ICO s’mbyllet domosdo më 2012

Ilustrim

Përveç autoriteteve kosovare, edhe Zyra Civile Ndërkombëtare është duke menduar për përfundimin e misionit të saj në Kosovë.

Mirëpo, përfaqësuesit e kësaj zyre thanë se pavarësia e mbikëqyrur do të përfundojë atëherë kur të jetë zbatuar në tërësi plani i Marti Ahtisaarit.

Ky plan parasheh shtirjen e autoritetit kosovar në pjesën veriore të vendit përmes procesit të decentralizimit - proces deri më tani i kundërshtuar nga serbët e asaj pjese, të cilët në zgjedhjet e fundit lokale të Serbisë, kishin zgjedhur liderët e tyre për komunat në veri.

Zëdhënësi i ICO-së, Kristian Palme, i tha Radios Evropa e Lirë se, pavarësisht problemeve të deritashme, zbatimi i decentralizimit do të mbetet prioritet i Zyrës Civile Ndërkombëtare. I pyetur se sa po pengon realiteti aktual në veri të Kosovës punën e ICO-së, Palme u shpreh:
Ka një varg çështjesh, në të cilat po punojmë, por nuk mund të hy në detaje.



“Ka një varg çështjesh, në të cilat po punojmë, por nuk mund të hy në detaje”.

Palme tha se që në muajin nëntor me autoritetet vendore ishte diskutuar për përmbylljen e misionit të ICO-së në Kosovë. Megjithatë, ai bëri të qartë se vendimin përfundimtar për këtë çështje duhet ta marrin përfaqësuesit e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, i cili do ta mbajë takimin e radhës në janar të vitit të ardhshëm.

“Takimi i radhës i ISG-së në nivelin kryesor, pra, në nivelin e drejtorëve të Ballkanit Perëndimor do të mbahet në Vjenë, më 24 janar të vitit të ardhshëm. Gjatë takimit, do të diskutohen detyrat e ICO-së për vitin e ardhshëm dhe do të miratohet buxheti për vitin 2012. Por, ky takim nuk do të dallojë nga takimet e deritashme të ISG-së”, tha Palme.

I bindur që në janar do të konkretizohen çështjet rreth përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur, u shpreh të enjten kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Por, njohësit e rrethanave politike në Prishtinë thonë se pa e shtrirë autoritetin shtetëror në pjesën veriore të Kosovës, as që mund të bëhet fjalë për mbylljen e zyrave të ICO-së.

Ardian Arifaj nga Instituti KIPRED u shpreh pesimist për mundësinë e integrimit të veriut brenda vitit 2012.
Nuk besoj që një vit do të mjaftojë që ajo ta përmbushë misionin për të raportuar para Grupit Drejtues Ndërkombëtar...



“Nuk besoj që një vit do të mjaftojë që ajo (Zyra Civile Ndërkombëtare) ta përmbushë misionin për të raportuar para Grupit Drejtues Ndërkombëtar se ka përmbushur misionin e vet dhe se mund ta mbyllë zyrën në Prishtinë”, theksoi Arifaj.

Ndikimi i Beogradit te serbët lokalë në veri të Mitrovicës, sipas Arifajt, do të vazhdojë të jetë pengesa kryesore për zbatimin e decentralizimit në atë pjesë të vendit.

“Beogradi nuk mund të përjashtohet nga ekuacioni, sepse Beogradi është shumë i përzier në veri dhe mban në dorë shumë frena të gjendjes në veri”, u shpreh Arifaj.

Autoritetet kosovare, ndërkaq, kanë paralajmëruar krijimin e një strategjie të re për integrimin e veriut të Kosovës, në të cilën do të përfshiheshin kërkesat e Komisionit Evropian.

Se si do të duket kjo strategji, se a do të jetë në përputhje me Planin Ahtisaari dhe se kur do të nisë së zbatuari, mbetet të shihet në muajt e ardhshëm.

Mbetet, po ashtu, e paqartë se a do të mund të hiqen barrikadat rrugore, të cilat vazhdojnë të pengojnë qarkullimin e lirë në veri të vendit.