BE mund të rikthejë vizat

Ilustrim

Bazuar në rregullat e reja, për të cilat u arrit pajtueshmëri dje në Bruksel, qeveritë e Bashkimit Evropian do të kenë mundësi që shumë shpejt të rivendosin kërkesat për viza për udhëtarët nga vendet e Ballkanit Perëndimor, në rast se ka ndonjë fluks të papritur të emigrantëve.

Vendimi i ministrave të brendshëm të BE-së ka adresuar shqetësimet për një rritje të lartë të azilkërkuesve nga vendet e Evropës Lindore, shumica prej të cilëve i takojnë komunitetit rom, njofton agjencia e lajmeve Reuters.

Shumica e qytetarëve nga Ballkani tani mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen. Një gjë e tillë ka bërë që të rritet numri i azilkërkuesve në disa vende të Evropës perëndimore, veçanërisht në Gjermani, Belgjikë, Luksemburg dhe Suedi.

Rregullat e reja, njofton Reuters, do ta lehtësonin anulimin e udhëtimit pa viza për shtete të caktuara.

Parlamenti Evropian ende duhet të diskutojë dhe të votojë për këto masa.

Qeveritë e Bashkimit Evropian mundësuan udhëtimin pa viza për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjës në fund të vitit 2010, një vit pasi i dhanë të njëjtën mundësi Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, me qëllim të promovimit të stabilitetit në Ballkan.

BE-ja është në proces të marrëveshjes për udhëtim pa viza për Ukrainën dhe Moldavinë, por është duke vënë kushte për sigurinë e dokumenteve të udhëtimit dhe menaxhimin e emigrantëve ilegalë. (v.k.)