Shqipëri: Dështimet dhe sukseset politike

Parlamenti i Shqipërisë

Politika e mbylli në paqe këtë vit, por kjo paqe ishte e vonuar për të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian - çfarë për analistin Blendi Fevziu mund të shënohet dhe si dështimi më i madh politik, për vitin 2011.
Dështim ishte mosmarrja e statusit të vendit kandidat, e që padyshim mund të quhet një dështim i pritshëm.



“Dështim ishte mosmarrja e statusit të vendit kandidat, e që padyshim mund të quhet një dështim i pritshëm. Arritja më e madhe besoj është ristabilizimi situatës politike në gjysmën e dytë të këtij viti, pra pas shtatorit, e cila po e fut konkurrimin politik në kushtet normale ku pritej që të ishte”, thotë Fevziu.

Por, për analistin Andi Bejtja, marrëveshja politike, pas një krize të zgjatur dyvjeçare nuk mund të konsiderohet sukses.

“Nuk mund ta quaj sukses, pasi një marrëveshje kaq e vonuar, për më se dy vjet me kosto të madhe për popullin shqiptar në përgjithësi, e ke të vështirë ta quash sukses. Ishte një marrëveshje e imponuar kryesisht nga ndërkombëtarët. Dështimi i policisë është i qartë, vonesa e marrjes së statusit të vendit kandidat në BE. Si sukses, nëse do ta shohim bardh e zi, mendoj se suksesi më i madh ka qenë që Shqipëria mundi të ruajë disa parametra ekonomikë, që në një farë mënyre e mbajtën larg krizën ekonomike që po sundon Evropën”, vlerëson Bejtja.

Analisti Lutfi Dervishi, e sheh si dështimin ashtu dhe arritjen e politikës, përgjatë gjithë vitit, te klima e re politike.
Fitorja dhe dështimi qëndrojnë te një fjalë - marrëveshja apo konsensusi.



“Fitorja dhe dështimi qëndrojnë te një fjalë - marrëveshja apo konsensusi. Është fitore, sepse u arrit më së fundi një lloj paqeje apo armëpushimi në fund të vitit dhe është fatkeqësi që pati konflikt dhe konfrontim në fillim të vitit që kulmoi me ngjarjen e 21 janarit”, thekson Dervishi.

Me mbylljen e 2011-s, zhvillimi më i afërt politik është ai i zgjedhjes së presidentit në verën e vitit 2012. Por, deri atëherë, thotë analisti Lutfi Dervishi, politika duhet të mbyllë reforma të rëndësishme siç është për shembull, reforma zgjedhore.

“Nga janari deri në qershor e konsideroj periudhën më të mirë të mundshme që dy forcat kryesore politike të bëjnë ndonjë gjë në kuadrin e reformave në interesin më të mirë të vendit. Përndryshe, në qoftë se humbet ky moment, atëherë i afrohemi dalëngadalë vitit elektoral dhe kështu bien mundësitë për të kryer reforma ku kërkohet bashkëpunimi pozitë-opozitë”, shpjegon Dervishi.

Ndonëse nuk ka një debat real, ndoshta sepse është ende herët, pozita dhe opozita do të përballen në garën për presidentin. Variantit për zgjedhjen sipas Kushtetutës së presidentit, opozita i ka hedhur zyrtarisht në këtë fund viti dhe kërkesën e saj për një president konsensual.

Analisti Blendi Fevziu beson se zgjedhja e presidentit nuk do të prodhojë debat pasi Kushtetuta e ndryshuar pas vitit 2008, duket se ia ka thjeshtëzuar punën, mazhorancës për të vendosur për kandidatin.

Blendi Fevziu

“Unë nuk e shoh si debat kaq të madh për arsye se debati bëhet i madh në një moment kur kandidatët zgjidhen nga populli, ose në versionin e parë të zgjedhjes së presidentit përpara ndryshimeve kushtetuese të prillit 2008 , kur presidenti kërkonte konsensus, sepse ishte detyruar të zgjidhej me 3/5 e votave”.

“Aktualisht, presidenti zgjidhet me 50 plus 1 për qind të votave dhe në këtë rast mendoj se i takon mazhorancës të përcaktojë çfarë qëndrimi do të mbajë. Pra, do të nxjerrë një kandidat të sajin, do të nxjerrë një kandidat që mos jetë dhe aq i lidhur me të. Mirëpo, kjo do të jetë një çështje negocimi, jo e gjithë politikës shqiptare por e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim”,
potencon Fevziu.

Edhe analisti Lutfi Dervishi mendon se opsioni për president konsensual është i tejkaluar, duke mbështetur variantin kushtetues për këtë çështje.

Sa i takon zgjedhjes së presidentit, së pari unë nuk do të isha dakord me termin president konsensual. Presidenti i Shqipërisë është president kushtetues dhe me ndryshimet kushtetuese të bëra me konsensus të plotë mes z. Rama dhe z. Berisha në prill të vitit 2008, nuk shoh problem në zgjedhjen e presidentit. Sigurisht, do të diskutohet cilësia e kandidatit, sepse do të zgjidhet kryetari i shtetit, simboli i unitetit, por nuk ka problem krize te kuptimin që do të kërkojë marrëveshje të madhe siç u bë në vitin 2002 me z. Moisiu, për shkak se kërkohej një shumicë e cilësuar prej 3/5 apo sforco politike që kulmuan në vitin 2007 me zgjedhjen e presidentit Bamir Topi”, shprehet Dervishi.

Viti që vjen do të jetë një vit më i sofistikuar në skenën politike, pasi nuk janë vetëm dy aktorët që jemi mësuar t’i shohim deri tani, Berishën dhe Ramën.

Deri në verën e 2012 të gjitha opsionet janë në lojë - shtuar këtu dhe dëshirën e shprehur publikisht të ish-kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nano, për të kandiduar për president. Sipas analistit Andi Bejtja, një gjë mund të thuhet me siguri - se viti 2012 do të jetë shumë kompleks.

“Viti që vjen do të jetë një vit më i sofistikuar në skenën politike, pasi nuk janë vetëm dy aktorët që jemi mësuar t’i shohim deri tani, Berishën dhe Ramën. Për shkak të zgjedhjes së presidentit të ri, bota politike do të jetë disa polare. Nuk është thjesht z. Nano që është futur në lojë më shumë si individ, për momentin, sesa si forcë politike, por kemi dhe z. Topi, i cili ka deklaruar se do të krijojë një forcë të re politike, kemi dhe shume grupime të tjera që lëvizin në mënyrë të paditur për momentin, e që mund t’i bashkohen një grupimi politik në të ardhmen”, përfundon Bejtja.