Pasojat e anëtarësimit të Rusisë në OBT

Ilustrim

Është e parashikueshme si bora në dimër. Kur Rusia ka përplasje me ndonjë fqinj të sajin, zyrtarët shëndetësorë të Moskës papritur zbulojnë diçka të gabuar në eksportet e atij vendi.

Këtë herë është Ukraina ajo që është zhytur në bisedime me Moskën, në lidhje me çmimet e energjisë dhe çështje të tjera të diskutueshme. Andaj, edhe pritej që inspektori rus i Shëndetësisë, Genadi Onishenko, të thoshte se ka “përkeqësim të dukshëm” në cilësinë e djathit ukrainas.

Ministrja ruse e Zhvillimit Ekonomik, Elvira Nabiullina, dhe Drejtori i Përgjithshëm i OBT-së, Pasal Lamy, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të pranimit Rusisë në OBT, Gjenevë, më 16 Dhjetor2011.


Njoftimi duket të jetë paralajmërim për ndalesa importi. Të kujtojmë se Moska ndaloi importimin e ujit mineral në vitin 2006, të prodhimeve bjelloruse të qumështit më 2009, dhe të verës moldave më 2010.

Ekonomisti ukrainas, Ihor Burakovski, thotë për Radion Evropa e Lirë se një veprim i tillë ka të bëjë me çështje më të mëdha midis Moskës dhe Kievit.

“Ukraina vazhdimisht refuzon t’i bashkohet Unionit të Doganave, bashkë me Rusinë, Bjellorusinë dhe Kazakistanin. Ukraina vazhdimisht hedh poshtë integrimin më të thellë në fushën e gazit. Andaj, mund të them se deklaratat e fundit janë jehonë e këtyre problemeve”, thotë Burakovski.

Por, gjatë këtij viti, pas 19 vjetësh përpjekje, Rusia pritet të anëtarësohet në Organizatën Botërore të Tregtisë. Kur një gjë e tillë të ndodhë, zyrtarët shëndetësorë të Moskës do të vazhdojnë të jenë në gjendje për të ndaluar importe të tilla, thotë Stefen Uollkok, nga Shkolla për Ekonomi e Londrës.

Megjithatë, ai shton se vendet anëtare të OBT-së duhet të zbatojnë standarde uniforme për të gjithë partnerët e tregtisë, si dhe të sigurojnë dokumentacionin që justifikon veprimet e tyre.

Uollkok kujton se çështjet e tilla janë të mbuluara nga Marrëveshja Sanitare e OBT-së. Kjo e fundit, po ashtu, i lejon vendet anëtare të vendosin ndalesa të përkohshme, por vetëm nëse sjellin dëshmi shkencore. Uollkok vë në dukje se marrëveshja nuk e përcakton afatin kohor për “ndalesat e përkohshme”.

Por, ai thotë se rregullat e OBT-së u japin mbështetje vendeve të goditura nga aksione të tilla të tregtisë.

... nëse ka ndonjë motiv për përdorimin e këtyre masave, anëtarët e tjerë të OBT-së mund ta sfidojnë Rusinë në këtë proces...
Po sipas Uollkokut, OBT-ja monitoron politikat tregtare dhe, në këtë rast, do të mund t’i bënte presion Moskës, nëse vendos sanksione të motivuara politikisht.

“Ekziston monitorim i rregullt i politikës tregtare në bazë të asaj që quhet Mekanizëm i Rishikimit të Politikës Tregtare. Andaj, nëse ka ndonjë motiv për përdorimin e këtyre masave, anëtarët e tjerë të OBT-së mund ta sfidojnë Rusinë në këtë proces. Por, kjo më shumë ka të bëjë me një presion të kolegëve sesa me ndonjë sanksion të veçantë ligjor. Çdo sanksion ligjor natyrisht se duhet bazuar në raste individuale”, sqaron Uollkok.

Moska, po ashtu, ka kërcënuar se nuk do t’u përmbahet rregullave të OBT-së në tregtinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëse Uashingtoni nuk e heq një ligj për tregtinë, që daton nga koha e Luftës së Ftohtë.

Bëhet fjalë për ligjin e vitit 1974, i cili ia mohon Rusisë statusin normal për marrëdhënie tregtare.(v.t.)