Nis largimi i barrikadave

KFOR-i duke larguar barrikadat...

Përfaqësues të KFOR-it konfirmojnë se ka nisur largimi i barrikadave në komunën e Zubin Potokut.

Ata kanë nisur të heqin barrikadat dhe ky është hap i madh përpara”, i tha Radios Evropa e Lirë, zëdhënësi I KFOR-it, Uve Novicki.

Ky njoftim vjen disa orë, pasi që mediat serbe raportuan se është arritur një marrëveshje mes serbëve dhe përfaqësuesve të KFOR-it për qarkullimin e lirë në rrugën Zveçan-Zubin Potok, përkatësisht në Jagnenicë, vend ky, në të cilin javën e kaluar, KFOR-i u përpoq të hiqte barrikadën e vendosur nga serbët.

Nëse gjërat shkojnë kështu, ne do të kemi liri të lëvizjes në komunën e Zubin Potokut. Barrikadat janë hequr vetëm në komunën e Zubin Potokut”, tha Novicki.

KFOR-i sqaron se në mënyrë që të përshpejtojë aksionin, ka ndihmuar në largimin e zhavorrit duke përdorur bulldozer dhe tenk inxhinierik.

“Megjithatë, KFOR-i nuk i vlerëson aktorët vetëm nga fjalët e tyre, por nga ajo cfarë bëhet në të vërtetë. Deri më sot, për shembull, grumbuj të zhavorrit ndodhen në Bërnjak dhe Jarinë, në territorin e Serbisë, të cilat e pengojnë lirinë e lëvizjes së qytetarëve në drejtim të veriut”, thuhet në një njoftim për media.

Aty po ashtu bëhet e ditur se nga “dita e sotme, në rrugën ndërmjet Zupçes dhe Zveçanit do të ketë pikë kontrolli të automjeteve të përbashkët ndërmjet KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, në mënyrë që të sigurohet ambient i qetë dhe i sigurt në luginën e Zubin Potokut”.

Mediat serbe njoftuan më herët për një marrëveshje për lejimin e qarkullimit në rrugën që çon nga Zveçani në Zubin Potok, përkatësisht në Jangnenicë, e arritur në mes të përfaqësuesit të Zubin Potokut, Slavisha Ristiqi dhe atij të KFOR-it, Adolf Konrad.

KFOR-i nuk dha detaje në lidhje me marrëveshjen në fjalë.

Ristiq, pas takimit me përfaqësues të KFOR-it, ka thënë se “kjo nuk do të thotë se do të hiqen barrikadat dhe se nga to do të largohen njerëzit”.

Ata do të mbesin aty”, ka thënë Ristiq.

Sipas sekretarit shtetëror të Ministrisë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviqit, me këtë marrëveshje, hapet rruga për heqjen e barrikadave.

Por, lideri i Partisë Liberale Serbe, Çedomir Jovanoviq, ka thënë se me këtë marrëveshje nuk hiqen barrikadat, por i lejohet qarkullimi KFOR-it, gjë që sipas tij, ka qenë i mundur edhe me marrëveshjet e mëhershme.

Që nga vera e sivjetme, serbët kanë ngritur barrikadat nëpër rrugët në veri në shenjë kundërshtimi ndaj vendosjes së policëve dhe doganierëve kosovarë në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinë.

Duke kundërshtuar përpjekjet e KFOR-it për heqjen e barrikadave në javën e kaluar, protestuesit serbë plagosën me armë zjarri dy ushtarë gjermanë, dhe lënduan dhjetëra të tjerë me mjete shpërthyese.(a.i.)