Projekt-buxheti 2012 - rritje 7.7%

Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot projekt-buxhetin për vitin 2012, i cili parashihet të jetë mbi 1.5 miliard euro, çfarë paraqet rritje prej 7.7 për qind, krahasuar me buxhetin e këtij viti.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ky projekt-buxhet garanton plotësimin e nevojave të qytetarëve dhe rritje të zhvillimit ekonomik.

Kryeministri Hashim Thaçi (foto nga arkivi)

“Buxheti reflekton ambiciet tona reale për integrime euroatlantike.
Buxheti i vitit 2012 është buxhet i zhvillimit ekonomik, rritjes së mirëqenies, reformave të thella demokratike - është buxhet i reformave evropiane”,
tha kryeministri Thaçi.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, bëri të ditur se buxheti i vitit 2012, sa i përket pjesës së shpenzimeve, për herë të parë kalon vlerën e 1.520 miliard eurove.

Duke treguar burimet e financimit të projekt-buxhetit të ri, Hamza tha se ai siguron rritje ekonomike prej 5 për qind për vitin 2012.
Të hyrat e rregullta buxhetore për vitin 2012 janë parashikuar të jenë në vlerë prej 1 miliard e 361 milionë eurosh, apo 4 për qind më të larta se në vitin 2011.

“Të hyrat e rregullta buxhetore për vitin 2012 janë parashikuar të jenë në vlerë prej 1 miliard e 361 milionë eurosh, apo 4 për qind më të larta se të hyrat e rregullta të buxhetit të vitit 2011”.

“Nga këto të hyra, Doganat e Kosovës pritet të grumbullojnë 860 milionë euro, ndërsa tatimet vendore pritet të arrijnë në vlerën e 285 milionë eurove. Përpos këtyre të hyrave të rregullta dhe burimeve të tjera, do të trashëgojmë edhe një bilanc pozitiv bankar prej mbi 120 milionë eurosh nga ky vit, që do të përdoret si burim shtesë i financimit”,
theksoi Hamza.

Ky i fundit tha se mbi 40 për qind e buxhetit do të shpenzohet për projekte kapitale.

“Shpenzimet për paga dhe mëditje janë 407 milionë euro - shifër kjo që paraqet një ngritje prej 5.4 për qind në krahasim me vitin 2011. Shpenzimet për mallra dhe shërbime janë paraparë të jenë 198 milionë euro”.

“Ngjashëm me buxhetet e viteve të kaluara, edhe buxheti 2012 ruan nivelin e lartë të shpenzimeve kapitale, me pjesëmarrje 40,5 për qind në buxhetin e tërësishëm. Shpenzimet kapitale janë paraparë të jenë 616 milionë euro - shifër kjo që përfaqëson një ngritje prej 15 për qind në krahasim me vitin 2011”,
tha Hamza.

Sipas tij, draft-buxheti është në harmoni të plotë me marrëveshjen e arritur me Fondin Monetar Ndërkombëtar, e cila marrëveshje, siç tha Hamza, përveç tjerash, obligon ruajtjen e rezervës fiskale, në rast të ballafaqimit me krizë.

Buxheti i këtij viti ka qenë 1 miliard e 264 milionë euro të hyra buxhetore, ndërsa 1 miliard e 434 milionë euro shpenzime.