Kosovë: Rexhepi dhe Lunaçek biseduan për liberalizimin

Ministri i brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, është takuar sot në Prishtinë me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Urlike Lunaçek, me ç’rast u bisedua për të arriturat në plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian, ka njoftuar Ministria e punëve të brendshme.

Evrodeputetja Lunaçek, e ka theksuar përkushtimin dhe rezultatet e arritura nga institucionet e Kosovës, duke kërkuar që të vazhdohet me këtë angazhim edhe në muajt e ardhshëm.

Ministri Rexhepi e ka falënderuar zonjën Lunaçek për angazhimin e deritashëm dhe e ka informuar për progresin e arritur dhe angazhimet, që i ka ndërmarrë kjo ministri, për fillimin e dialogut për viza me Bashkimin Evropian, gjatë këtij viti.

Duke diskutuar për zhvillimet në pjesën veriore të Kosovës, të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar se rendi dhe ligji, duhet të vendoset edhe në atë pjesë të Kosovës.