Bashkëpunimi rajonal, sfidë e re e dialogut

Ilustrim

Bashkëpunimi rajonal, pritet të jetë një nga temat e radhës që mund ta sfidojë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Aktualisht, palët kanë dallime qenësore në lidhje me përfaqësimin e Kosovës në rajon. Përderisa Qeveria në Prishtinë pretendon që Kosova do të përfaqësohet si shtet, në Beograd paralajmërohet një version tjetër, ai i përfaqësimit përmes Rezolutës 12 44 të Kombeve të Bashkuara.

Ndonëse është paralajmëruar vazhdimi i bisedimeve për mesin e muajit janar, tash për tash palët mbajnë vetëm kontakte indirekte përmes video-konferencave me të dërguarin e BE-së, Robert Kuper.

Derisa në Prishtinë opozita fuqizon zërin e saj kundër bisedimeve, duke i cilësuar ato të dëmshme për shtetin dhe interesin e Kosovës, koordinatorja, Edita Tahiri thotë se delegacioni që ajo kryeson po respekton plotësisht Kushtetutën dhe mandatin që ka marrë nga Kuvendi.

Edita Tahiri


“Mendoj se ne, si Qeveri, do të vazhdojmë të tregojmë përkushtim, seriozitet, konstruktivitet gjithnjë në harmoni me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës si dhe në harmoni me platformën e Qeverisë për dialogun teknik dhe rezolutën e Kuvendit të Kosovës”, shprehet Tahiri.

Krejt ndryshe nga koordinatorja Tahiri mendon opozita në Prishtinë. Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini thotë se pala kosovare ka hyrë e papërgatitur në dialog dhe vazhdon të sillet si e tillë.

Ndërsa Serbia, nënvizon ai, ka synim të qartë, që përmes dialogut me Kosovën të fitojë statusin e vendit kandidat për integrim në Bashkimin Evropian.

“Sado që ne mendojmë se Kosova duhet të synojë fqinjësi të mira, marrëdhënie të mira në rajon, ajo duhet të fokusohet fillimisht në interesat e veta. Mendojmë se nuk ka pasur përgatitje në asnjë aspekt".

Ardian Gjini


"Tani me siguri që dialogu do të futet edhe në një krizë tjetër, përpos krizës së legjitimitetit, do të thotë do të futet edhe në krizën e zbatimit të asaj që gjoja se po arrihet dhe, në fund të fundit, do të hyjë në krizën e vazhdimit, për shkak të zgjedhjeve në Serbi”, thotë Gjini.

Duke vlerësuar se Qeveria nuk po zbaton masa reciprociteti në raport me Serbinë, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar bllokimin e dy pikave kufitare për të ndaluar kështu hyrjen e mallrave nga Serbia.

Mirëpo, në Qeverinë e Kosovës nuk pajtohen me atë se nuk ka reciprocitet. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se pala kosovare po zbaton marrëveshjet që janë arritur në dialogun me Serbinë dhe ky, sipas tij, është reciprociteti që është kërkuar edhe me mocionin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

“Nëse mendon dikush të bëjë kufizim të masave tregtare, nëse mendon dikush të bëj retorzion që në gjuhën juridike është kundërmasë juridikisht e lejuar, atëherë duhet një mocion tjetër. Por, mocioni që thotë reciprocitet diplomatik, politik e ekonomik, ne jemi duke e zbatuar. Është hera e parë prej vitit ’99 ose gjatë gjithë historisë nga viti 1912 që kur dikush vjen nga Serbia i kërkohen kushte për të hyrë në Kosovë”, thekson Kuçi.

Sidoqoftë, në dialogun Prishtinë - Beograd pritet të diskutohen sërish temat që ndërlidhen me telekomunikacionin, energjinë, bashkëpunimin rajonal dhe çështje tjera, për të cilat palët nuk kanë shënuar përparime në tetë raundet e kaluara.

Te çështja e bashkëpunimit rajonal, Serbia duke mos e njohur shtetin e Kosovës në vazhdimësi është përpjekur ta pengojë atë që të jetë pjesë e nismave dhe konferencave rajonale. Tani, mbetet të shihet se si do të mund të akordohen eventualisht pozicionet dhe çfarë zgjidhje mesi mund të propozojë Bashkimi Evropian.