A po ia kthen shpinën Hungaria demokracisë?

Protestat në Hungari

Dhjetëra mijëra hungarezë kanë dalë në rrugët e Budapestit duke kundërshtuar ndryshimet kushtetuese, për të cilat thonë se në mënyrë dramatike do ta kthejnë prapa demokracinë në vend.

Në shënjestër të zemërimit të tyre është kryeministri Viktor Orban, i cili e ka përdorur “supermazhorancën” prej dy të tretave në kuvend që në mënyrë të vazhdueshme të shtrëngojë kontrollin mbi drejtësinë, Bankën Qendrore dhe mediat.

Protestuesit që brohorisnin “Orban largohu”, u mblodhën jashtë ndërtesës së operës shtetërorë të hënën, ndërsa partia e Orbanit, Fidesz mbante një manifestim gala brenda.

Ata po ashtu e quajtën kryeministrin “Viktator”, ndërsa e akuzonin se po e çon vendin anëtar të BE-së e NATO-s drejt diktaturës.

Një nga protestuesit, lideri i sindikatës, Kornel Arok, tha se ndryshimet kushtetuese dhe një mori ligjesh që kanë kaluar në muajt e fundit po e çojnë Hungarinë ka regjimi një partiak.

Problemi kryesor me kushtetutën është se po e shkatërron rendin kushtetues, dhe ligji i ri themelor, në të vërtetë është ligji themelor një-partiak”, tha Arok.

Ndryshimet kushtetuese që hynë në fuqi më 1 janar kanë ngjallur kritika edhe jashtë vendit, në veçanti nga partnerët perëndimorë të Budapestit.

Kur Orbani shtyu përpara legjislacionin e ri, që kufizon pushtetin e kryetarit të Bankës Qendrore, duke i dhënë më shumë kompetenca Këshillit Monetar të emëruar nga qeveria, kreu i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso, kërkoi që të tërhiqeshin këto masa. Por, Orbani refuzoi këshillën.

Ai ngjashëm refuzoi edhe paralajmërimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Brukselit në lidhje me rregulloret e reja, që i japin qeverisë fuqi që të emërojnë zëvendës të bankave.

Qeveria njëjtë injoroi kritikat ndërkombëtare, kur detyroi një numër të madh gjykatësish në vend që të pensionoheshin para kohe.

Pushteti për të zëvendësuar gjykatësit tani gjendet në një person, gjykatësen Tunde Hando, e cila është gruaja e një anëtari të Parlamentit Evropian nga partia Fidesz e Orbanit.

Qeveria ka dobësuar rolin e mediave, duke përdorur kontrollin në Këshillin e Mediave duke ia dhënë frekuencat e radio-stacionit më të popullarizuar opozitar-Klubradio- një kompanie tjetër.

Gazetarët në shumë organizata tani ankohen se po përballen me presionin në rritje nga redaktorët pro-qeveritarë për të kufizuar kritikat ndaj kryeministrit.

Kontrolli i shtrënguar i qeverisë mbi drejtësinë dhe mediat ka bërë që sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton të shkruajë një letër duke thënë se Uashingtoni është i shqetësuar me trendet në vend. Ajo i kërkoi Orbanit që të mbrojë liritë individuale dhe demokracinë.

Orbani, që u bë i njohur si një antikomunist, i ka mbrojtur ndryshimet e tij me nevojën që të përmbyllë tranzicionin e vendit drejt një demokracie të plotë funksionale.

Por, disa amendamente kanë ngjallur reagimet se ai po kërkon që përgjithmonë të vulosë vlerat e veta në Hungari.

Ndryshimet kundërthënëse përfshijnë riemërtimin e vendit nga Republika e Hungarisë në thjesht “Hungari” ku citohet edhe ndikimi i Zotit dhe Krishterimit.

Numri i feve të njohura dhe sekteve fetare është reduktuar nga 300 në 14. Refuzohen tubimet fetare në vende zyrtare për myslimanët, budistët ose hindutë, nëse ata nuk kanë vepruar në Hungari për të paktën 20 vjet.

Në të njëjtën kohë, amendamentet duket se do të përpiqen që të pengojnë debatin mbi abortin, duke konstatuar se jeta fillon në kohën e ngjizjes dhe duke penguar debatin mbi personat e gjinisë së njëjtë, duke e deklaruar martesën si bashkim në mes të burrit dhe gruas.

Ndryshimet e tilla të kushtetutës kanë alarmuar në veçanti kritikët sepse – edhe po që se Orbani humb supermazhorancën e tij parlamentare- mbetet e paqartë, nëse ndonjë parti tjetër kur të vijë në pushtet do të ketë mbështetje të mjaftueshme për të amendamentuar më vonë Kushtetutën.

Ndërsa protestat e rrugëve po rriten, mbetet dilemë se deri kur Orbani mund të varet në mbështetjen popullore, që e dërgoi atë në pushetet në vitin 2010, pas fitores së madhe, duke premtuar “kontratë te re sociale” dhe krijimin e miliona vendeve të reja të punës.

Këto vende milionëshe të punës duhet të materializohen, ndërsa ekonomia e Hungarisë po tregon shenja të vogla përmirësimi.

Pak para Vitit të Ri agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit dhanë nota negative për letrat me vlerë të qeverisë hungareze, duke sinjalizuar investitorët, që të humbin besimin në kapacitetin për kthimin e kredive nga ana e Budapestit.

Kjo bën që, për të tejkaluar krizën ekonomike, Budapest duhet më shumë se kurrë të varet në FMN-në dhe BE-në. Por të dy këto institucione financiare kanë ndërprerë bisedimet me qeverinë e Orbanit, meqë po kundërshtojnë kontrollin e kryeministrit mbi Bankën Qendrore të Hungarisë.

Deri më tash Orbani është përgjigjur ndaj kritikëve të huaj dhe vendorë, në atë, që u bë si markë e tij e modës.

Në mesin e qindra ligjeve të reja që kanë kaluar gjatë 18 muajve sa është në pushtet, është edhe një dekret për të shpallur në pllaka thënien “kontrata e re sociale” dhe “një sistem i unitetit kombëtar”. Pllakat do të vendosen në të gjitha zyrat publike.

Mbetet të shihet, nëse këto pllaka do të bëhen simbol i fuqisë apo dobësisë së tij.(a.i)