Marrëveshjet të zbatohen në terren

Doris Pak

“Më e pakta që mund të bëhet deri në muajin mars është të zbatohen ato çështje, mbi të cilat janë pajtuar palët deri më tani. Kemi pasur marrëveshje me një lloj rezultati apo kompromisi, por ato nuk janë vënë në jetë”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë eurodeputetja Doris Pak.


RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Pak, Këshilli Evropian u pajtua të premten me rekomandimet e Këshillit të Ministrave drejtuar Komisionit Evropian, për nisjen e dialogut për liberalizimin e vizave për Kosovën. Mirëpo, mbetet e paqartë se kur do të nisë ky proces zyrtarisht. A është ky, siç thuhet në Prishtinë, një hap historik për Kosovën apo është një proces që është dashur të nisë kohë më parë?

DORIS PAK
Gjërat mund të ndodhin gjithmonë më parë, por jam e lumtur që kanë nisur të paktën të ndodhin gjëra të tilla. Mendoj se ka ardhur koha e fundit, sepse Kosova është i vetmi vend në Ballkan, ku njerëzit nuk gëzojnë lirinë e lëvizjes sikurse që bëjnë në vendet e tjera. Nuk do të duhej t’i quanim gjithmonë ‘historike’ gjërat.
Është mirë që ka ndodhur dhe është një shenjë e mirë për të ardhmen e Kosovës, por është koha e fundit.

RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër, është theksuar se Serbisë nuk do t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, përderisa pala serbe nuk zbaton marrëveshjet e arritura, deri më tani, në kuadër të dialogut teknik me Prishtinën. A mendoni se do t’i zbatojë Beogradi zyrtar këto marrëveshje deri në muajin mars të vitit të ardhshëm?

DORIS PAK
Kam frikë se nuk do ta bëjë meqë do t’i ketë zgjedhjet. Në të gjitha anët në Beograd po luhet me ‘kartën nacionale’ dhe këtu ekziston rreziku - mendoj unë.

Ajo që është thënë tani, është thënë edhe më parë; ata e patën dëgjuar me vëmendje zonjën Merkel kur ajo pat vizituar Beogradin. Kur ata (BE-ja) bënë raportin për Komisionin, ata ishin në kontakt me zotin Tadiq dhe e kanë ditur se çfarë do të ndodhë dhe nuk kanë bërë asgjë në këtë drejtim deri më tani.

Mendoj se do të jetë e vështirë për ata të përmbushet kjo, por nëse duan vërtet të ecin përpara, ata duhet të bëjnë asisoj. Mendoj se po të ishte gjallë Zoran Gjingjiqi, ata do të ishin më afër BE-së, sepse ai ka qenë një politikan realist dhe pragmatik.

Të luash me ‘kartën nacionaliste’ nuk është diçka ndihmuese as për Serbinë, as për vendet fqinje, e as për Bashkimin Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Ende nuk ka ndonjë afat kohor për fazën e ardhshme të dialogut, por çfarë nëse Beogradi nuk tregon vullnet për të zbatuar marrëveshjet e arritura deri më tani -me theks të veçantë tek ajo për menaxhimin e pikëkalimeve kufitare? A do të ketë arsye për Kosovën që ta vazhdojë dialogun?

DORIS PAK
Kosova gjithmonë do të duhej të ishte në favor të zhvillimit të dialogut, sepse është në interesin e saj, e veçanërisht në interesin e serbëve që jetojnë në Kosovë. Çdokush do të duhej të kishte interes në këtë.

Mendoj se askush nuk do të duhej ta ndalte këtë, por nëse Beogradi nuk bën asgjë, me kë do ta zhvillonte Prishtina dialogun?! Kjo është shumë e vështirë.

Mirëpo, nuk bëhet fjalë vetëm për zhvillimin e dialogut dhe arritjen e rezultateve -ato rezultate duhet të zbatohen. Kjo është ajo që duhet. Ata janë pajtuar për mbrojtjen e përbashkët të kufirit, por problemi qëndron në zbatimin e asaj marrëveshjeje.

Më e pakta që mund të bëhet deri në muajin mars është të zbatohen ato çështje, mbi të cilat janë pajtuar palët deri më tani. Kemi pasur marrëveshje me një lloj rezultati apo kompromisi, por ato nuk janë vënë në jetë.

RADIO EVROPA E LIRË
A është treguar, në fakt, Brukseli i drejtë dhe i barabartë me Prishtinën dhe Beogradin, kur bëhet fjalë për të ashtuquajturat “benefite” që të dyja palët do t’i kishin nga dialogu?

DORIS PAK
Çfarë janë benefitet?! Nuk bëhet fjalë për benefite, por bëhet fjalë për arritjen e një situate normale, që do të thotë të arrihet një raport më i mirë në aspektin fqinjësor.

Përderisa nuk zgjidhen shumë gjëra për njerëzit që jetojnë në Kosovë, ata (Serbia) ndoshta përfitojnë më shumë. Por, Serbia përfiton në atë mënyrë saqë në fund bëhet më ndihmuese për t’iu afruar Bashkimit Evropian. Ky është përftimi për Serbinë.

Nuk mund të pranojmë më askënd në unionin tonë, nëse ka probleme të mëdha me fqinjët. Këtë e kemi bërë me Qipron dhe më besoni se askush nuk dëshiron ta ketë një Qipro të dytë brenda Bashkimit Evropian. Andaj, mendoj se është në interesin e të dyja palëve, por të dyja kanë interesa të ndryshme nga ky proces.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Pak, pa marrë parasysh se cilët do të jenë hapat e ardhshëm në këtë drejtim, duket se veriu i Kosovës do të mbetet problem edhe në vitin 2012. A shihni ndonjë opsion që do të çonte në ndonjë zgjidhje për veriun e Kosovës, apo është e nevojshme një marrëveshje politike?

DORIS PAK
Marrëveshjet politike gjithmonë janë të nevojshme, por nëse veriu i Kosovës do të dukej të paktën si pjesët qendrore të Kosovës, ku serbët jetojnë dhe merren me angazhimin e tyre politik, do të ishte më mirë.

Do të ishte më mirë të merren si shembull serbët e pjesës qendrore të Kosovës, sesa të ngrihen barrikada e të sulmohen ushtarët gjermanë dhe austriakë. Është e nevojshme një marrëveshje politike që po synohet të arrihet përmes dialogut.
Nuk ka asnjë mundësi tjetër; nuk duhet të bëhet fjalë për ndryshimin e kufijve apo vënien e kufijve të ri - kjo do të shkaktonte një domino-efekt.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, mendoni se nuk do të duhej të kishte ndonjë status special për veriun e Kosovës?

DORIS PAK
Sipas Planit të Marti Ahtisarit do të kishte një status special; do të kishte një lloj autonomie. E kemi parë këtë në pjesën jugore të Kosovës, me krijimin e rajoneve e qarqeve të reja ku ka një shumicë serbe.

Mendoj se e njëjta do të ndodhte edhe me veriun. Përse nuk po veprojnë sipas Planit të Ahtisarit? Atëherë do të merrnin atë që duan, me efektin anësor, që pastaj të mos jenë të qeverisur nga Beogradi.

Kjo është ana tjetër - pavarësia e Kosovës, e cila megjithatë nuk është në shpërputhje me ligjin ndërkombëtar, ashtu siç është shprehur edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.