Si të ruhet stabiliteti ekonomik

Shkup

"Rritja ekonomike gjithsesi se do të varet nga biznesi privat, megjithatë shpresojmë që rritja e bruto prodhimit vendor në Maqedoni të arrijë shkallën prej 3.5 për qind. Çdo rritje mbi këtë do të ishte një arritje pozitive për ne, por pasi ka rreziqe në ekonominë evropiane, duhet të jemi të kujdesshëm”, ka deklaruar për mediat Zoran Stavrevski, ministër i Financave, duke shtuar se pikërisht për shkak të ruajtjes së normave pozitive të rritjes ekonomike edhe papunësia ka mbetur në të njëjtin nivel, si në tremujorin e parë.

Por me këtë nuk pajtohen ekspertët e pavarur, sipas të cilëve, autoritetet shtetërore krijojnë një pamje joreale për gjendjen ekonomike, veçanërisht për uljen e papunësisë.

Eksperti maqedonas Zdravko Savevski, duke komentuar njoftime për një valë të re të krizës ekonomike që pritet të përfshijë një pjesë të madhe të vendeve të Evropës, thekson se Qeveria e Maqedonisë duhet të hartojë një plan të qartë për lehtësimin e funksionimit, veçanërisht për kompanitë të cilat shënojnë trend pozitiv në funksionimin e tyre, që të mos jenë të detyruar të largojnë punëtorë nga puna.

"Në vend se qeveria të ndërmarrë masa shtesë për zbutjen e goditjes që pritet të marrë biznesi i vendit si pasojë e krizës globale ekonomike, ajo këtë e bën duke krijuar një imazh joreal. Pra, duke fshirë nga evidenca e byrosë për punësime të të gjithë atyre qytetarëve të cilët për një ose arsye tjetër, nuk janë evidentuar me kohe. Por e vërteta është se ata edhe më tej janë të papunë dhe se ekonomia e familjeve të atyre qytetarëve edhe me tej mbetet ne dhe të ekzistencës”, shprehet eksperti maqedonas Zdravko Savevski.

Nga ana tjetër, Etem Aziri, ligjërues në fakultetin e administratës publike në UEJL thekson se nuk mund të bëhet fjalë për mirëqenie sociale aq më pak për rritje ekonomike kur realiteti në Maqedoni dëshmon se pjesa më e madhe e punësimeve bëhet në institucionet shtetërore dhe jo në sektorin privat, ashtu siç praktikohet në vendet e zhvilluara evropiane

Këtu është fjala për një disproporcionalitet shumë të shprehur mes bazës ekonomike dhe super strukturës shoqërore, kjo çon në drejtim të asaj që punësimet në administratën publike edhe ashtu të stërngarkuar të jenë pastër politike, pa një arsyeshmëri ekonomike. Këtë veprim e ndërmarrin elitat politike që artificialisht t’i ulin tensionet sociale . Gjithsesi kjo është një masë afatshkurtër e cila në planin ekonomik dhe atë politik do të prodhojë efekte edhe më të mëdha negative në të ardhmen”, thekson Etem Aziri.

Ndryshe, përkundër faktit se në të gjitha ekonomitë e mëdha botërore numri i qytetarëve të papunësuar është në rritje, ministri i Financave Zoran Stavreski, thotë se me kujdes po hartohet buxheti i ardhshëm për vitin 2012, ku parashihen vende të reja të punës si përmes thithjes së investimeve të huaja ashtu dhe mëkëmbjen e sektorit privat në vend.

Për shkak të mundësisë së falimentimit të Greqisë dhe rrezikut për stabilitetin e euros, Maqedonia bazuar në buxhetin e saj dhe politikat ekonomike do të punojë më shumë për të mbështetur ekonominë e vet me anë të politikave të investimeve më të larta.