Telekomi kroat tërhiqet nga privatizimi i PTK-së?

PTK

Telekomi kroat T-HT është duke e shqyrtuar mundësinë që të largohet nga konkurimi për privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës, pasi menaxherët e kësaj kompanie dyshohen për korrupsion, njofton agjencia e lajmeve Reuters, duke u bazuar në pohimet e vetë kompanisë kroate T-HT.

T-HT, pronë e “Deutsche Telekom” dhe “Telekom Austria”, ka hyrë në rrethin e ngushtë në qershor, në garën për të privatizuar 75 për qind të PTK-së, vetëm disa ditë para se prokurorët e Bashkimit Evropian ngritën dyshime mbi shefin ekzekutiv dhe këtar persona të tjerë.

"Për shkak të dyshimeve të ngritura së fundmi kundër menaxherëve të caktuar të PTK-së, të dyshuar për korrupsion, T-HT është aktualisht duke e rishqyrtuar pjesëmarrjen në procesin e privatizimit”, i ka thënë Reutersit Maja Veber, zëdhënëse e T-HT-së.

Shefi ekzekutiv i PTK-së, Shyqyri Haxha, dhe kryesues i Bordit të Drejtorëve të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj, akuzohen se kanë bërë “kontrata të dëmshme” dhe se kanë shpërdoruar pozitën zyrtare.

Shitja e PTK-së është pritur të jetë midis 300 dhe 600 milionë eurosh, shumë kjo e cila tashmë është përfshirë edhe në buxhetin e vitit 2011.(a.v.)