetin me Serbinë?

ISA MUSTAFA
Unë jam shprehur se jo. Do të thotë nuk ka reciprocitet. Është çështje se si qeveria e interpreton reciprocitetin dhe si ne e shohim atë. Konsideroj që ne duhet të vëmë ekuivalencë ose barazime me sjelljet e Serbisë sa i përket hyrjes së mallrave tona dhe mjeteve të transportit në Republikën e Serbisë dhe hyrjes së mallrave dhe automjeteve të Serbisë në Kosovë në mënyrë që të aplikojmë masa të njëjta dhe të mos ndërlikohet eksporti i produkteve kosovare ose kalimi i tyre përmes territorit të Serbisë.

Natyrisht ne nuk jemi për bllokada ekonomike për arsye se nuk na shkon në favor që ato t’i zbatojmë ndaj shteteve që i kemi fqinjë apo ndaj shteteve tjera, sepse ne kemi edhe vende tjera që nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës por mallrat e tyre futen dhe tregtohen në përmasa shumë të mëdha në Kosovë. Por, unë konsideroj që ne duhet të vëmë reciprocitet të plotë dhe nëse ata aplikojnë një masë, atë duhet ta aplikojmë edhe ne.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa po interferon në këtë çështje edhe dialogu Prishtinë – Beograd, marrë parasysh se aty janë arritur disa marrëveshje pikërisht për këto fusha?

ISA MUSTAFA
Dialogu nuk ka qenë gjithmonë transparent, nuk është zhvilluar në bazë të kërkesave dhe opinioneve të cilat opozita i ka shprehur në Kuvend. Ka mbizotëruar vota e pozitës atje, pavarësisht se vota e saj është e pakicës sepse ato nuk shprehin pjesëmarrjen e elektoratit dhe raportit që elektorati e ka në votat në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe kjo ka lënë pasoja.

Por, megjithatë vlerësoj se nuk janë këto çështje të cilat ne i shohim se mund të zgjidhen përmes protestave në rrugë, përkundër faktit se është e drejtë e të gjithë qytetarëve, partive, lëvizjeve që ato t’i shprehin në mënyrën e vet pakënaqësitë me këtë lloj të qeverisjes.

Megjithatë mendoj se ka hapësirë që ato t’i bëjmë brenda institucioneve, sikur që mendoj që qeveria t’i korrigjojë sjelljet e saj në mënyrë që bisedat që po zhvillohen me Serbinë të jenë transparente dhe të mos e kushtëzojnë dhënien e informatave për këto biseda dhe dialogun me atë që duhet të gjithë të marrin pjesë, sepse nuk mund ta detyrojnë opozitën që të futet në dialog për interesa të pozitës apo për shkak të kërkesave aktuale apo presioneve ndërkombëtare, sepse ky faktor ndërkombëtar këto po i ndërlidhë edhe me parakandidimin e Serbisë për t’u anëtarësuar në BE.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur jemi te dialogu, presidenti serb Tadiq ka përmendur katër pika të cilat sipas tij, do të mund të diskutoheshin në të ardhmen në kuadër të bisedimeve Prishtinë - Beograd. Aty përfshihet edhe çështja e veriut dhe e zonave përreth manastireve, kishave ortodokse. Keni ju një qëndrim rreth këtij propozimi të zotit Tadiq?

ISA MUSTAFA
Unë jam i bindur që Prishtina është përgjigjur bile përtej mundësive me Pakon e Ahtisarit, sepse kemi bërë aq lëshime të cilat nuk i ka bërë asnjë vend tjetër sa i përket trajtimit të minoriteteve dhe popujve tjerë krahasuar me atë që kemi bërë ne me Kushtetutën tonë.

Serbia dhe Tadiqi po mundohen këtu që të nxjerrin një përfitim të dyfishtë. Njërin që Pakoja e Ahtisarit të zbatohet për një pjesë të territorit të Republikës së Kosovës ku janë komunat tjera me shumicë serbe dhe një pjesë ta ndërtoj mbi këtë Pako.

