1000 raste të dhunës në familje

Forografi ilustruese

Shkalla e lartë e dhunës në familje vazhdon të mbetet shqetësim për institucionet dhe shoqërinë kosovare.

Çdo vit, Policia e Kosovës regjistron mbi 1000 raste të dhunës në familje, dhe në të gjitha këto raste katër nga pesë viktimat janë gra, gjë që nënkupton se shumica e kryesve të dhunës në familje janë meshkuj.

Kështu është thënë të martën gjatë lansimit të një programi të përbashkët të agjencive të Kombeve të Bashkuara që veprojnë në Kosovë, të quajtur “Dhuna mbi baza gjinore”.

Koordinatorja e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, Osnat Lubrani, tha se dhuna kundër gruas mbetet një sfidë me përmasa botërore, që nuk njeh shoqëri, kufi apo moshë. Kjo dukuri haset në viset rurale dhe urbane.

Dhuna kundër gruas është në radhë të parë çështje e të drejtave të njeriut. Por, njëherësh ajo është edhe çështje e zhvillimit.
Dhuna kundër gruas është në radhë të parë çështje e të drejtave të njeriut. Por, njëherësh ajo është edhe çështje e zhvillimit”, tha Lubrani, duke rikujtuar raportet e Bankës Botërore, ku thuhet se dhuna ndaj gruas kufizon aftësitë e saja dhe kështu ndikon edhe në zhvillimin e tërësishëm ekonomik të shoqërive.

Lubrani u bëri thirrje të gjitha institucioneve relevante që të promovojnë dhe të shtojnë përpjekjet për të përfshirë çështjen gjinore në sektorin e sigurisë dhe të përmirësojnë monitorimin e situatës së sigurisë së grave.

Se dhuna është e pranishme në familje dhe shoqërinë kosovare, thonë edhe zyrtarë të qeverise.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajrdin Kuçi, i quajti tragjike rastet e paraqitura në organet e rendit, pasi siç thotë ai, gjysma e rasteve të evidentuara kanë të bëjnë me dhunën në familje, e konkretisht dhunë e ushtruar ndaj grave dhe fëmijëve.

Megjithatë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili njëherësh është edhe Ministër i Drejtësisë, tha se prioritet i ekzekutivit mbetet sundimi i ligjit, që synon ngritjen e kualitetit të jetës për të gjithë qytetarët kosovarë.

Shoqëria jonë shpesh është alarmuar prej veprimeve të tilla dhe ka tentuar që të merr masa, gjithsesi për të parandaluar këto veprime apo në raste të caktuara për të marrë masa adekuate. Pikënisja e gjithçkaje, edhe këtu është vullneti i shoqërisë sonë për t’ia nisur dhe luftuar këtë dukuri. Unë besoj shumë në këtë vullnet dhe njëkohësisht besoj edhe në organizimin që ka shoqëria civile, qeveria edhe organizatat ndërkombëtare” tha Kuçi.

Ndryshe, sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 944 raste të dhunës në baza gjinore, ndërsa 5 prej tyre kanë përfunduar me vrasje.

Përfaqësues të organizatave ndërkombëtare por edhe atyre vendore, vlerësojnë se numri mund të jetë edhe më i madh.

Edhe zëvendëskryeministri Kuçi, thotë se jo të gjitha viktimat marrin guximin t’i denoncojnë sulmuesit e tyre.

Ndonëse dhuna është e dhimbshme dhe si e tillë, në raste të tilla kërkon edhe guxim për t’u paraqitur para organeve të drejtësisë. Ne shohim edhe mungesën e guximit të tillë në kuadër të shoqërive tona. Por, edhe në një mënyrë duhet të pranojmë një lloj morali, që dhuna në familje të mos denoncohet para organeve të shoqërisë”.

Në këtë drejtim, ne do të punojmë edhe më shumë në vetëdijesimin e anëtarëve të familjes dhe shoqërisë sonë, që dhuna në familje të mos jetë pjesë brenda për brenda familjes sonë, por edhe denoncimit në institucionet e sigurisë”, theksoi Kuçi.

Në Kosovë ekziston Ligji për mbrojtjen kundër dhunës në familje dhe strategjia dhe plani i veprimit kundër dhunës në familje.

Por, sipas përfaqësuesve të organizatave joqeveritare, të drejtat e grave mbrohen vetëm në baza ligjore, ndërkaq në praktikë ato janë larg standardeve ndërkombëtare.