“Lirshëm” e shtrenjtë

Ashtu siç ishin marrë vesh në muajin korrik, për t’i konkretizuar çështjet në raundin e fundit të dialogut në mes tyre, Kosova dhe Serbia që nga e hëna kanë nisur zbatimin e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes.

Mirëpo, një ndryshim i vogël i bërë në ndërkohë, ka të bëjë me çmimet të cilat qytetarët e të dyja vendeve duhet t’u paguajnë kompanive të sigurimeve kur ata synojnë të hyjnë në shtetin përkatës.

Ditë më parë, Beogradi kishte vendosur tarifën prej 60 eurosh për kosovarët të cilët duan të qarkullojnë në shtetin serb-vendim, të cilit Prishtina zyrtare i ishte përgjigjur me reciprocitet.

Bajram Rexhepi

Ministri i punëve të brendshme, Bajram Rexhepi, i tha Radios Evropa e Lirë se për të mësuar saktësisht këto çështje, qytetarët duhet t’i referohen tabelës së çmimeve të cilën e ka krijuar Byroja Kosovare e Sigurimit.

Çmimet sillen nga 60 euro dhe varen nga periudha kohore. Ato u përmbahen tabelës që e ka bërë byroja e kompanive të sigurimeve”, theksoi ai.

Rrjedhimisht, automjetet me targa të Serbisë që duan të hyjnë në Kosovë për qëndrim 15 ditor duhet të paguajnë nga 15 deri në 145 euro - varësisht llojit të automjetit.

Tabela saktëson dhe çmimet për periudhën një, dy e gjashtë mujore si dhe tregon tarifën që duhet paguar për qëndrimin njëvjeçar.

Çmimorja e aprovuar edhe nga Banka Qendrore e Kosovës thuhet se ka shkaktuar pakënaqësi te banorët shqiptar të Luginës së Preshevës.

Kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, tha se me vendimin e ekzekutivit kosovar janë “getoizuar” shqiptarët e kësaj zone.

Ai i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që ta rishqyrtojë menjëherë vendimin e saj për këtë çështje.

Është një problem shumë serioz dhe në këtë drejtim kujtoj se Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të ndërmarr masa të menjëhershme që këto të hiqen dhe të mundësohet qarkullimi i lirë për të paktën qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës”, u shpreh ai.

Të pakënaqur janë dhe serbët e Kosovës, të cilët, për të hyrë në Serbi do të duhej të paguajnë tarifën 60 euroshe.

Pronari i një agjensioni turistik në Graçanicë, Bogolub Marinkoviq, i quan të larta tarifat e vëna nga shteti serb.

S’kemi pritur të jenë kështu. Kemi menduar që bëhen shumë më të ulëta, por si duket ata janë marrë vesh. Kjo nuk u përshtatet njerëzve. Ne do të punojmë me kushtet e njëjta, sepse e dimë që njerëzit jetojnë vështirë dhe se nuk kanë para“, tha ai.

Ndërkaq, Lubinko Steviq, e quan plaçkitje vendimin e qeverisë serbe.

Çka me bë i shkreti ai që merr 100 euro, që ka fëmijë dhe që duhet të paguajë rrymën e gjëra të tjera...

Ne njëfarë mënyre kjo është njohja e Kosovës si republikë, por edhe njëra nga plaçkitjet më të mëdha edhe për qytetarët serbë edhe për ata shqiptarë. Çka me bë i shkreti ai që merr 100 euro, që ka fëmijë dhe që duhet të paguajë rrymën e gjëra të tjera”, u shpreh Steviq.

Marrëveshja, sipas autoriteteve, do të zbatohet në të gjitha pikat kufitare ndërmjet Kosovës e Serbisë. Por, si do të duket kjo në pjesën veriore të Kosovës, ku liria e lëvizjes pamundësohet nga barrikadat e vëna nëpër rrugë? Ministri Rexhepi sqaron:

Marrëveshja vlen natyrisht edhe për veriun e Kosovës, por në veriun e Kosovës nuk ka fluks të lëvizjes për shkak të barrikadave dhe teknikisht kompanitë e sigurimeve ende nuk kanë bërë zgjidhje për t’i pasur kontejnerët përkatës”, tha ai.

Gjetja e një zgjidhjeje për zbatimin e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes edhe përmes veriut të Kosovës, sipas sekretarit shtetëror në ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, do të duhet të gjendet në vazhdën e dialogut Prishtinë-Beograd.

Veriu është shumë specifik dhe mendoj që në veri kjo do të zgjasë kjo gjendje derisa mund të nis zbatimi i marrëveshjes. Mendoj se disa gjëra duhet të definohen bashkë me zgjidhjet e atyre gjërave që ne i quajmë çështje teknike”, vlerësoi Ivanoviq.

Zbatimi i marrëveshjes, është mirëpritur në ndërkohë, edhe nga ndërmjetësuesi evropian në dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë, Robert Kuper.