Pa ide për përfundimin e procesit

Pasaporta e Kosovës

Këtë muaj Kosova pritet të nisë dialogun zyrtar për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian.

Mirëpo, deri në përfundimin e këtij procesi dhe përmbushjen e të gjitha kritereve të kërkuara nga BE-ja, kosovarët do të vazhdojnë të mbesin të vetmit në rajon, të cilët nuk do të mund të lëvizin pa viza për në shtetet evropiane.

Derisa autoritetet në Prishtinë e quajtën “historik” lajmin se do të nisë procesi i liberalizimit të vizave edhe për Kosovën, qytetarët e quajtën të vonuar përfshirjen e vendit në këtë proces.

Ne e kemi pasur mundësinë të kryhet më herët kjo punë, por kemi shpresa që të bëhet sa më shpejt”, tha Doruntina Demelezi.

Në vitin 2009, Komisioni Evropian kishte hequr vizat për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi, ndërkaq në fund të vitit 2010 vizat për në shtetet evropiane u liberalizuan edhe për qytetarët e Shqipërisë dhe të Bosnjës.

Është vonuar shumë, Kosova madje është dashur të hyjë në këtë proces në të njëjtën kohë me Shqipërinë dhe Serbinë”, theksoi Driton Islami nga Prishtina.

Idriz Salihu, ndërkaq, tha se liberalizimi i vizave nuk është domosdoshmërish i nevojshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Duke folur për gjendjen aktuale ekonomike të vendit, ai u shpreh pesimist për shfrytëzimin e mundësisë së udhëtimit pa viza nga një pjesë e madhe e qytetarëve të vendit.

Nuk e shoh si diçka të madhe se do të bëhet liberalizimi i vizave, kur e shohim situatën ekonomike të cilën e kemi. Por, mendoj se duhet të forcohet ekonomia, prodhimi dhe të përparojë ky vend”, tha ai.

Për të njëjtat nevoja për shtetin e Kosovës në procesin e tij integrues për në Bashkimin Evropian, foli dhe eksperti për çështje evropiane, Shenoll Muharremi.

Shenoll Muharremi

Ai tha se viti 2012 nuk duhet të jetë vit kur Prishtina zyrtare të “bëjë propagandë” vetëm për procesin e liberalizimit të vizave, por se institucionet vendore duhet t’i kushtojnë rëndësi reformave të nevojshme për integrim në BE.

Përkushtimi i institucioneve dhe liderëve kosovarë nuk do të matet vetëm me liberalizimin e vizave, por do të matet edhe me luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, me aktivitetet e tyre sa i përket reformimit dhe funksionalizimit të administratës publike, por mbi të gjitha me sendërtimin e një strategjie dhe investimin në sektorët që çojnë deri te zhvillimi i sektorit privat, zhvillimi socio-ekonomik i Kosovës, i cili do të rregullojë jetën e qytetarëve kosovarë dhe do t’i japë atij më shumë mundësi”, tha Muharremi.

Më shumë mundësi për qytetarët e Kosovës, sipas autoriteteve kosovare, ofron megjithatë liberalizimi i vizave.

Por, ato nuk caktuan ndonjë afat kohor se kur do të mund të shfrytëzohet kjo mundësi nga kosovarët.

Vlora Çitaku

Ministrja për integrime, Vlora Çitaku, tha se gjithçka do të varet nga dinamika e përmbushjes së kritereve të vëna nga Komisioni Evropian.

Sa më shpejt që të përmbushim ne kriteret aq më shpejt qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza. Në praktikat e rajonit ky proces ka marrë nga një vit e gjysmë deri në dy, por nëse kihet parasysh që Kosova në këtë proces hyn shumëfish më e përgatitur se sa vendet e tjera të rajonit, besoj që ne brenda një afati rekord do të bëjmë përmbushjen e kritereve”, theksoi Çitaku.

E pyetur se a do të përmbushen të gjitha kriteret e nevojshme për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës brenda vitit 2012, ajo u shpreh:

Nuk është e ndershme që të bëjmë parashikime të cilat nuk varen ekskluzivisht nga ne, por gjithçka që varet nga institucionet e Kosovës, do ta përmbushim në një afat rekord”, vlerësoi ajo.

Një shpresë për përshpejtimin e liberalizimit të vizave me BE-në për Kosovën jep udhërrëfyesi për këtë proces, të cilin Kosova e kishte krijuar vet, bazuar në udhërrëfyesit zyrtarë të shteteve të rajonit.