Dialogu pa perspektivë

Ilustrim

Dialogu teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duket i paperspektivë, thonë analistët politikë në Prishtinë. Ata fajësojnë kryekëput Serbinë për dështimin e tërësishëm eventual të dialogut dhe rezultateve të tij.

Këtë vlerësim e bazojnë në faktin se Serbia, sipas tyre, është munduar që dialogun me Kosovën ta shfrytëzojë si një mjet për arritjen e qëllimit të marrjes së statusit të vendit kandidat për integrim në Bashkimin Evropian.

Ndërkohë që zhvillimet në veri të Kosovës dhe zgjedhjet e pranverës së ardhshme në Serbi, të cilat e kanë rikthyer diskursin e një politike nacionalistë serbe karshi Kosovës, sipas analistëve, besohet se do të pamundësojnë perspektivën e këtij dialogu që po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Publicisti dhe analisti politik, Milazim Krasniqi, thotë se nuk pret rezultate domethënëse nga bisedimet aktuale.

“Absolutisht mendoj që rezultatet e këtij dialogu do të jenë minimale ose zero, përderisa nuk ndërron mentaliteti i Serbisë, qeverisë dhe shtetit serb, i cili vazhdon t’i financojë strukturat kriminale dhe vazhdon të ndërhyjë në territorin e Kosovës dhe vazhdon të japë mesazhe luftë-nxitëse”, vlerëson Krasniqi.

Nisur nga këto veprime të Beogradit zyrtar karshi Kosovës, Krasniqi mendon se Serbia përmes këtij dialogu si synim ka vetëm statusin e vendit kandidat për në BE, pasi që përmes këtij statusi do t’i krijohej një hapësirë më e madhe manovruese për të vazhduar politikën e saj të ndërhyrjes në Kosovë.

Foto nga arkivi


Ndërkohë, publicisti dhe analisti tjetër politik, Belul Beqaj, thotë se pengesat e shfaqura deri më tani në dialog, në vend se të pakësohen, ato po shtohen. Andaj, vijon Beqaj, perspektiva e këtij dialogu po bëhet gjithnjë e më e mjegulluar. Ai thotë se nuk pret ndonjë rezultat domethënës në bisedime para mbajtjes së zgjedhjeve të lira në Serbi.

“Perspektiva e dialogut po bëhet gjithnjë e më e mjegulluar dhe do të mungojnë sipas të gjitha gjasave, rezultatet e dialogut deri në momentin e shpalljes dhe përfundimit të zgjedhjeve të lira në Serbi. Prandaj, deri në momentin e zgjedhjeve nuk pres ndryshime të mëdha, të cilat janë aq shumë të pritura nga qytetarët, për të cilët gjoja se po zhvillohet ky dialog”, thotë Beqaj.

Synimet e Serbisë në këtë dialog janë krejt politike, thotë analisti Belul Beqaj. Sipas tij, bisedimet i hyjnë në interes Serbisë për qëllime krejt tjera, krahasuar me agjendën e paraqitur të bisedimeve nga ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian.

“Deri më tani u pa që qëllimi i dialogut ka qenë vetë dialogu. Pra, Serbia në të vërtetë ka dy qëllime kryesore; nën një ta ruajë sovranitetin e saj në veri të Kosovës dhe nën dy, eventualisht ta ruajnë pushtetin ata që janë bartës të këtij dialogu ”, thekson Beqaj.

Në anën tjetër, analisti Milazim Krasniqi thotë se gjatë gjithë kohës së mbajtjes së dialogut me Kosovën, Serbia e ka radikalizuar edhe më shumë politikën e vet karshi Kosovës.

Ky dialog, sipas Krasniqit, po bëhet pjesë e garës nacionaliste zgjedhore në Serbi, që si pasojë mund të viktimizojë fillimisht, pikërisht këtë proces bisedimesh.

Sfondi politik në Serbi është përkeqësuar jashtë mase me paralajmërimin e zgjedhjeve parlamentare, sepse forcat ekstremiste, nacionaliste, radikale po rigrupohen me idenë e marrjes së pushtetit dhe kjo po e detyron qeverinë e Tadiqit që të bëjë garë me nacionalizëm me ta, duke shkelur edhe premtimet që i ka dhënë para komunitetit ndërkombëtar. Kështu që nga kjo garë e nacionalizmit në Serbi, tash viktima e parë padyshim që do të jetë pikërisht dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thotë Krasniqi.

Analistët vlerësojnë, po ashtu, se Bashkimi Evropian pavarësisht që ka në duart e veta mekanizma të mjaftueshëm për ta frenuar nacionalizmin serb karshi Kosovës, nuk i shfrytëzon këto mundësi pasi që nuk ka politikë unike në raport me shtetin e Kosovës, të cilin nuk e njohin pesë vende anëtare të këtij unioni.