Do të thotë të jetë një Ahtisari plus që është totalisht e papranueshme dhe që ne nuk mund të pranojmë të lëvizim nga Pakoja e Ahtisarit, sepse kjo do të shkaktonte më pas një çrregullim të tërësishëm të organizimit kushtetues dhe territorial të Republikës së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët Pakon e Presidentit Ahtisari. Nesër Grupi Mbikëqyrës Ndërkombëtar do të vlerësojë të arriturat në zbatimin e këtij dokumenti. Sa besoni se Kosova ka arritur pjekurinë që të kalojë nga faza e mbikëqyrjes në atë të pavarësisë së plotë?

ISA MUSTAFA
Unë vlerësoj se po. Ne po punojmë në këtë drejtim, dhe ne si LDK do të përkrahim edhe një vendim të Kuvendit të Kosovës në mënyrë që ne t’i qasemi ndryshimeve kushtetuese të cilat do të na qojnë kah pavarësia e plotë dhe heqjen e pavarësisë së mbikëqyrur.

Natyrisht që kjo nuk është vetëm çështje formale. Ajo është edhe çështje substanciale sepse ne duhet që krahas kësaj të përgatitemi dhe të marrim përgjegjësinë e plotë për qeverisjen e këtij vendi. Mendoj që jemi në gjendje ta marrim këtë përgjegjësi dhe ta forcojmë shtetin ligjor.

Duhet ta forcojmë ligjin, qeverisjen në mënyrë që qeverisja të mos jetë më kjo që kemi dhe me këtë formë të qeverisjes. Ta forcojmë edhe organin legjislativ, Kuvendin edhe organet gjyqësore në mënyrë që të tregohemi të qëndrueshëm dhe të përgjegjës para faktorit ndërkombëtar dhe para qytetarëve të Republikës së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur përmenden ndryshime kushtetuese, dihet se aty ka edhe një marrëveshje ndërmjet liderëve politikë në Kosovë, me të cilën përmenden edhe afatet për zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare. Kishte këtu një debat nëse do të ketë apo jo zgjedhje presidenciale sipas kësaj marrëveshje. Cili është mendimi, qëndrimi i juaj aktual?

ISA MUSTAFA
Ne mendojmë si LDK që hapësira është që zgjedhjet presidenciale të mbahen këtë vit. Nuk ka ndonjë shkak apo arsye që ato të prolongohen për vitin e ardhshëm, sepse Komisioni kushtetues i ka kryer punët për të cilat ka qenë i mandatuar sa u përket ndryshimeve kushtetuese për t’u zgjedhur presidenti në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Tash këtij komisioni i është dhënë një mandat i ri, por i cili është krejtësisht i ri se nuk ndërlidhet me mandatin e parë, e që ka të bëjë me trajtimin e nenit 84 që ka të bëjë me kompetencat e presidentit të shtetit, por kjo mund të jetë çështje e ndarë në të cilën mund të punohet në vazhdimësi. Atë për çfarë ne jemi marrë vesh ajo ka shkuar tashmë si pako dhe mund të dalë në Kuvend si propozim dhe më pas pa asnjë problem mund të organizohen zgjedhjet në fund të këtij viti.

RADIO EVROPA E LIRË
Vazhdimisht shtrohet dilema nëse Kosova është e gatshme për një proces të tillë zgjedhor. Sa ju besoni se vendi është gati për një proces të tillë zgjedhor, për zgjedhjen e presidentit?

ISA MUSTAFA
Mendoj që ne nuk do të jemi të gatshëm në qoftë se nuk do t’i pastrojmë listat zgjedhore, në qoftë se nuk do ta përparojmë teknologjinë e numërimit të votave dhe në qoftë se nuk do t’i kemi të qarta kushtet, apo sistemin zgjedhor i cili duhet të rrjedhë nga ndryshimet që do të bëhen tani në sistemi zgjedhor të Kosovës.

Listat zgjedhore janë prioritare, sepse ne mund ta kemi një ligj të shkëlqyeshëm, por nëse punojmë me lista të vjetra me të cilat votuesit kanë votuar në disa komuna apo kanë votuar edhe ata që nuk janë gjallë, atëherë nuk do të ketë kurrfarë legjitimiteti të zgjedhjeve të ardhshme dhe kjo mund të jetë një prej arsyeve që ne duhet të merremi vesh paraprakisht dhe pastaj t’i shpallim zgjedhjet për president, ato nacionale dhe lokale.

RADIO EVROPA E LIRË
A shihni ju si LDK interes që të keni kandidatin e juaj për president, qoftë ai edhe kandidat i përbashkët me ndonjë parti tjetër politike?

