Rohan: Serbia t’i normalizojë raportet me Kosovën

Albert Rohan


“Çështja e njohjes do të mbetet e hapur dhe do të shtrohet më së largu nëse një ditë Serbia do të jetë e gatshme për t’u anëtarësuar në BE, sepse pa normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën Serbia kurrë nuk mund të jetë pjesë e BE-së”, u shpreh në një intervistë për Radon Evropa e Lirë, zëvendësndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Albert Rohan.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rohan, dialogu ndërmjet Prishtinës e Beogradit, i cili nisi në vitin e kaluar, pritet të vazhdojë në javët e ardhshme. Duke shikuar në atë që është arritur deri më tani, a prisni ndonjë ndryshim të kursit në të mirë të tërë procesit?

ALBERT ROHAN
Mendoj se i tërë procesi i dialogut, liria e lëvizjes për shembull, shkon në të mirën e njerëzve dhe nëse ka kontroll të kufijve ndërmjet Kosovës e Serbisë, do të duhej të ishte edhe në të mirën e Kosovës e Serbisë. Është në interesin e të gjithëve të ndërpritet kontrabanda e cila po vazhdon të bëhet, e kështu me radhë. Mendoj se procesi është një gjë pozitive, por ajo që nevojitet janë rezultatet. Nuk janë të nevojshme vetëm marrëveshjet, por është i nevojshëm zbatimi i atyre marrëveshjeve. Andaj, shpresoj që BE-ja si ndërmjetësuese do të bëjë më shumë presion në muajt e ardhshëm rreth arritjes së më shumë marrëveshjeve para se të nisin zgjedhjet serbe.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju e përmendët ndërmjetësuesin evropian në dialog, Robert Kuper, i cili tha së fundi se Serbia nuk do të detyrohet ta njoh pavarësinë e Kosovës. A do të duhej të ishte njohja e Kosovës nga Serbia qëllimi përfundimtar i dialogut?

ALBERT ROHAN
Jo, nuk mendoj se kjo ka të bëjë diçka me këtë. Ky dialog ka të bëjë me jetën e përditshme të njerëzve. Sa i përket njohjes, zoti Kuper ka plotësisht të drejtë për momentin, meqë askush nuk pret që Serbia ta njohë Kosovën tani. Ajo që mund të pritet nga Serbia është që ajo të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën dhe që të mundësojë marrëveshjet praktike të cilat ishin të pamundura në të kaluarën. Çështja e njohjes do të mbetet e hapur dhe do të shtrohet më së largu nëse një ditë Serbia do të jetë e gatshme për t’u anëtarësuar në BE, sepse pa normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën Serbia kurrë nuk mund të jetë pjesë e Be-së. Kjo është e qartë.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, a mund të jetë Serbia pjesë e BE-së pa e njohur Kosovën?

ALBERT ROHAN
Duhet të shohim nëse është i mundshëm ndonjë aranzhim, i cili do të siguronte normalizimin e marrëdhënieve dhe përfundimin e konfliktit. Nëse kjo është e mundshme, Serbisë nuk do t’i duhet ta njeh formalisht Kosovën, por kjo gjë duhet analizuar. Më duhet të them se jam skeptik lidhur me këtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Diplomatët në BE thonë se nuk duan ta kenë një Qipro të dytë në BE kur flasin për këtë çështje. A është i mundshëm normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën nëse merren parasysh hapat e deritashëm që Serbia ka bërë gjatë dialogut?

ALBERT ROHAN
Hapat nuk kanë qenë të mëdhenj deri në këtë moment. Këto çështje janë praktike por edhe këto kanë një konotacion politik. Mirëpo, kthimi i kopjeve të kadastrit dhe regjistrit është një hap shumë i vogël dhe nuk është ndonjë punë e madhe. Jemi ende larg normalizimit të marrëdhënieve. Serbia duhet ta lejojë Kosovën të marrë pjesë në nismat rajonale. Kjo do të jetë çështja e radhës në agjendë që të caktohet një term i pranueshëm. Por, kjo është ende larg heqjes së pengesave nga Serbia për të lejuar Kosovën të bëhet pjesë e organizatave ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rohan, meqë po flasim për BE-në. Kur kemi parasysh që pesë shtete evropiane ende nuk e kanë njohur Kosovën, edhe pse Kosova gjatë vitit të kaluar është njohur nga 13 shtete të tjera, çfarë mendoni për diplomacinë kosovare? A kanë bërë autoritetet kosovare atë që është dashur të bëhej?

