Demotivimi shtetëror

Ilustrim

Kushtet e vështira të të bërit biznes në Kosovë kanë detyruar 750 subjekte private të mbyllin aktivitetin e tyre vetëm për 10 muaj të këtij viti.

Shteti nuk krijon kushte për të zhvilluar aktivitete.

Arsim Berisha ka qenë pronar i një firme tashmë të falimentuar. Ai tregon se në Prishtinë ka pasur një dyqan me gjëra ushqimore, në të cilin kanë punuar tre punëtorë. Ai thotë se gjatë këtij viti e ka çregjistruar biznesin e tij, për shkak të ngarkesave të larta tatimore dhe rënies së fuqisë blerëse.

“Shteti nuk krijon kushte për të zhvilluar aktivitete. Hapja e marketeve të mëdha, pas së cilave fshihen emra të politikanëve- milionerë, ka bërë që në dyqanet e vogla të bjerë fuqia blerëse. Madje, për të ekzistuar duhet të marrë edhe kredi, normat e të cilave janë shumë të larta. Kur të mblidhen tatimet –kamatat e kredive, atëherë duhet të punohet vetëm për këto obligime dhe jo për fitime personale”, thotë Berisha.

Sipas zyrtarëve qeveritarë, gjatë këtij viti janë shuar 139 kompani më shumë sesa gjatë vitit të kaluar.


Mejdi Pllashniku, nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve që funksionin në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, tregon se nga janari e deri në fund të muajit tetor të këtij viti, kanë falimentuar 750 subjekte private, përderisa në periudhën e njëjtë të vitit 2010, janë shuar 611 biznese.

Sa i përket numrit të shuarjes se bizneseve, nuk është shqetësuese është numër normal. Në qoftë se në vitin 2011 kemi pasur 6740 biznese të reja të regjistruara, ndërsa 750 biznese janë shuar, numri i këtyre shuarjeve nuk është shumë i madh, për arsye se numri i shuarjeve nuk është prej bizneseve të regjistruara, por prej numrit të mëparshëm të bizneseve”, bën të ditur Pllashniku.

Çregjistrimi apo falimentimi i subjekteve, zakonisht ndodh te bizneset e vogla, tregtare, prodhuese apo ofrime të shërbimeve tjera, thonë zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës.

Ruzhdi Zenelaj, menaxher për edukim të tatimpaguesve në Administratën Tatimore, tregon se procesi i çregjistrimit të një ndërmarrjeje ndodh kur tatimpaguesi me dëshirë bën kërkesë për çregjistrim ose mund të ndodhë çregjistrimi në mënyrë të dhunshme nga organet kompetente të falimentimit.

“Ka raste kur tatimpaguesi me dëshirën e tij bën kërkesë për çregjistrim, e që mund të jetë për arsye të ndryshme, qoftë ato të falimentimit, vdekjes, mosinteresimit për të ushtruar biznes, apo edhe të mbylljes së aktivitetit për shkak të ndonjë arsyeje tjetër personale”.

“Gjithashtu ekziston edhe çregjistrimi i ndonjë biznesi në mënyrë të detyrueshme nga organet kompetente për falimentim të një ndërmarrjeje, ose edhe nga vetë ATK-ja, rastet kur tatimpaguesi nuk është deklaruar në vitin e fundit”, tregon Zenelaj.

Ai thotë se vetëm gjatë këtij viti, 357 ndërmarrje janë çregjistruar me vullnetin e tatimpaguesve.

Kurse, që nga fundi i vitit 2009 e deri më tash, Zenelaj pohon se Administrata Tatimore e Kosovës, ka çregjistruar 40 355 biznese, për arsye se nuk kanë kryer deklarimet e tyre tatimore.


Sidoqoftë, ekspertë të çështjeve ekonomike, thonë se shifrat e falimentimit të bizneseve nuk janë shqetësuese nëse krahasohen më numrin e regjistrimit të bizneseve të reja. Por, megjithatë, sipas tyre, këto shifra tregojnë situatën, në të cilën po kalojnë subjektet për të kryer aktivitetin e tyre në mënyrë normale.

Sejdi Osmani, nga Instituti “Riinvest” thekson se falimentimi i këtyre bizneseve do të sjellë një numër pasojash socio-ekonomike për ekonominë e vendit, duke u nisur nga mospagesa e taksave dhe shtimi i numrit të të papunëve.

”Në çdo ndërmarrje të falimentuar, qoftë ajo edhe një ndërmarrje, nëse ato konsiderohen biznese individuale, së paku një punëtor do të jetë pa vend pune. Nëse janë 750 ndërmarrje të falimentuara, ne kemi minimumin 750 punëtorë më pak”, thekson Sejdiu.

Edhe në raporte të ndryshme të organizatave ndërkombëtare, thuhet se në Kosovë nuk ka përmirësim në fushën e të bërit biznes.