Referendumi ilegal në veri

Kuvendet paralele serbe të komunave në veri kanë nisur, në mëngjesin e së mërkurës, tubimet konsultuese rreth një referendumi, me të cilin synohet të qartësohet vullneti i serbëve për lejimin apo moslejimin e shtrirjes së autoritetit shtetëror të Kosovës në këtë pjesë të vendit.

Edhe pse serbët e veriut nuk kanë marrë ndonjë vendim definitiv për mbajtjen e këtij referendumi në nivel të përgjithshëm në këtë zonë, autoritetet kosovare ritheksuan se çfarëdo që të jetë vendimi, ai nuk do të njihet nga Prishtina zyrtare.

Këshilltari për media i presidentes së Kosovës, Arbër Vllahiu, tha se strukturat, të cilat kanë marrë nismën për mbajtjen e këtij referendumi, janë ilegale. Ai theksoi se Kosova, si shtet, ka integritetin e saj territorial dhe se nuk është, siç tha Vllahiu, kompozitë e etnive dhe komuniteteve të ndryshme, të cilat nëpërmjet deklarimit do të mund të shprehen për sovranitetin e shtetit dhe a dëshirojnë të jetojnë brenda kufijve të tij apo jo.
Askush në Kosovë, asnjë komunë apo grupim komunash dhe as edhe një grup etnik, fetar apo politik nuk mund të organizojë referendum për t’u deklaruar se a e pranon shtetin e Kosovës...



“Askush në Kosovë, asnjë komunë apo grupim komunash dhe as edhe një grup etnik, fetar apo politik nuk mund të organizojë referendum për t’u deklaruar se a e pranon shtetin e Kosovës apo jo dhe për t’u deklaruar a i pranon ingerencat e institucioneve të Kosovës në territorin e caktuar”, u shpreh Vllahiu.

Në rast të mbajtjes së referendumit, serbët e Zveçanit, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe të pjesës veriore të Mitrovicës do të shpreheshin pro apo kundër lejimit të autoritetit shtetëror në zonat në veri.

Por, çfarëdo që të jetë rezultati i referendumit, sipas Vllahiut, ai nuk do të prodhojë asnjë efekt.

“E drejta e vetëdeklarimit, në këtë bazë, e komunave në veri të Kosovës, është ilegale dhe kundër-kushtetuese dhe nuk prodhon asnjë efekt”, theksoi Vllahiu.

Për mungesën e ndikimit të këtij referendumi në Prishtinë flasin dhe njohësit e rrethanave politike në vend, të cilët, megjithatë, e vlerësojnë të mangët praninë e institucioneve shtetërore të Kosovës në veri.

Meqë dihet kundërshtimi kategorik i serbëve të veriut ndaj këtyre institucioneve, sipas analistit Leon Malazogu, mbajtja e këtij referendumi vjen më tepër si reagim i serbëve ndaj Beogradit.

Malazogu tha serbët e asaj pjese ndihen të kërcënuar pas intensifikimit të thirrjeve për shuarjen e strukturave paralele serbe në veri, të cilat diplomatët ndërkombëtarë ia drejtuan shtetit serb.
Serbia është në presion që një pjesë të institucioneve paralele-veçanërisht institucionet që lindin drejtpërdrejt nga Beogradi, të shuhen.



“Ata (serbët) ndihen të rrezikuar se këto institucione do të zhduken. Serbia është në presion që një pjesë të institucioneve paralele-veçanërisht institucionet që lindin drejtpërdrejt nga Beogradi, të shuhen. Ky është, në njëfarë mënyre një reagim i serbëve dhe më tepër është presion ndaj Beogradit që të mos u përkulet presioneve nga bashkësia ndërkombëtare, por t’i dëgjojnë më tepër serbët e veriut”, vlerësoi Malazogu.

Që nga paslufta, veriu i Kosovës nuk administrohet plotësisht nga Prishtina zyrtare. Kundërshtimi i serbëve ndaj autoriteteve kosovare u thellua sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Përpjekja e fundit e autoriteteve kosovare për marrjen e kontrollit të pikave kufitare në veri, ndërkaq, çoi në tensionimin e mëtejmë të situatës duke shkaktuar vënien e barrikadave rrugore në atë pjesë të vendit.

Ndërkohë, strukturat, siç quhen, ilegale të komunave në veri dolën nga zgjedhjet e fundit lokale të Serbisë të mbajtura edhe në ato zona.