ALBERT ROHAN
Mendoj se ato kanë bërë gjithë çfarë kanë mundur, sepse kjo çështje mbetet jashtë fuqisë së tyre. Është për keqardhje që pesë shtetet anëtare të BE-së ende nuk e kanë njohur Kosovën. Vendimi i vitit të kaluara i GJND-së ua pat dhënë atyre një mundësi të përkryer për të ndryshuar qasjen e tyre dhe për t’iu bashkuar konsensusit të shumicës brenda BE-së. Të gjithë flasim për solidaritet social dhe ekonomik, por në BE ka nevojë edhe për solidaritet politik. Fakti që BE-ja nuk ka një qëndrim të përbashkët e dobëson rolin e saj, pengon punën e EULEX-it, ia vështirëson Serbisë ta pranojë situatën e pakthyeshme, andaj mendoj se qysh moti ka ardhur koha që këto pesë shtete ta ndryshojnë qëndrimin e tyre. Por, siç e thashë, nuk është në duart e kosovarëve, ata kanë bërë gjithçka të mundshme për t’i bindur këto shtete dhe kanë gjetur hapësirë për bashkëpunim praktik. Pra, u takon vet atyre shteteve dhe BE-së, e cila do të duhej t’u bënte më shumë presion atyre pesë vendeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Pavarësisht këtyre problemeve, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi së fundi se i ka ardhur fundi pavarësisë së mbikëqyrur për Kosovën dhe se Kosova po vepron si shtet edhe në arenën ndërkombëtare. A mendoni se qëndron kjo?

ALBERT ROHAN
Po, mendoj se mbikëqyrjes, sipas të gjitha gjasave, do t’i vjen fundi në fund të këtij viti kur dhe do të mbyllej Zyra Civile Ndërkombëtare. Mendoj se mbi këtë çështje janë pajtuar pothuaj të gjithë. Kosova do të duhej të veprojë e vetme, natyrisht me ndihmën e fuqishme të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, a mund të mbyllet ICO-ja nëse e kemi parasysh që veriu i Kosovës mbetet ende jashtë kontrollit të autoriteteve shtetërore të vendit?

ALBERT ROHAN
Roli i ICO-së ishte që të mbikëqyret zbatimi i planit të emisarit special të Kombeve të Bashkuara dhe këtë e ka bërë. ICO-ja ka analizuar ligjet që janë miratuar nga Kuvendi i Kosovës si dhe amandamentet kushtetuese që janë bërë. Ky ishte roli kryesor me disa funksione ekzekutive. Natyrisht se do të ishte më mirë po që se zgjidhen çështjet në veri dhe ndoshta do të ndodhë diçka pozitive në këtë drejtim. Mirëpo, nuk mendoj se ICO-ja mund të ecë e vetme në këtë rrugë, sepse nuk e ka ndikimin e drejtpërdrejt në veri. Andaj, mendoj se ajo zyre do të mbyllet sipas të gjitha gjasave.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur flasim për veriun-janë prezantuar disa modele për zgjidhjen e kësaj çështje gjatë vitit 2011, ndërsa qeveria ka krijuar një strategji të re për veriun. A mbetet plani i Ahtisarit, të cilin vazhdon të refuzojë Serbia, ende opsioni i vetëm apo e ka dëshmuar situate pas korrikut të vitit të kaluar se është e nevojshme diçka tjetër?

ALBERT ROHAN
Mendoj se ai (plani Ahtisari) është ende e vetmja zgjidhje e pranueshme. Ai ia mundëson komunitetit serb t’i udhëheqin vetë çështjet e tyre brenda strukturave legale të Kosovës. Nëse komunat në veri do t’i shfrytëzonin këto mundësi, të cilat po i shfrytëzojnë komunat në pjesët e tjera të Kosovës, atëherë ata (serbët në veri) do ta kishin një jetë pak a shumë autonome brenda strukturave legale të Kosovës. Ata do të mund t’i mbanin raportet me institucionet e Serbisë, do të mund të merrnin të holla, tekste shkollore në gjuhën serbe. Pra, ata do t’i kishin të gjitha gjërat që duan në mënyrë legjitime përmes planit të Ahtisarit.