ISA MUSTAFA
Po ne mendojmë që LDK mund ta ketë dhe duhet ta ketë kandidatin e saj për president. Deri më tash nuk kemi biseduar lidhur me emrat apo me emrin konkret se kush mund të jetë kandidat, por mendojmë që në momentin kur të kryhen procedurat e ndryshimeve kushtetuese dhe të jemi afër shpalljes së zgjedhjeve të hapim procesin e konsultimeve të brendshme në mënyrë që kandidati për president të jetë kandidat i cili do të përkrahet dhe përqafohet nga anëtarësia e LDK-së, por jo vetëm nga ajo, ngase jemi koshient që një kandidat i tillë nuk mund të zgjidhet vetëm me votat e një partie politike por duhet të zgjidhet edhe me votat e subjekteve tjera politike dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mustafa, këto ditë është shkruar mjaft shumë në lidhje me LDK-në, zhvillimet brenda saj, dhe është paralajmëruar mundësia e kthimit në krye të partisë të ish kryetarit Fatmir Sejdiu. Cili është vizioni i juaj në lidhje me këto analiza por edhe paralajmërime?

ISA MUSTAFA
Ne kemi pas një aktivitet mjaftë të bujshëm në këtë fillim të vitit, i cili, ta themi, ka qenë aktivitet i jashtëm, ndërkaq tërë vitin e kaluar kemi punuar brenda partisë në reformimin e brendshëm.

Kemi punuar edhe në dokumentet për reformat e ardhshme siç është statuti i LDK-së, programi politik dhe po punojmë në programin qeverisës të LDK-së dhe në programin zgjedhor. Brenda diku gjysmë muaji do të mbajmë Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së në të cilin do t’i përcaktojmë këto dy dokumente të cilat më pas do t’i trajtojmë në një konventë punuese.

Për të gjitha këto dokumente kemi mbajtur takime me të gjitha degët e LDK-së, me 37 degë në tetë tubime të mëdha dhe kemi marrë pajtimin e plotë në terren dhe nuk kemi vërejtur ndonjë përçarje që dikush mendon se duhet të jetë ndryshe. Mendoj se ne do të ecim shumë mirë me reformën. Kemi paraparë po ashtu që të zgjerojmë organet e LDK-së me 20 për qind të të rinjve dhe femrave në mënyrë që të krijojmë hapësirë shumë më të madhe për ta.

Unë nuk dëshiroj që t’i zhgënjej ata që presin të ndodhë ndryshe por mund t’ju siguroj se nuk do të ketë asnjë fije përçarje në LDK, por do të ketë hapësirë që të gjithë ata që mendojnë ndryshe këtë ta thonë në forumet, organet e LDK-së, ngase edhe me statut e kemi përcaktuar që çdo njëri mund ta thotë në formën më të lirë mendimin e vet dhe ndaj askujt nuk mund të ngritet përgjegjësia për shkak të shprehjes së lirë të mendimit të tij në forumet e LDK-së.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, fare në fund, zoti Mustafa, ju nuk po prisni ndryshime të mëdha në kreun e LDK-së?

ISA MUSTAFA
Nuk e pres asnjë ndryshim. Pres vetëm që të kemi hyrje të njerëzve të rinj në organet e LDK-së dhe pres që të kemi një thjeshtëzim të organizimit të LDK-së meqë do ta heqim një strukturë të mesme të partisë, atë që nëndegët e kanë mbajtur deri tash në mënyrë që degët e LDK-së të komunikojnë dhe kontaktojnë drejtpërdrejtë më anëtarësinë në ato forma që deri tash i kemi pasur si aktive e që do të marrin pastaj emrin e nëndegëve të LDK-së.

Ndërkaq është shumë e natyrshme që çdonjëri të pretendoj për pozita të ndryshme në LDK, sepse në të kundërtën nuk do të kishte progres, dhe ne do t’u japim hapësirë të gjithëve që ata t’i shprehim pretendimet e tyre, mendime, interesat e tyre, programet, vizionin e tyre dhe pastaj që vota e LDK-së, organeve të saj, Këshillit të Përgjithshëm dhe e Kuvendit të tregoj se për çfarë programi, çfarë orientimi politik, por edhe për cilët njerëz është LDK-ja sot e orientuar.