Ngritja e vazhdueshme e çmimeve të produkteve ushqimore në Kosovë, sipas përfaqësuesve të bizneseve dhe ekspertëve të çështjeve ekonomike, po rëndon edhe më shumë jetën ekonomike dhe sociale të qytetarëve.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se për shtresën e varfër të popullsisë kjo ngritje është e papërballueshme.
Për shkak se ne kemi çdo vit rritje të papunësisë, kemi kërkesa për të hyrë në tregun e punës.
Ndërkohë, sipas raportit të fundit të Entit të Statistikave, në Kosovë është shënuar ngritje e çmimeve në gati të gjitha produktet ushqimore.
Çmimet e konsumit gjatë muajit shtator të këtij viti janë ngritur për 4,8 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2010.
Ngritje e çmimeve, sipas këtij raporti, kryesisht vërehet te buka dhe drithërat për 12,6 për qind.
Profesori i ekonomisë, Isa Tahiri, thotë se ngritja e vazhdueshme e çmimeve të produkteve ushqimore në vend është shqetësuese, duke pasur parasysh se gati gjysma e popullatës jeton në varfëri.
“Ngritja e çmimeve nëpërmes rrugës inflatore e ka zvogëluar kapacitetin e kuotës së qytetarit. Ngritja e çmimeve është bërë në mënyrë konstante, kurse të ardhurat kanë mbetur ato që kanë qenë. Çka do të thotë se nëse në fillim të vitit ke dalë në blerje dhe me 100 euro ke blerë 10 produkte, tani me 100 euro i blen vetëm 8 produkte”, shprehet ai.
Institucionet e Kosovës janë deklaruar tashmë se nuk mund të ndikojnë në uljen e çmimeve, por kanë premtuar se do të shqyrtojnë mundësinë për zbutjen e kësaj gjendjeje.
Sidoqoftë, profesori i ekonomisë Isa Tahiri thotë se qeveria mund të ndikojë në uljen e çmimeve të produkteve ushqimore.
“Qeveria duhet të marrë masa që të ulë inflacionin, të rrite produktivitetin vendor, t’i ikë importeve kaq të larta dhe t’i parasheh ngritjet sistemore të të ardhurave në përgjithësi”, shprehet ai.
Në anën tjetër, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se ngritja e çmimeve në Kosovë ka ardhur si pasojë e rritjes së çmimeve, mungesës së produkteve në tregjet globale, dhe jo si mungesë e produkteve vendore.
Ai thotë se derisa Kosova varet shumë nga importi, çdo ndryshim i çmimeve në tregjet globale do ta prekë edhe tregun kosovarë.
Globalizmi ka pasur përparësitë e veta, por ka edhe mangësitë e veta; ku ka rritje të konsumit ka rritje të inflacionit.
Ndryshe, çmimet e artikujve ushqimorë në Kosovë, kanë filluar të ngriten që nga fundi i vitit të kaluar dhe kanë vazhduar pa pasur rënie.
Njohës të çështjeve ekonomike thonë se nëse një trend i tillë vazhdon, mundësia e një shpërthimi social është shumë reale.