10 jetë të humbura në muaj

Foto nga arkivi


“Më mirë ta humbësh një minutë në jetë, sesa ta humbësh jetën për një minutë”, është fushata e lansuar nga Policia e Kosovës, në bashkëpunim me misionin e OSBE-së në Kosovë.

Këtë vit, deri në muajin shtator, kanë humbur jetën 95 njerëz, prej të cilëve 33 këmbësorë.

Qytetarët konsiderojnë se në rrugët e Kosovës nuk respektohet limiti i shpejtësisë, e as vendet e tejkalimit për këmbësorë. Arta Hysaj, qytetare, shprehet:

Nuk respektohen rregullat dhe mendoj se kjo është shumë keq, sidomos brenda qytetit. Shpejtësia është shumë e madhe dhe nëse kalohet në masë prej 30 për qind sa është e kufizuar, them se do të duhej t’u merrej patentë-shoferi atyre ngasësve. Poashtu, nuk respektohen as vijat e këmbësorëve dhe mendoj që edhe ky është një rrezik i madh për këmbësorët”.

Ndërkaq, Shpëtim Sadiku, një tjetër qytetar, thotë se mënyra më e mirë do të ishte vendosja e kamerave nëpër rrugë, në mënyrë që të identifikohet secili ngasës që e tejkalon shpejtësinë.

Mendoj se është dashur të vendosen edhe kamerat nëpër qytet , në mënyrë që të gjithë ata që e tejkalojnë shpejtësinë dhe policia nuk has në ta, t’u dërgohet dënimi përmes identifikimit të tabelave të veturës. Kjo do të ndihmonte shumë në zvogëlimin e shpejtësisë, si dhe shpëtimin e jetës së qytetarëve”, thotë Sadiku.

Kapiten Jeton Rexhepi, nga Departamenti i komunikacionit rrugor, thotë se fushatat për vetëdijesimin e ngasësve janë të domosdoshme , pasi që, siç thekson ai, kanë ndikuar në rënien e numrit të aksidenteve me fatalitet.

Sipas Rexhepit, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka rënie të numrit të personave që kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve.

Policia e Kosovës


Policia e Kosovës, në bashkëpunim me misionin e OSBE së në Kosovë, në vazhdimësi ka bashkëpunuar me projekte për vetëdijesimin e pjesëmarrësve në komunikacion dhe atë përmes spoteve televizive, broshurave, billbordeve, e fletëpalosjeve të ndryshme".

"Mirëpo, tani, në bashkëpunim me OSBE-në, kemi përgatitur dhe, po ashtu, po lansojmë fushatën për siguri në komunikacionin rrugor, të titulluar “Patrulla 2”, e cila ka për qëllim ngritjen e vetëdijesimit te pjesëmarrësit në komunikacion, e që do të ndikonte në minimizimin e aksidenteve rrugore”,
bën të ditur Rexhepi.

Në anën tjetër, Shefqet Beqa, ndihmësdrejtor për shtyllën e operativës, thotë se siguria në komunikacion është njëra nga brengat më të mëdha që ka policia e Kosovës.

“Është numër i madh i aksidenteve, si pasojë e cilës kemi shumë raste të humbjes së jetës së njerëzve”, deklaron Beqa.

Policia e Kosovës nuk do të ndalet në marrjen e masave dhe veprimeve të nevojshme edhe në bashkëpunim me subjekte tjera me të vetmin qëllim , që t’i parandalojë aksidentet dhe të ndikojë apo t’i zvogëlojë pasojat e dhimbshme dhe shumë të panevojshme që si pasojë kanë humbjen e jetës.

Ndërsa, zëvendësambasadori i OSBE-së, Eduard Zhozef, si donator i këtij projekti, shpreson se ky projekt do të ndihmojë në vetëdijesimin e qytetarëve për shtim të kujdesit derisa ngasin apo ecin.