Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim që nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës të dërgojë për çdo ditë nga dy anesteziologë në spitalin rajonal të Mitrovicës.
Kjo për arsyen se në këtë spital, është vetëm një anesteziolog.
Por, edhe përkundër kësaj, sfidat janë të mëdha.
Suzana Qenaj, e shqetësuar, endej në korridorin e spitalit rajonal të Mitrovicës, me djalin e saj 11 muajsh, Diarin, të cilin nuk mund ta operonin, për shkak të mungesës së anesteziologëve.
Edhe pse aty ishin dy anesteziologët e dërguar nga Prishtina, ata nuk u ofronin ndihmë njerëzve në nevojë, me arsyetimin se ata ishin vetëm për raste emergjente.
“Që tri javë jam duke ardhur që ta bëj operacion fëmijën prej bruhit. Jo nuk bën sot, jo eja nesër. Nuk po mundem më. Fëmijën çdo ditë e fusin në program që ta operojnë, e pastaj më thonë shko në shtëpi”, thotë Qenaj.
E anesteziologu i vetëm në këtë spital, Nuredin Fazliu, i kishte gjashtë operacione të caktuara për një ditë, dhe siç tha ai, nuk dinte se në cilën sallë të shkonte më përpara.
Ai ankohej tregonte për kushtet dhe sfidat që përballet ky spital, derisa dëgjonte duke bërtitur dhe qarë edhe një nënë tjetër të një fëmije 1 vjeçar, i cili po ashtu ishte në rend që të operohej.
Mua më vjen keq se fëmijët po presin të hyjnë në ndërhyrje kirurgjike, po qajnë, janë keq, por unë i kam tri lindje me operacion dhe është e pamundur praktikisht vetë t’i kryej, edhe pse janë nevoja jetike.
"Në këtë spital frekuenca e pacientëve është shumë e madhe, derisa stafi i pamjaftueshëm. Prej Prishtinës vinë kinse si ndihmë dy anesteziologë dhe dy kirurgë. Shpeshherë vinë një anesteziolog dhe një specializant, dhe specializanti nuk po është në gjendje të kryejë punë”, shprehet Fazliu.
------
Edona Preteni, nëna e një djali 12 muajsh, qe tri javë rresht, për çdo ditë e viziton spitalin e Mitrovicës, dhe kthehet më pas në shtëpi, nga pamundësia për t’u operuar djali i saj, në mungesë anesteziologësh.
“Edhe unë qe tri javë jam duke ardhur me fëmijën që ende nuk i ka 1 vjet. Kirurgu do, çmos ka bërë, por s’ka anesteziologë, nuk ka. Këta që po vinë prej Prishtinës nuk donë të punojnë, qe tri javë më kthejnë, e fëmijës po i keqësohet gjendja”.
E njëra nga infermieret, e cila mundohej t’i qetësonte fëmijët të cilët për çdo ditë përgatiteshin për t’u operuar, e më pas ktheheshin në shtëpi, e shpreh shqetësimin e saj.
Ajo me keqardhje thotë se fëmijët nuk mund ta përballojnë të mos ushqehen nga 5 orë, siç po ndodh me këta dy fëmijë, sepse, siç thotë ajo, para operimit ata nuk guxojnë të ushqehen.
Anesteziologu që është këtu, është më shumë për të rritur, edhe nuk po arrin për të gjithë.
Ndërkaq, Nehat Baftiu, shef i repartit të anesteziologjisë në Qendrën Klinike Universitare, thotë se vendimin që e kanë marrë nga Ministria e Shëndetësisë për t’i ndihmuar spitalit të Mitrovicës, për çdo ditë me nga dy anesteziologë, po zbatohet.
“Sa i përket anës tonë, ka funksionuar mirë. Unë e kam vendimin prej Ministrisë së Shëndetësisë se duhet ti dërgoj nga dy anesteziologë në Mitrovicë, dhe atë e bëj, edhe përkundër asaj se në QKUK ka shumë mungesë anesteziologësh”.
Sidoqoftë, Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka 40 anesteziologë, 32 salla operacioni dhe 12 njësi emergjente, që sipas doktor Baftiut është e pamundur të mbulohen me kuadrin aktual.