Maqedoni: Lustrimi i gazetarëve

Fotografi ilustruese


Procesi i lustrimit në Maqedoni do të përfshijë edhe gazetarët e mediave private dhe përfaqësuesit e shoqatave joqeveritare.

Duke filluar nga data 31 dhjetor e deri më 31 janar, të gjithë gazetarët janë të detyruar që të paraqesin deklarata me shkrim se nuk kanë qenë bashkëpunëtor të shërbimeve sekrete policore.

Pastaj, komisioni për lustrim, do të verifikojë deklaratat e tyre, për të parë nëse ndonjëri prej tyre rezulton të ketë qenë bashkëpunëtor.

Ligjërisht nuk janë paraparë sanksione për personat e tillë, përveç bartësve të funksioneve të larta shtetërore, që po ashtu janë në procesin e lustrimit.

Por, në rastin e gazetarëve, ata pa ndonjë sanksionim ligjor, nuk do të ishin në gjendje të vazhdonin kryerjen e profesionit.

Sidoqoftë, ky proces mbështetet nga shumë media në vend.

Ne si gazetë e përkrahim këtë proces sepse mendoj se ata të cilët janë zëri kritik i shoqërisë duhet pikë së pari të pastrohen me vetveten dhe në atë mënyrë do të kenë besueshmëri më të madhe për të kritikuar proceset si dhe punën e faktorëve politikë”, deklaroi Isen Saliu, kryeredaktor i gazetës “Lajm”.

Edhe Sllagjana Dimishkova, nga e përditshmja në gjuhën maqedonase “Nova Makedonija” mbështet procesin e lustrimit, por me rëndësi, sipas saj, është se si do të zhvillohet ky proces që të mund të jetë edhe i besueshëm.

Është fakt se lustrim duhet të ketë edhe për gazetarët, ashtu siç ka edhe për bartësit e funksioneve publike në shtet. Megjithatë, dilemat mbeten se si do të zhvillohet ky proces. Për fat të keq, ai nuk varet nga gazetarët por nga ata që e bëjnë një gjë të tillë.

Është fakt se lustrim duhet të ketë edhe për gazetarët, ashtu siç ka edhe për bartësit e funksioneve publike në shtet.
"Atë që gazetarët mund të bëjnë është që me kohë të paraqesin deklaratat e tyre, ashtu siç bënë të punësuarit e gazetës sonë para tri vjetëve, kur pas ndërrimit të pronarit të kompanisë, të gjithë të punësuarit dhanë deklarata se nuk kanë qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve të fshehta”, deklaroi Dimishkova.

Mbështetje këtij procesi i jep edhe Fami Bajrami, kryeredaktor në gazetën “Zhurnal”.

Kur dihet se gazetarët ushtrojnë një detyrë shumë publike dhe me shumë përgjegjësi, atëherë kjo do të ishte një argument që edhe ata ta kalojnë filtrin e lustrimit. Pra, nuk mundet që për arsye të disa gazetarëve të njolloset totalisht dinjiteti i gazetarit”, deklaroi Bajrami.

Nazim Rashidi, ligjërues në fakultetin e gazetarisë pranë Universitetit të Tetovës, thotë se lustrimi duhet të përfshijë edhe gazetarët, por, sipas tij, dilemat paraqiten për periudhën që do të përfshijë ky proces.

I gjithë procesi i lustrimit në vendet e komunizmit ka pasur të bëjë se sa persona që janë në publikë, sot kanë bashkëpunuar me sistemin dhe regjimin e kaluar, i cili i ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë njerëzit".

"Kurse, tani po kalojmë në një fazë tjetër ku po lustrohen personalitet në këtë konteskt edhe gazetarët të periudhës së pas-komunizmit, që për mua është pak e paqartë në kuptimin e formulimit
”, deklaroi Rashidi.

Ndërkohë, kreu i komisioni për lustrim, Tome Axhiev tha për Radion Evropa e Lirë se lustrimi do të jetë i njëjtë për të gjithë.

Procesi i lustrimit përfshinë periudhën prej vitit 1944 e deri më sot. Pra ashtu siç është për të tjerët, do të jetë edhe për gazetarët”, deklaroi Axhiev.

Ai po ashtu tha se për momentin po shqyrton deklaratat e dhënë nga punonjësit e Radio Televizionit të Maqedonisë, të cilët para të tjerëve kanë qenë të obliguar të dorëzojnë deklarata me shkrim se nuk kanë qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete.