Plani për zhvillim, pa efekte

Ilustrim

Plani ekonomik i Kosovës, i quajtur “Vizioni i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, prioritetet për periudhën 2011-2014”, i aprovuar në prill të këtij viti nga Qeveria e Kosovës, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, deri më tani nuk ka dhënë ndonjë efekt pozitiv.

Profesori i ekonomisë, Musa Limani, thotë se ekzekutivi i vendit nuk i ka realizuar prioritetet e caktuara në këtë plan.

“Në këtë periudhë thuhet se norma e bruto produktit të prodhimit (GDP-së) do të shtohet prej 7 deri në 8 për qind. Ne ekonomistët e dimë që dinamika e zhvillimit ekonomik të një vendi shprehet përmes GDP-së, përkatësisht normës së shtimit të GDP-së. Por, ky plan nuk jep asnjë shifër absolute për vlerat e GDP-së”, thotë Limani.

Rritja ekonomike prej 7 deri në 8 për qind, privatizimi i aseteve publike, ulja e papunësisë deri në 10 për qind, kalimi nga ekonomia joformale në atë formale, zhvillimi i sektorit të arsimit dhe të tjera janë caktuar si prioritete të Qeverisë së Kosovës në këtë plan ekonomik.

Profesor Limani thotë se derisa në periudhën 2008-2009, norma e shtimit të GDP-së ka qenë vetëm 0.6 për qind dhe se në këto vite ka pasur rritje më pak se 1 për qind, në periudhën 2011-2014, sipas tij, GDP-ja nuk mund të rritet për 7 për qind.

“Nuk ka një analizë apo një mbështetje faktike profesionale të të dhënave nëse do të arrijmë një nivel të lartë të zhvillimit. Për mua më shumë është një deklaratë politike, për të thënë se po rritet zhvillimi ekonomik”, thotë Limani.

Një ndër prioritet e përcaktuara në këtë plan ishte privatizimi i distribucionit dhe furnizimit të KEK-ut, gjë që nuk u realizua.

“Privatizimi i distribucionit dhe furnizimit, shpallja e fituesit - fundi i shtatorit 2011; përmbyllja financiare - dhjetor 2011”, thuhet në “Vizionin e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, prioritetet për periudhën, 2011-2014”.

Edhe sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se plani në fjalë i zhvillimit ekonomik ende nuk ka gjetur zbatim.

“Në Kosovë kanë ndryshuar rrethanat. Ky plan është zhargitur për shkak se fokusi momental i Kosovës është në politikë. Kjo është shqetësuese për ekonominë”, thekson Rukiqi.

Sa i përket rritjes ekonomike 7-8 për qind, të paraqitur në vizionin e zhvillimit ekonomik të Kosovës, Rukiqi shprehet skeptik se një gjë e tillë mund të arrihet. Sipas tij, Kosova mund të realizojë rritje ekonomike më së shumti deri në 6 për qind.

“Kjo rritje, 7-8 për qind, është objektiv, i cili është menduar në kushtet e funksionimit optimal të ekonomisë - çfarë është e pamundur në rrethanat e tanishme të Kosovës”, thotë Rukiqi.