Dhuna në familje: Ligjet pa ndikim

Foto ilustruese

Xhuli Ouens ka qenë viktimë e dhunës në familje. Ajo sot punon si konsulente për çështjet që kanë të bëjnë me këtë fenomen.

Me ftesën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, zonja Ouens ka ndarë me opinionin kosovar përvojën dhe përpjekjet në betejën e saj kundër dhunës.

“Ju ftoj t’i dëgjoni viktimat sa më shpesh që mundeni, edhe pse është e natyrshme që t’iu ktheni shpinën dhe të mos bëni asgjë. Dua të diskutojmë disa ide së bashku, se si të ecni përpara si shtet, për faktin se një në tri gra në planet, preket nga dhuna në familje”.

“Unë jam njëra nga to, që kam përjetuar dhunë dhe kam fatin që jam ende gjallë. Kam 23 vjet që punoj në këtë fushë”,
ka thënë Ouens.

Policia e Kosovës, çdo vit, regjistron mbi 1,000 raste të dhunës në familje. Pesë raste, këtë vit, kanë përfunduar me vrasje.

Në Kosovë ekziston Ligji kundër dhunës në familje, si dhe strategjia dhe plani i veprimit kundër dhunës në familje.

Por, sipas përfaqësuesve të organizatave joqeveritare, të drejtat e grave mbrohen vetëm në baza ligjore, ndërkohë që në praktikë ato janë larg standardeve ndërkombëtare. Igballe Rogova, drejtoreshë e Rrjetit të Grave të Kosovës, thotë:

“Ne kemi ligjin, kemi buxhet të mirë, të cilin e ka aprovuar qeveria, si dhe kemi planin aksionar kundër dhunës, por neve na duhet implementimi i këtyre mekanizmave”.

Arta Kelmendi, udhëheqëse e Divizionit për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave në Ministrinë e Drejtësisë, thotë se në Kosovë janë krijuar të gjithë mekanizmat adekuatë të drejtësisë për t’iu ofruar qasje më të lehtë dhe shërbime pa pagesë viktimave të dhunës.

“Kemi nxjerrë edhe Ligjin mbi dhunën në familje, i cili do të sjellë një efikasitet më të madh edhe të vendimeve gjyqësore. Ministria e Drejtësisë ka asistuar vetëm vitin e kaluar në 800 raste”, thotë Kelmendi.

Por, zonja Rogova kritikon drejtësinë në këtë drejtim, duke thënë se ajo nuk funksionon si duhet.

“Kemi pasur një rregullore të UNMIK-ut që nuk ka funksionuar si duhet, por edhe sot nuk funksionon si duhet. Kjo është arsyeja përse kemi kërkuar ndihmë nga Zyra Amerikane. Do të organizojmë fushata, që t’i shtyjmë institucionet të implementojnë ligjin”, thotë Rogova.

Organizatat vendore dhe ndërkombëtare tërheqin vërejtjen se gratë kosovare janë ende viktimat më të shpeshta të dhunës dhe një nga grupet më të margjinalizuara.