Mbështetje për dialogun e vizave

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi,me presidentin e Këshillit të BE-së, Herman Von Rompej.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është duke e vazhduar qëndrimin e tij në Bruksel, ku të mërkurën në selinë e Bashkimit Evropian është pritur nga presidenti i BE-së, Herman Von Rompej.

Pas këtij takimi, Thaçi tha se takimi ishte konstruktiv dhe në të u shpreh mbështetja e BE-së është për perspektivën e qartë evropiane të Kosovës.

Kryeministri Thaçi tha se posaçërisht mori mbështetje për nisjen e dialogut për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, sikurse dhe për hapjen e perspektivën e përfshirjes së Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe për raportet tregtare me Bashkimin Evropian.

Thaçi foli edhe për raportet e Kosovës me fqinjët, duke nënvizuar se Kosova ka raporte të shkëlqyeshme me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, dhe po ashtu është e përkushtuar që të ketë raporte të mira edhe me Republikën e Serbisë, si dy shtete të pavarura.

Presidenti i BE-së, Herman Von Rompej, lëshoi një deklaratë me shkrim, pas takimit me kryeministrin Thaçi, ku u shpreh se ai përshëndetë marrëveshjen e arritur në mes të Prishtinës dhe Beogradit për menaxhimin e integruar të pikëkalimeve.

Herman Von Rompej tha se të dyja palët duhet ta implementojnë këtë marrëveshje, ndërsa shprehu mirënjohje për rolin konstruktiv të kryeministrit Thaçi në arritjen e këtyre marrëveshjeve, dhe inkurajoi atë që të bëjë më shumë për të arritur edhe marrëveshje tjera në të ardhmen.

Edhe në deklaratën e presidentit të BE-së, Herman Von Rompej, thuhet se i tërë rajoni i Ballkanit ka perspektivë evropiane dhe se në rastin e Kosovës, konkludimet e ministrave të BE-së, të miratuara para dy ditësh ishin pozitive dhe ato hapin mundësinë për procesin e liberalizimit të vizave, sikur edhe për afrimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, të mërkurën në Bruksel për Kosovën janë duke diskutuar edhe ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen ka përshendetur nisjen e heqjes së barrikadave në veri të Kosovës, por ka thënë se të gjitha barrikadat duhet të hiqen dhe duhet të sigurohet liria e lëvizjes për të gjithë në Kosovë.

Ministrat e NATO-s kanë dënuar edhe sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në veri të Kosovës, dhe kanë ftuar të gjitha palët që të përmbahen nga provokimet, dhe të bashkëpunojnë me praninë ndërkombëtare në Kosovë.

Edhe NATO-ja e ka mirëpritur marrëveshjen për menaxhimin e integruar të pikëkalimeve – IBM, dhe ka bërë ftesë për implementimin sa më të shpejtë të kësaj marrëveshjeje, e cila, sipas NATO-s, nëse implementohet, do të sigurojë lirinë e lëvizjes në veri të Kosovës.

NATO-ja edhe kësaj radhe i ka shprehur mbështetje të plotë misionit të KFOR-it në kryerjen e detyrës në kuadër të mandatit që ka nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.