Dallime të mëdha

Kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri.

Në selinë e Bashkimit Evropian në Bruksel, delegacionet nga Kosova dhe Serbia kanë rifilluar sot dialogun, i cili ishte ndërprerë para disa muajsh.

Edhe në ditën kur rifilloi ky dialog, të dyja palët shprehën qëndrimet e tyre që tregojnë dallime të qarta rreth bazave ligjore të asaj që mund të arrihet në këtë dialog dhe të zbatohet si marrëveshje.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, njëherësh shefe e delegacionit të Kosovës në këtë dialog, ka insistuar se të gjitha marrëveshjet duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ndërkohë që shefi i delegacionit të Serbisë, Borisllav Stefanoviq, i është kundërpërgjigjur, duke thënë se nuk do të pranohet asgjë nga ana e Serbisë, që do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e saj.

Në fillim të dialogut, palët kanë paralajmëruar si tema kryesore: telekomin, energjinë dhe bashkëpunimin rajonal, ndërsa Edita Tahiri ka paralajmëruar se do të hapet edhe tema e re – ajo për menaxhimin e integruar të kufijve.

Tahiri ka shpjeguar se kjo nuk do të thotë se Kosova do të pranojë ndonjë negociatë për kufijtë, sepse “Kosova, si shtet i pavarur, i ka kufijtë e saj të definuar, ashtu si edhe integritetin territorial”.

Borisllav Stefanoviq

Shefi i delegacionit të Serbisë, Stefanoviq, ka thënë se nuk mund të flitet për kurrfarë kufijsh, sepse, sipas tij, “mes Serbisë dhe Kosovës nuk ka kufi, sepse Kosova nuk është shtet dhe Serbia do të insistojë në qëndrimin e saj”.

I pyetur se si mund të arrihet kompromisi nëse të dyja palët insistojnë se nuk do të pranohet asnjë zgjidhje po qe se nuk është në përputhje me kushtetutat respektive, Stefanoviq ka thënë se deklarata të tilla do të ketë edhe në të ardhmen dhe se ka pasur edhe në të kaluarën, por “qëndrimet e tilla nuk kanë parandaluar që të ketë marrëveshje në disa pika”.

Palët sot kanë shkëmbyer kritika edhe rreth asaj se përse nuk janë zbatuar marrëveshjet e arritura deri më tani.

Përderisa Stefanoviq ka thënë se nuk ka pasur mundësi të arrihej përparim më i madh për shkak të, siç është shprehur, “kokëfortësisë së Prishtinës”, Edita Tahiri ka kritikuar Serbinë për mungesë të gatishmërisë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

I pyetur se përse Serbia nuk i ka zbatuar marrëveshjet, Stefanoviq ka thënë: “Për dallim nga Kosova, Serbia është shtet dhe si shtet i ka ligjet dhe procedurat e veta”.

Rifillimi i dialogut ka qenë një ndër kushtet për Serbinë për të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Se si do të reflektohet rifillimi i dialogut, mbetet të shihet në qëndrimet e vendeve anëtare të BE-së.