Ligji anti-duhan: Priten masa më të rrepta

Ilustrim

Miliona viktima në vit dhe miliona të sëmurë nga kanceri... Këto janë pasojat që shkakton pirja e duhanit në mbarë botën.

Por në Kosovë, vazhdon të mos ketë të dhëna të sakta rreth konsumit të duhanit.

Nga hulumtimet e bëra në Kosovë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, thuhet se dukuri brengosëse është rritja e shkallës së duhanpirjes te femrat shtatzëna si dhe rritja e fëmijëve në ambiente të tymosura.

Kemi konstatuar se 21 për qind e grave shtatzëna, kanë tymosur duhan në mënyrë aktive, por një fenomen tjetër shqetësues është se mbi 50 për qind e të porsalindurve janë rritur në ambient të tymosur, qoftë në shtëpitë e tyre, apo edhe në ambiente tjera të mbyllura publike”.

Edhe pse nuk posedojmë shifra të sakta lidhur me numrin e duhanpirësve në Kosovë, është fakt i pamohueshëm se duhani paraqet një nga problemet më të rënda të shëndetit publik në Kosovë”, thotë Skender Syla, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Edhe qytetarët mendojnë se ligji kundër duhanit nuk po gjen zbatim në Kosovë.

Naime Hajrullahu nga Prishtina, juriste me profesion, rreth moshës 40 vjeçare, mendon se Ligji kundër duhanit nuk është mirë i definuar, duke e marrë parasysh, siç thotë ajo, mosndarjen fizike të pirjes dhe ndalimit të duhanit brenda hapësirave publike.

Ka iniciativa për zbatimin e ligjit, por ai nuk po arrin të zbatohet në tërësi. Për shembull, në shumë restorante, ndonëse nuk ka shpuzore adekuate për duhan, aty mund të tymosësh. Por unë mendoj se është një mangësi te ligji, sepse nuk ka ndarje fizike, do të thotë nuk ka asnjë rëndësi nëse në 3 tavolina mund të tymosësh e në 7 jo, sepse të gjithë janë në të njëjtin ambient”.

Sidoqoftë, Ligji kundër duhanit është aprovuar në Parlamentin e Kosovës në shkurt të vitit të kaluar. Por sa po zbatohet ai dhe sa ka ndëshkime nga ana e inspektorëve sanitarë?

Dardan Mazreku, menaxher i njërit nga restorantet ne kryeqytet, thotë se edhe përkundër kërkesës së klientëve për t’u tymosur duhani në pjesën e ndaluar, atyre nuk u lejohet.

Andaj, siç thotë ai, asnjëherë nuk kanë marrë ndonjë gjobë nga inspektorati, edhe përkundër kontrolleve të rralla.

Te ne zbatohet sepse mundësitë teknike i kemi shumë të mira. Në katin e poshtëm nuk lejohet, ndërsa në të epërmin lejohet, edhe pse kërkesat nga klientët i kemi gjithmonë të tymoset edhe në katin e ndaluar. Por ne jemi kategorik që të respektohet ligji kundër duhanit”.

Zyrtarë nga inspektorati sanitar thonë se në sezonin e dimrit do të ketë masa të shtuara inspektimi, duke shtuar se gjatë verës kryesisht duhani pihet në ambiente të hapura.
Tash në sezonin e dimrit do të kemi një aksion të shtuar, ku do të dënohen të gjitha ato institucione që nuk e zbatojnë ligjin kundër duhanit.

Duke e pasur parasysh që në sezonin e verës duhani pihet në ambient të hapur, nuk kemi shqiptuar gjoba. Tash në sezonin e dimrit do të kemi një aksion të shtuar, ku do të dënohen të gjitha ato institucione që nuk e zbatojnë ligjin kundër duhanit”, thotë Ibrahim Tërshnjaku, inspektor sanitar.

Ndërsa zyrtarë nga Instituti i Shëndetit Publik tashmë kanë pohuar se edhe pse është aprovuar ligjin anti-duhan në Parlamentin e Kosovës, dhe janë marrë një varg masash me inspektorë, prapë se prapë ky fenomen ngelë si i rëndë, sepse në organizmin e njeriut duhani po bën dëme shumë të mëdha.

Sidoqoftë rreth 40 për qind e të rinjve në shkollë tymosin duhan. Kjo shifër vjen sipas hulumtimeve të bëra nga organizatat joqeveritare që merren me vetëdijesimin e të rinjve për pasojat e duhanit.