Kush ka rolin udhëheqës në veri?

Në veri

Aksioni i nisur më 25 korrik për të kthyer kontrollin në veri të vendit si nga qeveria ashtu edhe nga opozita konsiderohet se ka thyer status-quonë 12 vjeçare.

Por, ndërsa qeveria mendon se është në rrugë të kthimit të kontrollit në atë pjesë, edhe pas aksionit tjetër të koordinuar me ndërkombëtarët më 16 shtator, kështu nuk mendon opozita, e cila konsideron se institucionet nuk janë duke shtrirë sovranitetin në veri.

Sido që të jetë, janë strukturat serbe që Qeveria e Kosovës i quan kriminale, duket se po diktojnë rrjedhën e ngjarjeve në veri. Ato po pengojnë zbatimin e planit operacional të Qeverisë për kthimin e doganierëve dhe policëve ne pikat kufitare 1 dhe 31 dhe për këtë.

Përfundimisht strategjia e barrikadave është po ashtu pjesë e strategjisë së qeverisë së Beogradit, që të krijohet përshtypja e domosdoshmërisë së ndarjes territoriale të Kosovës.
Këshilltari politik i kryeministrit, Dukagjin Gorani thotë se janë të paktën tri nivele të ndërthurura të strukturave në veri, që për 11 vjet janë bërë gati për ndarjen e pjesës veriore.

Së pari, kryetarët e komunave, udhëheqja e ashtuquajtur politike, qoftë partiake në veri është drejtpërdrejt edhe e lidhur edhe e financuar prej strukturave qeveritare serbe. E dyta, strukturat që merren me ekonomik në veri janë po ashtu të ndërlidhura me strukturat të ashtuquajtura komunale atje, e mandej në mënyrë indirekte të ndërlidhura me Qeverinë në Beograd. Përfundimisht strategjia e barrikadave është po ashtu pjesë e strategjisë së qeverisë së Beogradit, që të krijohet përshtypja e domosdoshmërisë së ndarjes territoriale të Kosovës”, tha Gorani në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.

Ndërsa, pas 25 korrikut pat mbështetur për herë të parë një veprim të Qeverisë, Lëvizja Vetëvendosje sot kritikon në masë të madhe atë që e prezantoi si një plan gjashtëmujor operacional i qeverisë për veriun.

Ky plan, sipas liderit të Lëvizjes, Albin Kurtit, nuk mëton shtrirjen e sovranitetit, por është një përmbledhje e sugjerimeve për EULEX-in dhe KFOR-in.

Kurti thotë se aktualisht në veri nuk po udhëheq politikën Prishtina, por të tjerët.

Mendoj që edhe vetë ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi e ka pranuar se raporti i tij është një lloj mbledhje faktesh dhe është më shumë reaksion sesa aksion. Këta po reagojnë në veprimet që po i ndërmarrin të tjerët dhe mendoj se politikën janë duke e definuar shumë më tepër Serbia dhe faktorët ndërkombëtarë në veri sesa Qeveria e Kosovës, e cila ka hall se si situata në veri do të reflektohet në pushtetin në Prishtinë, e jo si pushteti në Prishtinë do të mund ta ndryshonte situatën në veri”, tha Kurti në një konferencë për gazetarë.

Por, këshilltari Gorani jep një shpjegim, se përse Qeveria nuk po reagon për të larguar barrikadat e vendosura nga serbët lokalë si kundërshtim ndaj planeve për shtrirjen e sundimit të ligjit në veri.

Qeveria e Republikës së Kosovës do të përkujdeset që çfarëdo reagimi që e ndërmerr të mos jetë në gjendje që të përkthehet në një reagim të politikës etnike”, tha Gorani.

Janë të paktën tri autoritete, që po merren aktualisht me sigurinë në pikat kufitare me Serbinë, Bërnjakun dhe Jarinën, kjo e fundit tashmë e djegur dy herë nga serbët lokalë.

Por, mbetet e paqartë se kush po udhëheq procesin e kthimit të normalitetit në këtë pjesë, ku kontrollin për 12 vjet me radhë e kanë pasur strukturat paralele të financuara nga Qeveria e Serbisë.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Siguri, Ahmet Isufi thotë se me veprimet e deritashme nuk është arritur që të zbatohet rendi dhe ligji në atë pjesë.

Atje duhet të veprojnë institucionet e Kosovës, duke zbatuar planin e veprimit që është harmonizuar me KFOR-in e EULEX-in, që të kemi një gjendje normale të funksionimit të jetës atje dhe po ashtu që të bëhen veprimet që pamundësojnë ndërhyrjen e instrumenteve institucionalë të Serbisë që në vazhdimësi krijojnë krim të organizuar, kontrabandë, veprime të paligjshme dhe çdokush që gjendet në këtë veprim, të vihet para ligjit“, tha Isufi.

Në anën tjetër, analisti për çështje politike, Halil Matoshi, thotë se në veriun e Kosovës aktualisht kanë rol udhëheqës ata që ai i quan njerëz të fuqishëm, që, sipas tij, janë të ndërlidhur me struktura kriminale.

Ata kanë interesa të mëdha ekonomike, në rend të parë, dhe këto interesa të mëdha ekonomike janë të ndërthurura me disa politikanë në Beogradin zyrtar. Është një bashkëveprim i politikës me krimin e organizuar, por në këtë rast kjo do ketë pasoja fatale që Ballkani të kthehet në vitet ’90-ta”, tha Matoshi.

Ndryshe, në një takim të Komitetit lokal të sigurisë që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës, kryetari i komunës, Avni Kastrati, ka thënë se përforcimi i barrikadave që është duke vazhduar në veri po bëhet me qëllim nga strukturat paralele serbe që veriu të shndërrohet në temë politike.