Mungesë trajtimi në zemër

Ilustrim

Fëmijët e lindur me anomali në zemër nuk mund të operohen në Kosovë.

Kjo ndodh si mungesë e resurseve humane, e po ashtu edhe kushteve në të cilat gjendet shëndetësia kosovare në përgjithësi.

Leonora Sh. një nënë të cilës i ka lindur vajza me parregullsi në zemër, thotë se ka pasur shumë vështirësi, pasi që intervenimet në zemër nuk ofrohen në Kosovë.

Ajo thotë se nuk ka marrë asnjë ndihmë nga institucionet e Kosovës.

Por megjithatë, ajo ka arritur ta dërgojë vajzën e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për operim, por ka qenë me vonesë.

Vajza ime ka pasur problem me sëmundjen e zemrës. Ajo nuk ka mundur të shërohet këtu, dhe unë nuk kam mundur t’i ofroj asgjë këtu, përveç dashurisë, edhe ilaçeve. Më është dashur ta dërgoj jashtë vendit, më është dashur të bëj të pamundurën. Tash vajza është operuar, por ka qenë shumë vonë, pasi që ajo është dashur të operohet kur ka qenë 6 muajshe, e është operuar 18 muajshe”.

Sipas saj, vetëm një shërbim që quhet katederizim, i ka kushtuar 50 mijë dollarë. Ajo ka pasur nevojë të madhe për ndihmë institucionale, derisa atë nuk e ka marrë asnjëherë.

Të gjithë prindërit që e kanë fëmijën e sëmurë prej zemrës, e kanë atë problem, meqenëse operacionet nuk kryhen këtu. Është shumë e rëndë kur në vendin tënd nuk mundesh t’i ofrosh asgjë fëmijës tënd, veçse duhet të lobosh sa ma shumë se kush po të ndihmon. Operacioni ka kushtuar shumë shtrenjtë”.

Ndërkaq, Ramush Bejiqi, pediatër – kardiolog, thotë se lista e fëmijëve që presin për intervenime kardiologjike është shumë e gjatë, derisa këto operacione nuk kryhen në Kosovë.
Ne ende nuk bëjmë intervenime kardiokirurgjike. Kemi bërë operacion 16 fëmijë gjithsej, dhe kjo është bërë me ekspertë të huajë.

Ne ende nuk bëjmë intervenime kardiokirurgjike. Kemi bërë operacion 16 fëmijë gjithsej, dhe kjo është bërë me ekspertë të huajë. Kurse operacionet që u janë bërë fëmijëve të tjerë janë bërë jashtë vendit. Problemi qëndron që ne kemi numër të madh të fëmijëve që presin për intervenime kardiokirurgjike, ku lista e tyre është shumë e gjatë”, shprehet Bejiqi.

Në anën tjetër, ministri i shëndetësisë Ferid Agani thotë se me trajtimin e anomalive të lindura të zemrës te fëmijët, shëndetësia kosovare ka vështirësi të theksuara.

Sipas ti,j e vetmja mënyrë për t’iu ndihmuar fëmijëve me nevojë është bashkëpunimi me spitale botërore, ku dërgohen këta fëmijë për trajtim, përmes Ministrisë së Shëndetësisë.

Këtë problem Ministria e Shëndetësisë e ka zgjidhur nëpërmjet dërgimit të fëmijëve në Turqi për trajtimit falas të 100 rasteve çdo vit. Gjithashtu edhe përmes bashkëpunimit me shoqata humanitare nga Evropa Perëndimore dhe SHBA-të. Si ministri, në kuadër të këtij bashkëpunimi, kemi arritur të trajtojmë për këto 10 vjetët e fundit mbi 850 raste”.

Ferid Agani

Sipas statistikave, çdo vit lindin 250 deri në 300 fëmijë me të meta në zemër.

Andaj, sipas ministrit Agani, ndihma për të gjithë është e pamundur, pasi që është një barrë shumë e madhe për ministrinë si institucion, me një buxhet të limituar.

Ministrisë së Shëndetësisë i kushton një fëmijë deri në 30 mijë, dhe kjo është aq sa paguan më së shumti ministria. Që të gjejmë edhe zgjidhje sa më të shpejta, isha në Vjenë për të kontaktuar me një grup të aleancës për fëmijë, dhe kemi arritur disa marrëveshje që të vazhdohet me dërgimin e fëmijëve atje”, bën të ditur Agani.

Ndryshe, kardiokirurgët kosovarë mund të bëjnë diagnostikimin e fëmijëve që kanë probleme me zemrën, por jo edhe intervenime për ta, derisa prindërve u mbetet të gjejnë mbështetje qoftë nga institucionet e vendit apo nga organizata humanitare, për t’i kryer këto intervenime.